Sondazhet politike, Blakaj flet për besueshmërinë dhe profesionalizmin e tyre

Politika

Sondazhet politike, Blakaj flet për besueshmërinë dhe profesionalizmin e tyre

Nga: G.B Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 15:18
Ilustrim

14 shkurti po afrohet. Qytetarët e Kosovës të dielën do tu drejtohen kutive të votimit, për të votuar përfaqësuesit e tyre.

E deri tani nëpër mediume janë publikuar sondazhe të shumta, të cilat kanë ngjallur reagime të shumta.

Në shumicën prej tyre, Lëvizja Vetëvendosje është parti e parë.

E nga thuajse të gjitha partitë ka pasur reagime se këto sondazhe janë të porositura dhe nuk janë të besueshme.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Sami Blakaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se sondazhet bëhen për ta kuptuar disponimin e qytetarëve për partinë që preferojnë dhe deri tani ka qenë Vetëvendosja parti e parë.

Image
Sami Blakaj

“Sondazhet politike zakonisht bëhen për matje të opinionit publik dhe për të kuptuar disponimin e qytetarëve, përkitazi me partinë që preferojnë për të udhëheqë me vendin. Në bazë të sondazheve të fundit tanimë duket qartë se Lëvizja Vetëvendosje prinë në këto zgjedhje dhe kësisoj ka një shkëputje prej partive tjera politike”, është shprehur ai.

Sipas Blakajt, VV po përpiqet që të orientojë sa më shumë votuesit e papërcaktuar, drejt partisë së tyre.

“Në këtë drejtim konsideroj se VV këtë epërsi në sondazhe është duke e menaxhuar mirë politikisht dhe është duke u përpjekur që ta orientojë sa më shumë votuesin e papërcaktuar drejt partisë së tyre. Zakonisht votuesit e papërcaktuar janë votues të cilët në shumicë të madhe presin që të votojnë për partinë e cila bindë se do të fitojë”, ka vlerësuar ai.

Analisti tregon se si do të mund të ishin të besueshme sondazhet, derisa shton se sa janë të besueshme, do të shihet me 14 shkurt.

“Sondazhet për të qenë të besueshme do të duhej të kenë një mostër, një metodologji që tregon se studimi është në parametra të besueshëm, me intervale të besueshmërisë dhe në margjina të gabimit. Me fjalë të tjera besueshmëria e një sondazhi duhet bazuar në protokollet e hulumtimeve të opinionit publik. Se sa janë profesionale sondazhet e bëra në Kosovë dhe cila do të jetë margjina e gabimit të tyre, kjo do të shihet këtë të diel, me 14 shkurt”, ka deklaruar Sami Blakaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat