Këto janë sfidat që e presin Qeverinë e re

Politika

Këto janë sfidat që e presin Qeverinë e re

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 shkurt 2021 Në ora: 19:38
Foto ilustrim

Kosova në gjysmën e dytë të vitit 2019 ishte pa institucione funksionale, që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pasi që ky i fundit u ftua për intervistim nga Gjykata Speciale.

Fundi i vitit 2019 dhe kalimi në vitin 2020, Kosovën e gjeti me një qeveri të përbërë nga LVV dhe LDK, koalicion ky që zgjati shumë deri sa u arrit, por që pavarësisht kësaj nuk arriti të mbijetojë dhe u rrëzua me një mocion mosbesimi nga ana e LDK-së.

Gjithçka filloi kur në atë kohë kryeministri në detyrë, Albin Kurti largoi nga posti i ministrit të brendshëm, Agim Veliun, për shkak të disa deklaratave që ky i fundit bëri në një emision televiziv.

Këtë largim nga posti nuk e pa të arsyeshme aspak LDK, edhe pse të dy partitë po udhëhiqnin bashkë vendin.

Ky vendim i Kurtit ishte “mollë sherri”, që më pas koalicioni mes dy partive të bie, pastaj ishin edhe disa arsye që sipas LDK-së, Kurti po rrezikonte marrëdhëniet me SHBA-të, shkruan “Bota sot”.

Kështu, në mars të 2020, në një seancë mbi dhjetë orësh në Kuvendin e Kosovës, 82 deputetë votuan pro mocionit për rrëzimin e qeverisë, të iniciuar nga partneri i koalicionit LDK, qeveri kjo që qëndroi vetëm 50 ditë.

Pas rrëzimit të LVV-së, vendi u gjend përsëri përballë një gjendje të vështirë e sidomos edhe me gjendjen pandemike, e cila kishte kapluar gjithë botën. Pra, Kosova ishte në një gjendje pa qeveri dhe e rrezikuar nga kaplimi i virusit COVID-19. Në këtë situatë të krijuar më pas, me 61 vota pro, 24 vota kundër dhe 1 abstenim, në Kuvendin e Kosovës u votua Qeveria e koalicionit LDK-AAK-Nisma-minoritetet, me kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për të mos u mjaftuar me gjithë këtë, nga Gjykata Speciale erdhi ftesa për t’u paraqitur edhe presidenti i Kosovës në atë kohë, Hashim Thaçi, i cili u detyra të jap dorëheqje nga posti i kreut të shtetit. Kështu, në vend të tij si ushtruese e detyrës kaloi Vjosa Osmani, e cila ishte dhe kryetare e Kuvendit.

Por as qeveria e krijuar pas VV-së, nuk arriti të qëndrojë as edhe një 1 vit të plotë, kjo pasi vota e deputetit Etem Arifit u konsiderua e pavlefshme, për shkak se ai kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.

Duke qenë në një situatë pa qeveri, ushtruesja e postit të presidentit, Vjosa Osmani shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen me 14 shkurt.

Nesër qytetarët e vendit do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre duke shpresuar që qeveria e cila do të zgjedhet, të mbrojë interesat e tyre dhe t'i përfaqësojë ata në mënyrën më të denjë të mundur.

Mirëpo, se cila qeveria të vije në pushtet, e presin shumë sfida, duke filluar nga pandemia, e cila ende është e pranishme në vendin tonë e deri tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që nuk po arrin të finalizojë një marrëveshje me njohje reciproke.

Njohësit e çështjeve politike për gazetën “Bota sot”, vlerësojnë se cilado qeveri që vjen në pushtet, duhet të jetë në interes të qytetarëve, duke mos harruar që edhe me shtetin e Serbisë nuk duhet të bëhet asnjë lëshim që do ta dëmtojë vendin tonë.

Shahu: Qeveria e ardhshme duhet të mbrojë Kosovën nga aventurierët e politikës

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për sfidat që e presin qeverinë e ardhshme që do të kalojë në krye të vendit.

Image
Rexhep Shahu

Shahu tha që nëse fitojnë forcat pro-amerikane është t'i shprehet mirënjohje Amerikës ndërsa nëse fitojnë forcat pro ruse-turke-arabe, detyra e parë është heqja e Ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi.

Gjithashtu analisti thotë që detyrë tjetër do të ishte qeveria e cila do të qeverisë me vendin, të kërkojë ndjesë nga populli për mashtrimet që janë bërë në fushatën parazgjedhore.

“Nëse fitojnë forcat pro amerikane detyra e parë e qeverisë është të shprehë mirënjohje Amerikës, ndërsa fitojnë forcat pro ruse-turke-arabe, detyra e parë është më heqë Ambasadën e Kosovës nga Jerusalemi. Detyrë tjetër madhore e qeverisë do të ishte t'i kërkojnë ndjesë popullit për mashtrimet që kanë bërë në fushatë, për shpifjet, për nxirjen e gjithkujt. Kosova funksionon si shtet, nuk do të krijojë shtet qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet”, potencoi Shahu.

Më tej, Shahu thotë që cilado qeveri që do të vije duhet ta mbrojë shtetin e Kosovës dhe të tregojë që jo se gjithë zyrtarët e shtetarët vjedhin.

“Qeverisë i duhet ta mbrojë shtetin, Kosovën që aventurierë e politikës duan ta detyrojnë botën ta vërë në dyshim ekzistencën e Shtetit të Kosovës. Ata që vjedhin vetë ata mendojnë se çdo qytetar i Kosovës veç vjedh, çdo zyrtar veç vjedh. Ka abuzime e korrupsion kudo por nuk është e vërtetë se gjithë zyrtarët e shtetarët veç vjedhin. Këtë doja ta qartëson të qeveria e re, tua tregonte qytetarëve”, vlerësoi Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Kelmendi: Arritja e koalicionit mes partive politike do të jetë sfida më e rëndë e qeverisë së ardhshme

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, lidhur me sfidat e qeverisë së ardhshme, ka thënë se sfida e parë që do ketë qeveria do të jetë ndërtimi i koalicionit mes partive politike, pasi që ka pasur shumë konflikte mes tyre.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, çdo parti është mbyllur në vete dhe të tjerat dalin si armike për vend dhe se kjo e ka bërë shumë të rëndë ndërtimin e koalicionit.

“Zgjedhjet bëhen apo zhvillohet, në mënyrë që qytetarët të japin votën e tyre sipas mendimeve të krijuara dhe programeve politike, nëse i kanë partitë, që të dalin format e ndërtimit të pushtetit. Nga vota caktohen partitë për të krijuar pushtetin në kuadër të Republikës së Kosovës. Dhe, nëse nga vota, nuk del partia mbi 51%, sfida e parë dhe shumë e rëndë është ndërtimi i koalicionit për pushtet. Midis partive politike në Kosovë ka shumë fërkime dhe konflikte. Çdo parti është mbyllur në vete dhe të tjerat dalin si armike për vend. Kjo ka bërë shumë të rëndë ndërtimin e koalicionit. Këtu edhe del sfida më e madhe në vend”, ka potencuar Kelmendi.

Profesori ka cekur 9 sfidat që e presin qeverinë e re, duke filluar nga çështja ekonomike e cila është e vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, e më pas është edhe punësimi që duhet të jetë një rrogë 380 euro në muaj neto, duke mos lënë anash as gjendjen e arsimit që kërkon një ndërtim të të gjitha niveleve.

9 sfidat që e presin Qeverinë e ardhshme

“Mirëpo pas ndërtimit të pushtetit, e këtu kuptohet qeveria, kryetari i Kuvendit dhe presidenti, për qeverinë dalin një numër i detyrave të rënda. Këtu mendoj:
1. Çështja ekonomike në vend në këtë pandemi dhe pas kësaj për të ecur përpara. Këtu lypset me dhënë impulse në ruajtjen dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit.
2. Punësimi dhe mbrojtja në punë duke futur këtu me ligj të ardhurat minimale personale. Ato duhet të jenë 380 euro në muaj neto. Por krahas kësaj duhet në mënyrë urgjente të ndikohet në gjendjen e sigurimeve pensionale dhe të sigurimeve shoqërore e sociale.
3. Ndërtimin e një arsimi te të gjitha nivelet të kualifikuar dhe që i përgjigjet gjendjes në vend, si në fushën ekonomike, ashtu edhe në atë shoqërore, sociale, politike e teknike. Kosovës nuk i duhet arsimi për të marrë mjete financiare subjektet e ndryshme dhe për të krijuar hiper prodhim, madje shumë të dobët, në fushat që nuk i duhen vendit. Këtë duhet ndalur”, thotë Kelmendi.

Duke vazhduar më tej, Kelmendi përmend edhe sigurimin shëndetësor që duhet të jetë për të gjithë të punësuarit, pastaj ndërtimi i shpejtë dhe modern i FSK-së, sepse Kosova po vazhdojë të jetë i kërcënuar nga shteti i Serbisë, derisa përmend edhe dialogun me Serbinë, në të cilin nuk duhet të bëhet asnjë lëshim.

“4. Në mënyrë urgjente të krijohet një sigurim shëndetësor obligativ për të gjithë të punësuarit, pavarësisht sektorit, e kryesisht të sektorit privat, ku ka vjedhje dhe keqpërdorimet të mëdha të punësuarve.
5. Ndërtimin e shtetit ligjor në të gjitha segmente e shtetit.
6. Krijimin e një baze të shëndoshë në fushën administrative, sepse atje kemi shumë çka, por jo aktualitet punësim sipas kualiteteve.
7. Ndërtimin e shpejtë dhe modern të FSK-së. Kosova po kërcënohet vazhdimisht nga shteti serb. FSK kërkohet të armatosim me mjete të nevojshme mbrojtës dhe të rritim kualitetin në strukturën e oficerëve. Kërkohet të futet domosdo shërbimi ushtarak i domosdoshëm
8. Ndaj shtetit serb të veprohet si shtet dhe asnjë lëshim mos të bëhet në çfarëdo fushe kundër këtij shteti kriminal. Këtu mendoj edhe në kompensimin e dëmit material dhe në dëmshpërblimin”, nënvizoi profesori.

Sfida e fundit mirëpo jo më pak e rëndësishme, sipas Kelmendit është krijimi i një Tribunali gjyqësor kundër shtetit serb, për të kërkuar përgjegjësi ndaj këtij shteti dhe të kriminelëve serbe që bënë dhunë. Sepse sipas tij mos dënimi po e forcon më shumë klikën kriminale në Beograd.

“9. Domosdo të kërkohet që nga UE dhe SHBA të punohet për të krijuar një Tribunal gjyqësor kundër shtetit serb, për të kërkuar përgjegjësi ndaj këtij shteti dhe të kriminelëve serbe që bënë dhunë, terror, përdhunime e krime gjenocidiale. Kurrë Kosova dhe Ballkani nuk stabilizohet pa i dhënë shtetit serb një mësim juridiko-penal për gjenocidin e bërë në Kosovë, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kroaci. Mos dënimi po e forcon klikën kriminale në Beograd. Kemi edhe shumë sfida të tjera, por i takon qeverisë t'i analizojë dhe të përcaktojë prioritetet. Unë i përmenda sfidat më kryesore dhe pa të cilat asnjë qeveri nuk mund të eci”, përfundoi për “Bota sot”, profesori Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat