Krimet serbe në Kosovë të pandëshkuara, edhe 21 vjet pas luftës Kosova nuk e paditi Serbinë për gjenocid - kush do ta bëjë këtë?

Politika

Krimet serbe në Kosovë të pandëshkuara, edhe 21 vjet pas luftës Kosova nuk e paditi Serbinë për gjenocid - kush do ta bëjë këtë?

Nehat Shaqiri  Nga Nehat Shaqiri Më 13 shkurt 2021 Në ora: 10:17
Foto ilustruese

Lufta e Kosovës përballë forcave të armatosura serbe rezultoi me çlirimin e shqiptarëve ndaj tyre. Mirëpo, gjatë kësaj kohe në Kosovë, Serbia kishte kryer gjenocid ndaj popullit shqiptar. Ata kishin vrarë e masakruar gra, pleq e fëmijë.

Pra civilët shqiptarë ishin cak i kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Gjatë luftës 1998-1999, Kosovës iu vranë rreth 14 mijë persona, iu dhunuan 20 mijë persona, 400 gra dhe vajza shqiptare.

Gjithashtu u dëmtuan dhe u shkatërruan tërësisht 128 mijë shtëpi e mbi 360 objekte shkollore, derisa rreth 900 mijë shqiptarë u dëbuan dhunshëm. Një dëbim i qytetarëve të Kosovës u vazhdua edhe në shkurtin e vitit 2000, ku u vranë 11 persona dhe u dëbuan 11 mijë e 364 shqiptarë nga shtëpitë e tyre në Mitrovicë. Edhe pas gjithë këtyre krimeve që bëri shteti serb në Kosovë, akoma nuk ka kërkuar falje. Serbia tash e cila udhëhiqet nga Aleksandër Vuçiq, i cili po e ndjek rrugën e kasapit Millosheviq, ende nuk e ka ndërmend që ta bëjë këtë.

Madje, kryetari i Kuvendit serb, Ivica Daçiq dhe plotë politikanë të tjerë serbë po i mohojnë krimet e tyre në Kosovë, përkundër që kemi mijëra fakte që ato kanë ndodhur. Pas gjithë këtij bilanci tragjik për Kosovën, shteti ynë ende nuk ka bërë një dokumentacion të plotë, ku do të paditke Serbinë. Shumë dhimbje, vuajtje, trauma ndodhën në Kosovë.

Madje as të gjitha viktimat e gjenocidit serb nuk janë gjetur akoma, Pra, kaluan 21 vjet nga lufta e përgjakshme, në të cilën Kosova përjetoj gjenocid të tmerrshëm në historinë e saj të shkaktuar nga regjimi serbo-sllav, megjithatë autoritetet e Kosovës, ende nuk e kanë bërë as hapin më të vogël për ta paditur Serbinë për të gjitha krimet që i ka bërë në Kosovë.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili tash është i dyshuar dhe akuzohet në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, si dhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, kishte deklaruar se Kosova shumë shpejt do të ushtrojë padi ndaj Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, megjithatë shteti i Kosovës, ende nuk ka ndërmarr asnjë hap konkret në këtë drejtim. Ishte shkurti i vitit 2014, kur Hashim Thaçi, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës, kishte deklaruar se Kosova do të ngre padi ndaj Serbisë për pagimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës në periudhën 1998-99.

Ai pati deklaruar se Kosova do ta dërgojë këtë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por që nga ajo kohë nuk dihet se është bërë diçka në këtë drejtim. Këtë premtim Thaçi nuk e bëri as në kohën kur ishte President i Kosovës. Madje, ai tash akuzohet në Gjykatën Speciale për krime kundër njerëzimit.

Për 21 vjet Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, përmes të cilit do ta vinte para drejtësisë Serbinë për krimet e shkaktuara në Kosovë dhe për dëmet materiale. Sipas njohësve të çështjeve politike Kosova ka pasur mjaft fakte për ta paditur Serbinë për gjenocid, krime lufte apo të paktën për dëmet gjatë luftës, por kjo nuk është bërë as pas pavarësimit të Kosovës.

Sipas Statutit të Romës, neni 5, gjyqësia e ICC-së - GJNP-së zbatohet në këto fusha: në krime kundër njerëzimit, krime të luftës dhe agresionit etj. Për dallim nga gjykatat ad hoc, që kanë përparësi nga gjykatat kombëtare, për ICC-në (GJNP-në), sipas nenit 1 të statutit të saj, vlen principi i gjyqësisë plotësuese apo komplementare. Kushtet për aktivizimin e kësaj gjykate janë të sanksionuara në nenin 17 të Statutit të Romës.

Shteti i Kosovës me gjithë kapacitetet që ka duhet ta adresojë çështjen e personave të pagjetur si prioritet në vazhdimësi, madje të gjitha krimet e ushtruara nga Serbia ndaj Kosovës kanë emër e definicion se çka janë ato dhe si janë bërë ato. Kosova me patjetër duhet të përgatis veten e saj që në momentin e parë ta akuzoj Serbinë për të gjitha llojet e krimit të bëra ndaj shqiptarëve.

Llojet e krimit ndaj Kosovës e shqiptarëve kanë qenë prej aparteidit, agresionit kushtetues, agresionit ushtarak, helmimeve, dhunimeve, vrasjeve, masakrave e deri te djegia e mbetjeve mortore, si akti më i lartë i krimit, pra tentimi për zhdukjen e fakteve, e mos të flasim për shkatërrimin e pasurisë shoqërore e individuale deri në zero.

Duhet një ndërgjegjësim më i madh i institucioneve shtetërore në këtë drejtim dhe shteti duhet të shoh me më kujdes këtë çështje, kur dihet se në shumë lokalitet forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe kanë kryer gjenocid. Është për çudi qysh nuk mblidhen të gjitha faktet që janë në Kosovë, për të paditur shtetin serb. Ka shumë libra të publikuar me fotografi, emra e mbiemra të kriminelëve serbë, por q ato mbeten vetëm të shkruar në sirtarët e librave.

Vetëm në internet po të kërkohen shfaqen mijëra fakte, fotografi e video për krimet serbe në Kosovë, por aq nuk janë mbledhur për të dokumentuar në arenën ndërkombëtare një fakt të tillë dhe për të kërkuar nga shteti serb, kërkim falje dhe dëmshpërblim. Megjithatë, mbetemi me shpresë së një padi kundër Serbisë të bëhet nga shteti ynë. Sa më shpejt, aq më mirë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat