SHBA drejt finalizimit të dialogut, Serbia do të bindet për njohjen e Kosovës

Politika

SHBA drejt finalizimit të dialogut, Serbia do të bindet për njohjen e Kosovës

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 shkurt 2021 Në ora: 17:03
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Dialogu Kosovë-Serbi po vazhdon të mos finalizohet me një njohje reciproke mes dy shteteve.

Edhe pse më 4 shtator të vitit që po lëmë pas, u bë nënshkrimi i marrëveshjes ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, kjo nuk arriti që të normalizojë marrëdhëniet mes dy shteteve, përkundrazi edhe pse në marrëveshje nuk i lejohet Serbisë për 1 vit të provokojë shtetin e Kosovës ose të lobojë kudër saj, kjo nuk u respektua deri tani.

Nënshkrimi i marrëveshjes së 4 shtatorit u bë në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e ish presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili qëndroi në mes të delegacionit shtetëror të Kosovës, të kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti dhe delegacionit serb të kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Kjo marrëveshja e arritur ishte e karakterit ekonomik dhe nuk përfshihu pikën e shumëpërfolur të njohjes reciproke.

Por pavarësisht kësaj, situata mes Kosovës dhe Serbisë ka arritur të marrë vëmendjen e shteteve evropiane e padyshim edhe të Amerikës, duke u përqendruar në finalizimin e një marrëveshje për njohje reciproke.

Amerika tashmë në krye me presidentin Joe Biden, është fokusuar mjaft shumë për një zgjidhje sa më të shpejtë, që do t'i konvenojë Kosovës edhe Serbisë, shkruan “Bota sot”.

Së fundmi shefi i diplomacisë amerikane, Anthony Blinken, e ka paralajmëruar shqyrtimin e mundësisë për emërimin e një Emisari Special për rajonin.

“Në seancën dëgjimore në Senatin e Komitetit për Punë të Jashtme, Sekretari Blinken ka thënë se “nëse konfirmohem, unë me kujdes do ta shqyrtoj çështjen e emërimit të një të dërguari special për rajonin”, ka deklaruar kur është pyetur nëse do të emërohet një i dërguar special për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Voca: Ballkani Perëndimor është kthyer prapë si prioritet në Politikën e jashtme amerikane

Image
Mirsad Voca

Doktori i shkencës dhe ligjëruesi i Gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca, për gazetën “Bota sot”, ka folur në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Sipas tij, Biden ka treguar se është serioz në lidhje me këtë proces, derisa këtë e ka treguar edhe me letrën që i dërgo presidentit serb, duke i kërkuar njohje reciproke.

“Me J. Biden si President të SHBA, dialogu Kosovë-Serbi do të bëhet më serioz dhe konstruktiv. Siç theksoi edhe vet J. Biden në letrën e tij dërguar Presidentit serb, do të duhet që patjetër të kemi njohje reciproke në mënyrë që të kemi dialog për një normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete që njohin njëri tjetrën. Vetëm me këtë konfigurim do të mund të krijohet një raport konstruktiv në mes dy vendeve, dhe si zgjidhje pa alternativë tjetër, vetëm si e tillë do të krijonte paqe dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin perëndimor”, u shpreh Voca.

Dialogut Kosovë-Serbi nuk mund t'i japim afat se kur do të përfundojë

Tutje, profesori thotë se Biden është duke u treguar shumë i qartë në lidhje me dialogun e Kosovës me Serbinë, mirëpo që afat se kur do të përfundojë nuk mund ta dimë, mirëpo tashmë Ballkani perëndimor është kthyer në prioritet të politikës së jashtme amerikane.

“Këtë Z. Biden e ka parasysh mjaft qartë dhe natyrisht se qasja e tij do të zhvillohet në këtë drejtim, pra që të bindet Serbia që ta njoh Kosovën. Edhe i deleguari i tij do të merret me këtë mision, afatin e të cilit nuk mund ta paragjykojmë, mirëpo një gjë është mjaftë e sigurt, se tani Ballkani perëndimor është kthyer prapë si prioritet në Politikën e jashtme amerikane”, deklaroi ai.

Ndër të tjera, ligjëruesi potencon që Biden ka biseduar me Merkel për të harmonizuar strategjitë e tyre në lidhje me këtë pjesë të Ballkanit, duke mos lënë hapësirë për tensione dhe jostabilitet që po mundohet të krijojë Rusia së bashku me Serbinë.

“Po ashtu, J. Biden bisedoi edhe me A. Merkel, për të harmonizuar strategjitë e tyre lidhur me këtë pjesë të Ballkanit, ku ndikimi rus po krijon hapësirë për tensione dhe jostabilitet. Ky ndikim, përmes Serbisë, po e mban më së shumti këtë të fundit peng dhe larg BE-së, larg njohjes së Kosovës dhe zhvillimit ekonomik rajonal, procese këto që do të duhej të mbylleshin sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundoi Voca për “Bota sot”.

Ahmeti: Shteti i Kosovës duhet të ketë një qasje strategjike në dialogun me Serbinë

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, u shpreh se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar me një qasje të mbrapshtë nga shteti i Kosovës, duke e fuqizuar Serbinë.

Ahmeti thotë që shteti i Serbisë duhet të jetë i vetëdijshëm për dëmet materiale e njerëzore që i ka shkaktuar Kosovës, duke shtuar që gjuha e kërcënimeve të Serbisë nuk i ndihmon asaj të anëtarësohet në BE.

“Dialogu Kosovë-Serbi është dëshmuar se ka qenë një qasje mbrapshtë nga institucionet e Republikës së Kosovës, duke fuqizuar Serbinë në raport ndërkombëtarë e duke gjunjëzuar Kosovën karshi Serbisë. Shteti serb duhet të jetë i vetëdijshëm për dëmet materiale e njerëzore që i ka bërë Kosovës, e njëherë e përgjithmonë duhet të largohet nga logjika hegjemoniste, kërcënuese e shantazhuese, por duhet të zhvillojë një real politikë karshi Kosovës. Shteti serb duhet të jetë konstruktiv në procesin e dialogut, pasi raportet e mira ndërfqinjësore janë kusht për procesin e anëtarësimit në BE. Gjuha e kërcënimit nuk i ndihmon logjikës së dialogut në mes shteteve, por as së ardhmes së popujve të të dyja vendeve”, potencon analisti për "Bota sot".

Sipas tij, politika hegjemoniste e Serbisë nuk ka ndryshuar karshi Kosovës duke vazhduar të shpërfaqë logjikën e dhunës e kërcënimeve.

Ai vlerëson se edhe pse janë vonuar në këtë drejtim, institucionet e Kosovës e kanë imperativ të kohës, që ta hartojnë një strategji për vazhdimin e dialogut sa më shpejtë që është e mundur.

“Politika hegjemoniste serbe nuk ka ndryshuar karshi Kosovës, pasi Serbia në vazhdimësi po shpërfaqë logjikën e dhunës, kërcënimit e shantazhit. Në njërën anë, Serbia duhet të bëjë kërkim falje për vrasjet, masakrimet, dhunën sistematike, dëmet materiale dhe të pagjeturit e jo të zgjedhë rrugën kërcënimit. Serbia në vazhdimësi propagandon duke e luftuar Kosovën në të gjitha aspektet, kurse klasa politike udhëheqëse në Kosovë hezitojnë të thonë të vërtetat për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë. Edhe pse janë vonuar në këtë drejtim, institucionet e Kosovës e kanë imperativ të kohës që ta hartojnë një strategji për vazhdimin e dialogut sa më shpejtë që është e mundur, e jo të dalin me fraza boshe të cilat përveç manipulimit me opinionin në intencë nuk kanë asgjë substanciale”, ka theksuar Hidajet Ahmeti.

Deklaratat për njohje reciproke po dezinformojnë qytetarët e Kosovës

Më tej, Ahmeti flet edhe për qasjen e SHBA-së, e cila do të bëjë të pamundurën për ta bindur Serbinë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur, por që mes dy shteteve ka ende çështje të hapura të cilat kërkojnë kohë.

“Edhe pse SHBA-ja do ta bëjë të pamundurën në forma të ndryshme për ta bindur Serbinë që ta njohë Kosovën si shtet, por në realitetin faktik politik njohja reciproke është një frazë politike që brenda vetes nuk ka asgjë të vërtetë, pasi që bisedimet nuk janë në stadin për të cilën spekulojnë krerët shtetëror. Me shtetin serb ka shumë çështje të hapura të cilat kërkojnë kohë, por mbi të gjitha ne si shtet duhet të kemi një strategji për dialog, e cila brenda vetes do kishte objektiva të qarta dhe qëllimin final”, është shprehur ai.

Sipas Ahmetit, shteti i Kosovës duhet të ketë një strategji për dialogun me Serbinë, në mënyrë që të përfaqësohet si një ekip uniteti e profesionistësh, pasi Serbia vepron me logjikën e kërkesave të mëdha për të fituar pak.

“Me këto deklarata për njohje reciproke po dezinformohen qytetarët e Kosovës, duke u munduar që të shpërqendrojnë qytetarët nga problemet reale dhe njëkohësisht të ikin nga përgjegjësia institucionale që kanë. Gjykoj se pa strategji për dialog dhe një ekip uniteti e profesionistësh, Kosova si shtet nuk mund të përfaqësohet me nder e përgjegjësi , pasi Serbia vepron më logjikën e kërkesave të mëdha për të fituar pak, e të cilat kërkesa dëmtojnë substancën e parimeve të shtetit modern”, ka përfunduar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat