Analistët tregojnë arsyet e rënies së VV-së në sondazhet e fundit

Politika

Analistët tregojnë arsyet e rënies së VV-së në sondazhet e fundit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 shkurt 2021 Në ora: 16:43
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Na ndajnë edhe 2 ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Si në çdo palë zgjedhje të mbajtura në Kosovë, edhe këtë herë gjatë fushatës zgjedhore, kishte debate, akuza, kundër akuza e përplasje në mes partive politike.

Njëra ndër temat që ngjalli debate më së shumti ishin rezultatet e sondazheve të realizuara nga kompani të ndryshme. Të gjitha sondazhet e vendosën Lëvizjen Vetëvendosje parti fituese të këtyre zgjedhjeve, edhe atë me një përqindje të lartë, diku rreth 50 %.

Mirëpo, kjo përqindje e lartë e VV-së në sondazhe, filloi të bie gjatë mbajtjes së fushatës zgjedhore.

Instituti PIPOS ka prezantuar të dhënat e sondazhit përfundimtar për zgjedhjet parlamentare.

Drejtori i këtij instituti, Fisnik Halimi, është shprehur se për përgatitjen e këtij sondazhi kanë intervistuar tre mijë respondentë.

“Margjina e gabimit është 1.7 për qind”, ka thënë ai.

Nga të dhënat e prezantuara, është Lëvizja Vetëvendosje që prin me 40.95 për qind, pasuar nga PDK me 22.03 për qind. Në vendin e tretë është LDK me 19.35 për qind, e katërta AAK me 7.8 për qind, ndërkaq Nisma Socialdemokrate vazhdon të mbetet nën prag me 3.15 për qind.

Këto rezultate nuk i përkasin pretendimeve të larta të Vetëvendosjes, pasi kreu i saj dhe zyrtarët e saj gjatë tërë fushatës zgjedhore, kanë deklaruar se do të i marrin përqindje të votave, të cilat do t’ia sigurojnë 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Njohësit e çështjeve politike, për gazetën “Bota sot” treguan arsyet e rënies së Vetëvendosjes, madje ata paralajmëruan për një rënie edhe më të madhe gjatë 14 shkurtit.

Shahu: Vetëvendosje ka shënuar rënie shkaku i platformave anti-Kosovë

Image
Rexhep Shahu

Publicisti Rexhep Shahu në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deklaroi se po të vazhdonte edhe pak ditë fushata zgjedhore në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje do të pësonte edhe më shumë rënie.

Shahu tha se kjo rënie e VV-së, vjen si pasojë e platformave anti-Kosovë që nxjerr kjo parti, në këtë rast ai përmendi themelimin e një republike të re në Kosovë.

“Të zgjasë edhe pak ditë fushata VV do të rrudhet shumë sepse meriton të rrudhet për shkak të platformave anti-Kosovë që ajo nxjerr. Do të shpallin Republikë të re në Kosovë, kështu shkruajnë VV. Republikën e Albinit, Republikën që do ta themelojë Albini dhe çeta e tij. Kosova sot e gjithë ditën është shtet, është republikë e njohur nga shumica e shteteve të botës dhe nga shtetet kryesore të botës. Por Albini njeh dhe di veç atë Kosovë që e qeveris ai. Tani do të shpallë Republikën Socialiste të Kosovës”, u shpreh Shahu.

Ai i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos e votojnë Albin Kurtin dhe partinë e tij, pasi ky i fundit dëshiron të vijë në pushtet dhe të krijojë shtetin enverist e socialist në Kosovë.

“Ndaj populli në Kosovë duhet t’i jap përgjigje sepse askush nuk ka luftuar as nuk ka vdekur në Kosovë për një shtet socialist e komunist e enverist në Kosovë, askush nuk ka luftuar për një shtet titist të vet administrimit jugosllav. Qytetarët duhet të zgjohen, Albini dhe VV kanë nxirë çdo njeri, kanë shpallë hajdut e kriminel çdo njeri dhe do tani të vije vet në pushtet të krijojë shtetin enverist e socialist në Kosovë, në Kosovën që e ka çliruar Amerika e NATO dhe që e mbron NATO”, theksoi Shahu.

Në fund, Shahu theksoi se VV ka pësuar rënie, pasi Albin Kurti ka qenë kundër të gjithëve, vetëm që ta marrë pushtetin vetë. Ai tha se shamitë e kuqe të lidhura në drunjtë e shesheve të Prishtinës janë sinjal që Vetëvendosje dëshiron të instaloj republikë socialiste, komuniste.

“Albini nuk ia ka bërë Kosovës asnjë argat as në luftë as në paqe, por vetëm ka qenë gjithmonë kundër të gjithëve që të marrë pushtetin vetë. Shqiptarët në Kosovë nuk e duan socializmin e komunizmin e Albinit, nuk duan barazitizmin, nuk duan t'ua kontrollojë jetën shteti as Danielli i Sherkes. Shamitë e kuqe që lidhin drurëve në sheshet e Prishtinës janë lajm i keq për Kosovën, janë lajm se VV do të instalojë republikë socialiste, komuniste. Kështu e mendoj unë rënien e VV-së”, përfundoi Shahu.

Jashari: Këto janë arsyet e rënies së Vetëvendosjes në sondazhet zgjedhore

Image
Shemsi Jashari

Ndërsa, analisti politik, Shemsi Jashari, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka radhitur disa arsye se pse Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar rënie në sondazhet e fundit.

Jashari deklaroi se një nga arsyet mund të jenë se sondazhet e para kanë qenë të fryra dhe jo të sakta. Një tjetër arsye, sipas tij mund të jetë edhe fushata e saj e cila nuk ka pasur program të qartë në asnjë fushë.

“Rënia e pëlqyeshmërisë për Vetëvendosjen në sondazhet e fundit na bënë të mendojmë se ka disa arsye.

E para: mund të jetë se sondazhet e para kanë qenë jo të sakta ose të fryra nga ata që i kanë bërë sondazhet qoftë me vetëdije duke anuar kah LVV, qoftë pa vetëdije duke përdorur metoda dhe mostra të gabuara dhe jo gjithëpërfshirëse.

E dyta: qytetarëve ka filluar të iu bie euforia e fillimit duke parë fushatën e LVV që përveç fjalëve boshe nuk ka program të qartë dhe nuk godet asnjë fushë me terma konkret kohorë për të bërë zgjidhje”, deklaroi Jashari.

Tutje, Jashari përmendi edhe lënien anash të figurave kryesore të Vetëvendosjes, siç janë Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu. Kjo ndodhi sipas tij shkaku që Kurti të gjithë fushatën zgjedhore e bëri me Vjosa Osmanin.

“E treta: aktivizimi i subjekteve tjera nga presioni i fushatave me sondazhe, kanë filluar të shkojnë derë me derë duke de konstruktuarqëndrimet e LVV-së.

E katërta: Albin Kurti tërë fushatën e ka koncentruar ta bëjë vetëm me Vjosa Osmanin e cila dihet se me LVV nuk është për parime por për pushtet, duke lënë anash figurat kryesore të LVV-së, si Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu e tjerë”, nënvizoi analisti.

Në fund, Jashari përmendi edhe sjelljet arrogante të Agim Bahtirit dhe Shpejtim Bulliqit, të cilat konsideron se do t’i kushtojnë Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“E pesta: sjelljet arrogante të eksponentëve të LVV-së, si Agim Bahtiri e Shpejtim Bulliqi do t’i kushtojnë edhe më shumë në rënie të besueshmërisë ndaj LVV-së, pasi qytetari do ta bëjë ndryshimin pozitiv dhe jo ti ndërroj vetë fytyrat e qeveritarëve”, përfundoi Jashari.

Qarri: Vetëvendosje do të shënoi rënie edhe më të madhe gjatë 14 shkurtit

Image
Gani Qarri

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” tha se ajo që shihej si parti e ndryshimeve në vend (Vetëvendosje), me sjelljet e krerëve të saj, po tregon hapur se më shumë është e interesuar për sundimin komunist të Kosovës, se për hallin e qytetarëve.

“Mjerisht ajo që shihej si parti e ndryshimeve në vend, me sjelljet e krerëve të saj, po dëshmon se përveç tendencës për kthimin e Kosovës në ideologjinë hoxhisto-komuniste të 76 viteve më parë, LVV po tregon publikisht, që më tepër se për hallin e qytetarëve, është e interesuar për dëshmimin publik të antisemitizmit të vet, vendosjen e ekstremistëve fetar në krye të shtetit dhe sundimin komunist të Kosovës, nëse vërtetë do të arrijë ti fitojë zgjedhjen në përqindjen që pretendon.

Por siç tregojnë edhe sondazhet e fundit, me veprime të tilla makabre, antishqiptare dhe antipopullore, para një populli i cili ka hallë bukën e fëmijëve dhe mbijetesën, një vend pune qoftë edhe për një anëtar të vetëm të familjes, shkollimin më cilësor të fëmijëve dhe të ardhmen e sigurt të tyre dhe shtetit të Kosovës, LVV, duket se sërish, e ka para-programuar dështimin vet”, theksoi Qarri.

Analisti një nga arsyet e rënies së Vetëvendosjes, e sheh lejimin e kësaj partie për të anëtarësuar persona me përmbajtje të çfarëdollojshme, nga ekstremistët fetar, antisemitët e përbetuar e deri tek komunistët më fanatik

“Praktikimi i ideologjive të huaja, antisemitizmit dhe ekstremizmave fetaro-komuniste nga krerët dhe anëtarësia e VV-së, të dëmshme për popullin dhe shtetin e Kosovës, në fund të fushatës zgjedhore, ku njerëzit, para së gjithash kanë nevojë për punë e zhvillim ekonomik, luftim të korrupsionit e krimit të organizuar dhe për prosperitet e ecje përpara të vendit dhe shtetit të vet, do ta dëmtonte rëndë çdo parti politike dhe jo vetëm Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ende pa shkuar në votime, me të drejtë po merr dënimin e merituar.

Ky do duhej të ishte paralajmërimi i parë se çfarë i pret krerët e indoktrinuar të kësaj partie fetaro-komuniste të cilët, me vetëdije, në anëtarësinë e VV-së, kanë futur "ballgur" me përmbajtje të çfarëdollojshme, nga ekstremistët fetar, antisemitët e përbetuar e deri tek komunistët më fanatik”, nënvizoi Qarri.

Analisti përmendi edhe lidhjen e shamive të kuqe në sheshet e kryeqytetit, të cilat i krahasoi me shiritat e kuq sllavo komunist në Tiranë, si në kohën e Enver Hoxhës. Ai tha se në vend të këtyre shamive më mirë do të ishte sikur Kurti me Konjufcën do ta shpalosnin programin tyre qeverisës.

“Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, edhe në këtë fushatë zgjedhore, në vend të shpalosjes së programit ekonomik, të prosperitetit dhe zhvillimit të Kosovës, po veprojnë njëjtë si komunistët e Enver Hoxhës, në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur partizanët e të cilit lidhnin drunjtë e parqeve të Tiranës me shirita të kuq sllavo komunist, duke paralajmëruar tmerrin që do të vinte për shqiptarët që nuk përqafonin idetë e tyre, në shtetin amë.

Madje përveç përpjekjeve për kthimin e Kosovës në ideologjinë hoxhisto-komuniste të 76 viteve më parë, LVV po tregon edhe antisemitizmin e hapur, që e shprehu publikisht, ish pjesëtari i SHIK-ut, dhe antisemiti i përbetuar shqipfolës Glauk Konjufca”, deklaroi Qarri.

Po ashtu, ai tha se kjo mënyrë e mbajtjes së fushatës zgjedhore, po e dëshmon se Vetëvendosje nuk e ka prioritet popullin e Kosovës, as bashkimin kombëtar, as njohjet e reja, etj. Qarri tha se rënia në sondazhe është plotësisht e drejtë, madje paralajmëroi edhe rënie më ta madhe të VV-së gjatë mbajtjes së zgjedhjeve.

“Në këtë mënyrë LVV edhe në këtë fushatë zgjedhore, po dëshmon publikisht që prioritet i saj nuk është populli i Kosovës as shumica shqiptare, siç ka kohë që për VV-në, nuk është më prioritet as bashkimi kombëtar, njohjet e reja as pranimi i Kosovës në OKB, por antisemitizmi i hapur, ekstremizmi fetar dhe ideologjitë komuniste për të cilat, definitivisht, nuk kanë nevojë Kosova as shqiptarët.

Ndaj rënia në sondazhe, jo vetëm që është e drejtë dhe plotësisht e arsyeshme, por VV, që ditën e mbajtjes e zgjedhjeve, do të bie edhe në votime gjë që do të jetë e mirë për vet Kosovën dhe popullin e saj, për të shpëtuar nga kthetrat e ekstremizmit, antisemitizmit dhe ideologjitë sllavo komuniste, si dhe praktikave tjera të huaja që dëmtojnë edhe më shumë dhe izolojnë edhe më tepër popullin dhe shtetin e Kosovës në EU dhe kudo në botë”, përfundoi Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat