Humbja dhe dorëheqjet në LDK/ Profesori parashikon – ky lider do ta rikthente fuqishëm LDK-në

Politika

Humbja dhe dorëheqjet në LDK/ Profesori parashikon – ky lider do ta rikthente fuqishëm LDK-në

Nga: N.SH Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 15:12
LDK

Të dielën e shkuara përfundoi procesi i votimit dhe brenda disa orësh Kosova mësoi se kush janë fituesit dhe kush humbësit e zgjedhjeve.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani rezultuan si fituesit e këtyre zgjedhjeve, ndërkohë që Partia Demokratike dhe AAK pësuan humbje, ndërsa Lidhja Demokratike pësoi katastrofën elektorale më të madhe në historinë e saj.

Kështu ka vlerësuar profesori universitar Enver Bytyçi, i cili thotë se, partia e Isa Mustafës humbi brenda 17 muajve më shumë se gjysmën e vendeve në parlamentin e Kosovës, duke u radhitur në vendin e tretë nga katër parti që mundën të hyjnë në kuvendin e Kosovës.

Sipas profesori, fitorja më e madhe e Kosovës është leksioni demokratik që ajo i dha rajonit, sidomos Shqipërisë së Ramës dhe Serbisë së Vuçiq për zhvillimin normal të zgjedhjeve, pa manipulime, pa blerje e shitje votash, pa kërcënime, pa akuza dhe shpifje.

“Dalja brenda disa orësh e rezultatit zgjedhor është gjithashtu shuplakë dhe mësim i mirë për procesin e numërimit në Shqipëri”, thotë profesori për gazetën “Bota sot”. “Ndërkaq mendoj se humbja më e madhe ka ndodhur me Lidhjen Demokratike. Kjo e gjitha për fajin e kryetarit të saj, Isa Mustafa. Zoti Mustafa pranoi të luajë lojëra të fëlliqta politike, edhe pse dihej se për këto do të merrte një ndëshkim të rëndë. Sikur të ndëshkohej vetëm ai, të gjithë do të ishin të lumtur. Por ju siguroj se nuk janë të lumtur një numër shumë i madh i votuesve në Kosovë për faktin që u ndëshkua Lidhja Demokratike, edhe pse nuk e votuan atë për shkakun e intrigave të Isa Mustafës”, potencon profesori.

Ai shton se, Isa Mustafa është intrigant dhe i rrezikshëm e provoi edhe ditën e "vdekjes së tij politik".

“Ai shkoi në kryesi dhe dha dorëheqjen. Dhe në vend të ndjesës, si me krenari u tha anëtarëve të kryesisë se "Të gjitha përgjegjësitë do i merrte ai"! Ishte kjo deklaratë një mashtrim i madh, sepse në vend të përgjegjësisë thjesht bëri një ngushëllim për besnikët e tij në LDK. Madje me paturpësi propozoi edhe pasardhësin e tij. Nuk ka rëndësi emri që propozoi. Por është absurd akti, fenomeni. Edhe diktatorët nuk bëjnë rekomandime publike për pasardhësit e tyre. Isa Mustafa po”, shton ai.

Sipas tij, në fakt, në vend që ta ndihmonte kandidaturën që propozoi, e ka vënë atë në vështirësi të mëdha.

“Sepse, nëse zgjidhet do të shihet deri ditën e fundit si amanet i dështakut të madh, Isa Mustafa. Nuk ndodh që një lider, i cili merr përgjegjësitë për një dështim dramatik si ky i fundit në zgjedhjet e 14 shkurtit, të ketë legjitimitet dhe të drejtë morale të propozojë pasardhësin e tij. Kjo është jashtë çdo logjike. Por pse e bëri Isa Mustafa këtë veprim. Me qëllim që ta përçajë edhe më tej Lidhjen Demokratike. Me qëllim që rënia e saj të jetë e lirë deri në zhdukje. Me sa duket ai kishte për qëllim eliminimin përfundimtar të LDK-së dhe ka frikë se pas dorëheqjes së tij mund të fillojë ringritja”, thotë ai.

Profesori thekson se, Lidhja Demokratike ka nevojë për ta rikthyer besimin te vetja.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka mundësi dhe resurse të jashtëzakonshme për ta bërë këtë. Por nuk mund të kthehet besimi te LDK nëse vijnë në krye të saj besnikët e Isa Mustafës. Në krye të saj duhet të jetë një kundërshtar i njohur i tij. Qytetarët e Kosovës duhet të besojnë te ai që do ta udhëheqë Lidhjen Demokratike. Por askush nuk mund të besojë te një pasardhë si propozuar nga Isa, kushdo qoftë ai. Askush nuk mund të besojë te aktorët e krizës së rrëzimit të qeverisë Kurti në LDK, sepse ky ishte shkaku i rrënimit të saj elektoral”, shton ai.

Ai thekson se, duhet të vijë dikush i besueshëm jo vetëm për anëtarët e LDK-së, dikush te i cili do të besojë Kosova.

Naser Rugova bëri thirrje që të thirret Vjosa Osmani për ta marrë drejtimin e Lidhjes Demokratike. E konsiderova si një lëvizje shumë të zgjuar të tij për të dëshmuar reformimin e plotë të saj. Nëse ndodh kjo, Lidhja Demokratike do të rikthejë besimin e humbur. Por shoh se ka edhe figura të tjera, të cilat janë sot në LDK dhe kanë dëshmuar të mos jenë vasalë të Isa Mustafës. Abdixhiku p.sh! Anton Çuni është një figurë e pakonsumuar. Përfundimisht ato që do ta drejtojë LDK-në nuk duhet të paragjykohet si bashkëpunëtor i Hashim Thaçit ose Isa Mustafës! Kjo është e gjitha. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë mendoj se ka edhe një zgjidhje tjetër: Për deri në zgjedhjet e ardhshme elektorale të thirret Profesor Fatmir Sejdiu, i cili të udhëheqë procesin e reformave në parti dhe gjashtë muaj para zgjedhjeve të zgjidhet dikush nga fronti anti-Isë dhe Hashim për kandidat për kryeministër. Në këtë moment kandidati për kryeministër të marrë edhe pozicionin e kryetarit të Partisë. Kjo krijon një kimi bashkëpunimi midis brezave dhe njëkohësisht u jep përparësi të rinjve dhe novacionit në parti. Megjithatë zgjidhja m ë e mirë është ajo e ndarjes përfundimtare nga trashëgimia e Mustafës, duke rikthyer Vjosa Osmanin në krye të LDK-së”, përfundon prof. Dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat