Zhvillime dramatike në LDK, veprimtari ‘zbulon’ përgjegjësit për humbjen e madhe – jep emrin se kush duhet të vije në krye të kësaj partie

Politika

Zhvillime dramatike në LDK, veprimtari ‘zbulon’ përgjegjësit për humbjen e madhe – jep emrin se kush duhet të vije në krye të kësaj partie

Nga: N. H Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 23:03
Lidhja Demokratike e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, paralajmëroi se do të tërhiqet nga posti, pas rezultatit të partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

“Së shpejti, Kuvendi i LDK-së do ta zgjedhë kryetarin e ri”, tha Mustafa në një konferencë për media në Prishtinë.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LDK-ja ka dalë partia e tretë në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se Kujtim Shala është figura më eminente për pozitën e të parit në Lidhjes Demokratike të Kosovës.

E, për dorëheqjen e Mustafës, ai shprehet se ishte një veprim logjik i një lideri të përgjegjshëm.

Image
Fatmir Bajraj

“Dorëheqja e kryetarit Isa Mustafa, akt moral dhe i përgjegjshëm. Akademik Kujtim Shala, figura më eminente për pozitën e të parit në LDK, figurë dhe personalitet i shquar në dije, shkencë dhe politikëbërje, konsistenca politike e të cilit është provuar katërçipërisht nder vite, përfshi edhe kulturën dhe frymën filozofike rugoviane. Tani më, pas një rezultati katastrofal të LDK-së në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit 2021, dorëheqja e kryetarit të LDK-së, akademik Isa Mustafa ishte një veprim logjik i një lideri të përgjegjshëm dhe me një eksperiencë të gjatë në jetën politike dhe institucionale të vendit. Dorëheqja e Kryetarit Mustafa, është reflektim pas leximit të drejtë të rezultatit zgjedhor të LDK-së, rezultat ky më dëshpëruesi në gjithë historikun e partisë, që nga themelimi i saj me 23 nëntor 1989 dhe deri me 14 shkurt 2021”, ka thënë Bajraj.

Tutje, ai është i mendimit se përgjegjësinë për humbjen e thellë në këto zgjedhje e mbanë e gjithë shtrirja organizative e partisë.

“Humbja e rëndë e LDK-së, nuk është e determinuar nga një njeri, dhe në këtë rast, as nga kryetari i saj, akademik Isa Mustafa, zaten nuk kërkohet “kokë turku” për dështimin, për faktin se LDK-ja është dhe mbetet parti demokratike e cila promovon vlera unike në drejtim, vendimmarrje dhe në përgjegjësi kolektive dhe ekipore, duke respektuar standarde të larta të demokracisë parlamentare perëndimore dhe në veçanti të grupimit politik të PPE-së, anëtare e së cilës është LDK-ja. Natyrisht se përgjegjësinë për humbjen e thellë në këto zgjedhje e mbanë e gjithë shtrirja organizative horizontale e partisë dhe mbi të gjitha shtrirja vertikale e saj, përfshi Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë e LDK-së dhe vetë i pari i saj, akademik Isa Mustafa, cili edhe ka dhënë dorëheqje në shenjë përgjegjësie ndaj rezultatit të dobët të LDK-së me 14 shkurt 2021”, ka thënë ai.

Në fund, Bajraj shprehet se kjo parti duhet të thërras Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së, sa më parë, si organi ma i lartë, ligjvënës i partisë për të marrë mbi supe procesin e reformimit dhe strukturimit.

“Pas këtij akti ndërgjegjësimi dhe reflektimi të Kryetarit Mustafa, një reflektim imediat pritet të ndodhë edhe në hallkat tjera zingjirore të udhëheqjes dhe drejtimit, në mënyrë që ri-kthimi i besimit të elektorati të jetë i bazuar dhe i prekshëm. LDK-së, i duhet një “katarsis” i cili do fuziononte këndelljen. Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga ana e organeve kushtetuese, me ç’rast, do kemi një pasqyrë reale dhe objektive e cila portretizon fuqinë dhe mbështetjen politike të elektoratit për kandidatet e LDK-së, kjo e fundit duhet të thërras Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së, si organi ma i lartë, ligjvënës i partisë për të marrë mbi supe procesin e reformimit dhe strukturimit të LDK-së, konform nevojës imediate dhe zgjedhjes së Kryesisë dhe lidershipit të saj në një garë të lirë dhe demokratike”, ka deklaruar Bajraj, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat