Dialogu Kosovë-Serbi, cilat do të jenë kompromiset për të dyja palët

Politika

Dialogu Kosovë-Serbi, cilat do të jenë kompromiset për të dyja palët

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 13 shkurt 2021 Në ora: 09:25
Ilustrim

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta ketë prioritet dialogun me Serbinë. Ai është shprehur se në një proces negociatash siç është ai mes Kosovës dhe Serbisë, të dy palët duhet të jenë të gatshme për kompromis.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë prioriteti kryesor për cilëndo qeveri të ardhshme. Viteve të fundit, procesi e ka përmirësuar jetën e qytetarëve në të dyja vendet, për shembull në lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë. Mbretëria e Bashkuar e përkrah plotësisht procesin dhe është e gatshme dhe e aftë të përkrahë secilën qeveri për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë”, ka deklaruar ai.

Abbott tutje thënë se marrëveshjet që janë arritur në Bruksel siç është ajo e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duhet të adresohet nga secila qeveri që do të vijë.

“Secila qeveri do të duhet ta adresojë këtë çështje, bazuar në marrëveshjet që ekzistojnë. Është çështje kyçe dhe ndaj saj duhet qasur në mënyrë të hapur si pjesë e ndërtimit të një konsensusi kombëtar për normalizimin me Serbinë”, ka thënë ambasadori.

Dy arsyet e thirrjes për kompromis nga Abbott në dialogun Kosovë-Serbi

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Lidhur me këtë profesori universitar, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se thirrjet e ambasadorëve për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë përsëriten në çdo deklaratë. Ai thotë se kjo ndodhë për arsye se ka të bëjë me diplomatë që i bëjnë presion Kosovës dhe për arsye të krijimit të një pamundësie për reagime dhe kritika. Kështu sipas tij, deklarata e Nicholas Abbot ka për qëllim ruajtjen e balancës diplomatike.

“Thirrjet e ambasadorëve dhe diplomatëve të huaj për kompromis në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë janë të vazhdueshme, përsëriten në çdo deklaratë që ata bëjnë. Kjo ndodhë për dy arsye: E para ka të bëjë me një kategori diplomatësh që i bëjnë presion Kosovës për të lëshuar në sovranitet ose së paku integritetin e vendimmarrjes, duke e ndarë këtë me pakicën serbe ose më saktë me Serbinë. Arsyeja e dytë është thjesht etike, ruajtja në aparencë e ekuilibrit, krijimi i një pamundësie për interpretime, reagime, kritika dhe kundërshti. Unë besoj se deklarata e ambasadorit britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka këtë qëllim. Ruajtjen e balancës diplomatike. Duhet besuar fort dhe për këtë ka dëshmi tashmë të pakontestueshme, se Britania e Madhe është jo vetëm për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës, por edhe për unitarizmin institucional të saj”, ka thënë ai.

Bytyçi ka shtuar se qëndrimi ndaj Rusisë përcakton qëndrimin ndaj Serbisë, kështu çdo përpjekje për t’i kërkuar Kosovë kompromis, është përpjekje për të shpërblyer Serbinë.

Këtë Bytyçi e ka lidhur edhe me thirrjen dy vjeçare të Hashim Thaçit për kompromis me Serbinë, që sipas tij, kjo çonte në ndarjen e Kosovës përmes ndryshimit të kufijve.

“Në Evropë nuk ka kundërshtar më të vendosur të Rusisë sesa Britania e Madhe. Dhe qëndrimi ndaj Rusisë përcakton nga pikëpamja gjeopolitike edhe qëndrimin ndaj Serbisë. Në këto kushte nuk pritet që një përfaqësues i Mbretërisë së Bashkuar të përpiqet për të favorizuar Serbinë në bisedimet e saj me Kosovën. Me këtë dua të them se çdo përpjekje për t'i kërkuar Kosovës kompromis është njëkohësisht përpjekje për të shpërblyer Serbinë. Por për mua jo çdo deklaratë e diplomatëve të huaj duhet përkthyer në një përpjekje të tillë. Ndërkaq ne shqiptarëve na ka tmerruar thirrja dy vjeçare e Hashim Thaçit për "kompromis me Serbinë" dhe pamë se si koncepti i tij për kompromis çonte në ndarjen e Kosovës përmes ndryshimit të kufijve”, ka deklaruar Bytyçi.

Më tej, profesori ka shtuar se ambasadori Abbott duhet të sqarojë projeksionin që kërkon për kompromisin e të dyja palëve, e më pas të vlerësojmë se çfarë do të thotë kompromis për Kosovën.

Ai thotë se të gjitha kompromiset që garantojnë të drejtë e qytetarit janë të domosdoshme, ndërsa kompromiset që ruajnë funksionalitetin e shtetit dhe japin autonomi lokale janë të dobishme.

“Ndërsa kjo eksperiencë me presidentin e vendit na bën të jemi refraktarë dhe sensibël ndaj deklaratave të tilla, ne nuk e dimë se cili është projeksioni i ambasadorit Abbott për atë që ai kërkon, "kompromisin e të dyja palëve"! Do të ishte mirë që kjo ide të qartësohej. Më pas mund të vlerësonim se çfarë do të thotë kompromis për Kosovën. Kompromiset që ruajnë sovranitetin dhe initarizmin e shtetit të Kosovës mund të jenë të nevojshme. Kompromise që thellojnë tiparin e shtetit-qytetar janë të pranueshme. Kompromiset që garantojnë të drejtën e çdo qytetari lirinë e tij, janë të domosdoshme. Marrëveshje që nuk lejojnë diskriminimin e pakicës e as të shumicës janë plotësisht të pranueshme. Kompromise që ruajnë funksionalitetin e shtetit e njëkohësisht japin autonomi lokale bazuar në Kartën e Autonomisë Lokale të Këshillit të Evropës, edhe pse Kosova nuk është anëtare e tij, janë të dobishme", ka vlerësuar profesori për "Bota sot".

Sipas tij, ambasadori britanik e ka fjalën për kompromiset e nevojshme dhe të dobishme. Kështu në të gjitha marrëveshjet në mes Kosovës dhe Serbisë, janë bërë shumë kompromise sa që prej tyre 5 për qind janë serbe.

“Kompromise që ruajnë traditën fetare të secilit komunitet fetar në Kosovë bazuar në sekularizëm, edhe këto kompromise janë të pranueshme. Por kompromise që ndajnë territorin ose krijojnë një shtet të dytë brenda shtetit të Kosovës nuk mund të jenë të pranueshme. Unë besoj se ambasadori britanik e ka fjalën për kompromiset e pranueshme të nevojshme e të dobishme. Megjithatë duhet thënë se në 36 marrëveshjet e nënshkruara midis Kosovës dhe Serbisë prej vitit 2011 e këtej janë bërë aq shumë kompromise, sa me to 5 për qind e popullsisë së Kosovës, sa janë serbët, kanë fituar të drejta, të cilat nuk i kanë popujt shtetformues në federata ose konfederata”, ka theksuar Bytyçi.

Tutje, ai ka bërë një krahasim në mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe me serbët në Kosovë. Ai thotë se në Maqedoninë e Veriut nuk i kanë të drejtat sa serbë i kanë në Kosovë, sa i përket lidhjeve me shtetin. Madje edhe me gjuhën e tyre, sepse në Kosovë gjuha serbe është në të gjitha sinjalitikat e vendit ndërsa në Maqedoni në shumë pak komuna.

“Të marrim shqiptarët në Maqedoninë e Veriut: Ata përbëjnë rreth ose mbi 40 për qind të popullsisë së përgjithshme të këtij vendi. Ata nuk i kanë ato të drejta që 110 mijë serbë kanë në Kosovë sa i përket aplikimit të lidhjeve me shtetin amë apo me respektimin e traditës dhe kulturës kombëtare, duke filluar nga përdorimi i gjuhës. Shkoni në Maqedoninë e Veriut dhe në shumë pak komuna do të gjeni sinjalistikë në të dy gjuhët, shqip dhe maqedonisht. Në Kosovë serbishtja shihet në të gjithë sinjalistikën e vendit, edhe atje ku nuk ka asnjë serb. Dhe mos harroni se përdorimi i gjuhës së 5 për qind të popullsisë në sinjalistikën ku nuk ka asnjë serb ka ndikim psikologjik diskriminues për shumicën”, është shprehur ai.

Profesori ka theksuar se shumica e shqiptarëve kanë pranuar të sakrifikojnë që serbët të ndjehen mirë në këtë vend, madje duke ua mbrojtur edhe pronat nga ndërhyrja e shtetit.

Ai thotë se nëse për këto kompromise u flitet diplomatëve të Perëndimit, nuk do të kërkojnë kompromise në raport me Serbinë, mirëpo përderisa kur ish-presidenti e ka kërkuar këtë, pse jo edhe ambasadorët.

“Megjithatë shqiptarët, për hir të ardhmërisë dhe shtetësisë e kanë pranuar këtë lloj diskriminimi. Kanë pranuar që komunat serbe të krijohen me 500 banorë. Kanë pranuar që pronat e serbëve të mbrohen edhe nga ndërhyrjet e shtetit për nevoja publike. Pra shumica shqiptare prej mbi 90 për qind ka pranuar të sakrifikojë nga vetja që serbët të ndjehen mirë në këtë vend. Nëse diplomatëve dhe qeverive të Perendimit u flitet për këto çeshtje, ata nuk kanë pse të kërkojnë kompromise të tjera në raportet me Serbinë. Por kur vetë ish-presidenti i vendit e ka kërkuar disa vite këtë kompromis me ndryshim kufijsh, pse të mos flasin edhe ambasadorët për një lloj kompromisi të një natyre tjetër”, përfundoi Enver Bytyçi.

SHBA dhe Be duhet propozojnë një draft-marrëveshje që janë të pranueshme për të dy palët

Image
Blerim Burjani

Edhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani ka thënë se e rëndësishme është të dihet se çfarë është kompromisi. Kështu, SHBA dhe BE duhet të propozojnë një draft-marrëveshje që janë të pranueshme për të dy palët dhe të merret seriozisht, por nëse drafti nuk ka sanksionin që pranon kompromise, nuk do të ketë asgjë prej kësaj.

“Me rëndësi është të dihet se çfarë është kompromisi, sepse askush nuk po tregon se cili do të ishte. Asnjë nga të dy palët nuk do të mund të arrijnë asnjëherë një kompromis, dikush duhet të propozojë një draft-marrvëshje të pranueshme për të dy palët. Por, mendoj që këtë duhet ta bëjë partneriteti SHBA –BE. Kështu nëse këto dy palë hartojnë një draft që ata e quajnë kompromis, atëherë palët duhet ta marrin shumë seriozisht, nëse drafti nuk ka sanksionin për atë që nuk pranon kompromisin, nuk do të ketë asgjë prej kësaj pune. Kështu që kërkohet seriozitet posikur edhe detyrim ndërkombëtar. Por, nëse nuk ka detyrim ndërkombëtar, palët kurrë nuk do të arrijn ëmarrëveshje”, ka deklaruar Burjani për "Bota sot".

Ndryshe, SHBA ka filluar angazhimin për dialogun Kosovë-Serbi, derisa së shpejti do të caktojë një emisar special për këtë dhe presidenti Joe Biden së fundmi i ka kërkuar Serbisë njohjen e Kosovës, përmes një letre dërguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat