Dorëheqja e Mustafës, analisti paralajmëron skenarin e frikshëm për LDK-në

Politika

Dorëheqja e Mustafës, analisti paralajmëron skenarin e frikshëm për LDK-në

Nga: M.H Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 16:56
Foto ilustrim

Gjatë ditës së djeshme Isa Mustafa ka jepur dorëheqje nga posti i kreut të LDK-së.

Mustafa tha se ndjen përgjegjësi dhe se do të ruajë LDK-në dhe të kthehet si forcë politike pasi i duhet Kosovës.

“Unë po e thërras Kuvendin dhe është shenjë që unë po tërhiqem. Së shpejti Kuvendi i LDK-së do ta zgjedh kryetarin e ri. Do të ulemi dhe të shohim se çfarë interesimi kemi për kryetarin e LDK-së, ose do të kemi konkurrencë mes kandidatëve që procesi të shkojë sa më mire”, u shpreh Mustafa për media.

Në lidhje me këtë temë “Bota sot”, ka kontaktuar me njohësin e çështjeve politike, Gani Qarrin I cili komentoi dorëheqjen e Mustafës.

Qarri u shpreh që këto zgjedhje goditën shumë krimin e organizuar dhe politikën mafioze që tash e 13 vite ka kapur shtetin.

Më tej, Qarri thotë që Mustafa do të duhej të jepte dorëheqje para se të mbaheshin zgjedhjet sepse tashmë është e kot pasi ajo pati rënie të madhe nga elektorati I saj duke shtuar që nga LDK-ja do të duhet e gjithë kryesia të jep dorëheqje.

Image
Gani Qarri

“Tërmeti elektoral që sapo ndodhi në zgjedhjet e fundit e goditi si asnjëherë më parë krimin e organizuar, si dhe politikën mafioze, që tash e mbi 13 vite ka kapur të gjitha poret e shtetit dhe sundon në mënyrë arbitrare çdo gjë në këtë vend. Zgjedhjet e 14 shkurtit ishin një lloj revolucioni në vete, që përfundimisht çliruan shtetin e kapur të Kosovës dhe partitë vendore nga mafia politike. Rezultatet e para të kësaj goditjeje, u panë vetëm një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, kur ish kryetari arbitrar i LDK-së, Isa Mustafa përfundimisht u detyrua nga vota e elektoratit të japë dorëheqje nga kreu i LDK-së. Por dorëheqja e tij, do duhej të kishte ndodhur shumë më parë dhe gjithsesi para mbajtjes së zgjedhjeve, në mënyrë që LDK të mos ndëshkohej kaq rëndë dhe brenda 6-7 muajve ta humbë mbështetjen e mbi 50 % të elektoratit. Madje duke pasur parasysh faktin se për debaklin e pësuar në këto zgjedhje, nuk janë më përgjegjës vetëm dy-tre veta, por e tërë kryesia e vjetër e LDK-së, skenari i vërtetë që do duhej të pasonte dhe këtë e pret edhe votuesi besnik i LDK-së të ndodhë, që ashtu siç po paralajmërohet, komplet kryesia aktuale të japë dorëheqje të parevokueshme dhe tu hapë rrugë zgjedhjeve të reja partiake”, tha Qarri.

Më tej, analisti shton se që nga ardhja e Isa Mustafës me 2010 në krye të LDK-së, nuk ka pasur asnjë reformism, madje ai me kryesin e vjetër ndryshuan dhe përshtatën edhe statusin e parties në atë mëmyrë që Mustafa të rizgjedhet kryetar i LDK-së.

Pra demokracia në këtë parti ishte mbytur qysh me ardhjen e Isa Mustafës në krye të saj, potencon më tej Qarri.

“LDK nuk ka nevojë më vetëm për kryetar por edhe për kryesi të re, si dhe reformimin rrënjësor të kësaj partie, e cila që nga ardhja e Isa Mustafës me 2010 në krye të LDK-së, nuk ka pasur asnjë reformim. Madje ai me kryesin e vjetër ndryshuan dhe përshtatën edhe statusin e partisë në atë mënyrë, që Isa Mustafa pa asnjë konkurencë, të rizgjidhej kryetar i LDK-së, sa herë të dëshironte, duke mos lejuar të futej në garë për të parin e partisë asnjë kandidatë tjetër, njëjtë si në sistemi ish komunist jugosllav. Kështu që, megjithëse kishte njerëz të interesuar të konkuronin statusi i përgatitur nga Isa Mustafa, që nga viti 2010 nuk ua lejonte kandidimin, ndaj dhe u zgjodh e rizgjodh dy-tre herë radhazi, vetëm Isa Mustafa kryetar i LDK-së. Pra demokracia në këtë parti ishte mbytur qysh me ardhjen e Isa Mustafës në krye të saj, e dorëheqja e tij, jo vetëm që është shumë e vonuar, por Isa Mustafa do të mbahet mend gjatë, për mënyrën se si erdhi, kapi këtë parti dhe çoi LDK-në, nga parti e parë në debakël të plotë dhe buzë shuarjes totale”, u shpreh Qarri.

Në fund, analisti thotë që Isa Mustafa i la një trashëgimi tejet të keqe dhe shumë të rrezikshme LDK-së dhe se përfundimisht rrezikohet të ndahet apo edhe të shuhet tërësisht si parti dhe subjekt politik më vete.

“Për aq më keq, Isa Mustafa i la një trashëgimi tejet të keqe dhe shumë të rrezikshme LDK-së, përbrenda, duke krijuar katër klane të papajtueshme rajonale në kryesi, nga të cilat, pas kaq vitesh ekzistence dhe veprimtarie të suksesshme partiake e shtetërore, partia e mirënjohur dhe me aq shumë famë e Dr. Ibrahim Rugovës, përfundimisht rrezikohet të ndahet apo edhe të shuhet tërësisht si parti dhe subjekt politik më vete”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat