“Hashim Thaçi i dytë do të ndante Kosovën” - Profesori tregon zgjidhjen përfundimtare Kosovë-Serbi me Albin Kurtin kryeministër

Politika

“Hashim Thaçi i dytë do të ndante Kosovën” - Profesori tregon zgjidhjen përfundimtare Kosovë-Serbi me Albin Kurtin kryeministër

Nga: N.SH Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 11:33
Albin Kurti

Posa të formohet Qeveria e Albin Kurtit, do të përballet me dialogun Kosovë-Serbi. Sikurse edhe qeveritë paraprake edhe kjo e Kurtit 2, do të ketë presion të vazhdueshëm nga ana e Bashkimit Evropian për të dialoguar me shtetin serb.

Kurti sa ishte kryeministër i Kosovës, kishte folur për një grup uniteti në Kosovë, dhe disa ekspertë për të qenë mirë të përgatitur për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi. Në lidhej me çështjen e dialogut ka folur profesor dr. Enver Bytyçi.

Profesori për gazetën “Bota sot”, thotë se, Albin Kurti ka premtuar se në çdo tavolinë me ndërkombëtarët, ku ai do të jetë i pranishëm, do të kërkojë llogari kundrejt Serbisë për krimet që ajo ka bërë në Kosovë.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Sipas tij, nëse zbërthejmë këtë premtim të tij, atëherë duhet të besojmë se zoti Kurti niset nga premisa e një dialogu midis viktimës (Kosovës) dhe agresorit (Serbisë). Bytyçi shton se, nëse dialogu zhvillohet mbi bazën e kësaj premise, atëherë suksesi i tij për Kosovën është thuajse i garantuar.

“Në të gjitha qëndrimet e ndërkombëtarëve, edhe kur është bërë fjalë për nënshkrimin e marrëveshjes së shkëmbimit të territoreve, ka mbizotëruar formula, sipas së cilës "Ne jemi dakord, nëse të dy palët, Kosova dhe Serbia, janë dakord"! Edhe shtete jo dashamirëse të Kosovës nuk kanë mundur të dalin jashtë kësaj klisheje. Kjo do të thotë se gjithçka varet nga qëndrimi i lidershipit në Prishtinë. Nëse do të vinte në pushtet një Hashim Thaçi i dytë, atëherë do të duhej të prisnim që një marrëveshje me Serbinë do të përfundonte me ndarjen e Kosovës. Por kur kemi një deklaratë si ajo që zoti Kurti ka bërë sa i përket dialogut, atëherë na duhet të besojmë se Kosova de Serbia do të ndahen nga njëra-tjetra bazuar në raportet e viktimës dhe agresorit. Ndarja sipas këtij standardi e bën Kosovën automatikisht të fituar, sepse së paku nuk mund të justifikohet nga asnjë ndërmjetës ndërkombëtar një zgjidhje me ndryshim kufijsh, ose me krijimin e një Republike Srpska brenda territorit të Kosovës”, thotë profesori.

Bytyçi shton se, e dimë se Beogradi ka për qëllim ose ta ndajë Kosovën, ose të ruajë ndikimin e saj absolut në politikat e saj, pra ta shfrytëzojë atë për interesat e veta, për interesat e krimit të organizuar në veri të vendit, për interesat e shërbëtorëve serbë në Kosovë e kështu me radhë.

“Përmes Listës Srpska dhe bashkëpunëtorëve shqiptarë të saj, qeveria e Serbisë dëshiron të jetë me dorë të fortë e pranishme në Kosovë, në të gjithë territorin e saj, në të gjitha politikat e saj, në projektet rajonale, përfshirë dhe Minishengenin e kështu me radhë. Për tetë vitet e fundit Beogradi e pati këtë avantazh falë Edi Ramës dhe Hashim Thaçit si dhe shërbëtorëve serbë të tyre të tipit Baton Haxhiu”, thekson ai.

Sipas tij, të dielën duhet të ndryshojë kjo dhe fatin e Kosovës e të dialogut ta marrin dy protagonistët kryesorë të politikës së re, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. “Gjithnjë me kushtin që t'i përmbahen dhe të respektojnë premtimet që i kanë bërë qytetarëve të vendit për të mbrojtur të drejtën e viktimave në dialogun me Serbinë. Këmbëngulja që qeveria dhe parlamenti serb të kërkojnë ndjesë për krimet e kryera në Kosovë do të jetë rruga e vetme për një përfundim të drejtë të dialogut dhe për një marrëveshje të ekuilibruar e në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Por kjo kërkesë duhet shoqëruar me dokumente, të cilat janë pa fund. Duhet shoqëruar me artikulim në një dialog gjakftohtë, pa nxitime, pa emocione, pa triumfalizëm, madje duke pranuar edhe ndonjë përgjegjësi jo institucionale për shqiptarët. Sepse në një konflikt janë të paevitueshme në kushtet e depresionit të mos ketë hakmarrje spontane. Por kjo kurrsesi nuk mund të barazohet me dhunën, terrorin, masakrat, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin serb në Kosovë, të cilat u planifikuan dhe u realizuan sipas një politike shtetërore të Serbisë. Pikërisht këtu qëndron dhe përgjegjësia e vendeve që e kanë njohur Kosovën. Ishte terrori e gjenocidi serb në Kosovë, ajo që i detyroi vendet demokratike të mbështetin pavarësinë, si dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, thotë profesori.

Ai thekson se, së dyti, qeveria e re duhet të studiojë më mirë se ato qeveri që kaluan rrethanat dhe ekuilibrat e aleancave dhe interesave, sidomos në Evropë, me qëllim që të realizojnë një dialog të favorshëm për të drejtën dhe Kosovën.

“P.sh në rastin e diskutimit të ndryshimit të kufijve ishin pikërisht shtetet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe vendet fqinjët të saj e të Serbisë, ato që kundërshtuan ndarjen e vendit. Por Hashimi e Edi ishin përkushtuar në realizimin e projektit të Vuçiqit dhe nuk donin ta shfrytëzonin këtë rrethanë në favor të Kosovës. Përkundrazi, luftuan sipas detyrës dhe konceptit serb. Të tilla rrethana të favorshme mund të krijohen edhe në të ardhmen. Qeveria e re duhet t'i qëmtojë dhe t'i shfrytëzojë. Po ashtu raportet dhe ekuilibrin e Fuqive të Mëdha. Sepse ndërsa Hashimi, Edi e Vuçiq, të tre së bashku u mbështetën te lobistët pro ndarjes së Kosovës, Kurti, Osmani e të tjerë duhet të bëjnë të kundërtën, të mbështeten te lobistët për ruajtjen e shtetësisë dhe funksionalitetin e institucioneve të vendit”, thotë profesori.

Bytyçi në fund pret një epilog pozitiv, nëse zoti Kurti u përmbahet deklaratave parazgjedhore. Dhe nuk sheh asnjë arsye pse ai të devijojë nga ky qëndrim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat