Rënia e LDK-së, ‘shkarkon’ kreun dhe Kryesinë

Politika

Rënia e LDK-së, ‘shkarkon’ kreun dhe Kryesinë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 shkurt 2021 Në ora: 18:02
LDK

Të dielën që po lëmë pas qytetarët votuan përfaqësuesit e tyre. Përmes votës së tyre, ata vendosën se kush do t'i përfaqësojë.

Këto zgjedhje u zhvilluan kësaj radhe më ndryshe se herëve të tjera, kjo për arsye se pandemia me koronavirus po vazhdon,, duke e bërë kështu më të vështirë edhe procesin zgjedhor.

Për shkak të pandemisë, më shumë se 140 ekipe mobile të KQZ-së kanë vizituar shumë familje të Kosovës, duke iu ofruar mundësinë që të votojnë edhe personave të prekur me COVID-19, që janë të izoluar në shtëpitë e tyre.

Por sado që ky proces ishte i vështirë, duke marrë parasysh masat të cilat qytetarët ishin të detyruar të ju përmbahen, kjo nuk i ndaloi që të dalin në zgjedhje.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ishte 46.90 %, pak më e madhe sesa në zgjedhjet e vitit 2019, gjersa ishin 888 qendrat të votimit ishin të hapura në të gjithë territorin e Kosovës.

Pas mbylljes së vendvotimeve, deri në mesnatë vazhdoi numërimi i votave, të cilat sollën fituese Lëvizjen Vetëvendosje.

Nga KQZ bënë me dije që ka se ka përfunduar procesi i numërimit të votave dhe se LVV shpallet fituese me 47.89%, e pasuar nga PDK-në e cila ka 17.36%, LDK-në që ka 13.08%, AAK-në me 7.40% dhe Nisma me 2.59%.

Mirëpo ajo se çfarë bëri përshtypje në këto zgjedhje është rënia e LDK-së, e cila doli e treta, duke humbur edhe bastionet që kishte.

Në bazë të të dhënave të KQZ-së, ajo nuk arriti të udhëheq asnjë komunë, as edhe atë të Istogut ku edhe u themelua LDK-ja.

LDK mbeti prapa Vetëvendosjes në Pejë e Lipjan dhe Gjilan, shkruan “Bota sot”.

Kjo rënie e LDK-së, padyshim që shkaktoi një zhgënjim nga ana e elektoratit mirëpo edhe nga vet kandidatët që kandidonin për deputetë nga po kjo parti.

Kështu, duke parë tërë këtë situatë ajo se çfarë vuri vulën ishte dorëheqja e Isa Mustafës si kryetar i partisë, duke marrë gjithë përgjegjësinë e humbjes së partisë.

Mustafa gjatë ditës së hënë mblodhi kryesinë e LDK-së, duke i kumtuar lajmin e dorëheqjes së tij.

“Në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe hapjes së rrugëve të mëtutjeshme për riorganizim të LDK-së e kam njoftuar kryesinë se do të thërras Kuvendin e LDK-së, për zgjedhje të një kryetari të ri të LDK-së në një periudhë të shpejtë kohore. Në mënyrë që LDK sa më shpejtë të ketë kryetarin e ri”, tha ai.

Kujtojmë që LDK ka shënuar humbjen më të thellë në historinë e saj në zgjedhje.

Ahmeti: Ky rezultat do të prodhoj një tërmet të brendshëm në të gjitha partitë politikë

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën të dielën.

Ahmeti vlerëson se fitorja e VV-së ishte e pritshme sepse gabimet e qeverisë së kaluar e kanë sjellë VV-në deri në këtë fitore. Gjithashtu ai thekson që ky tërmet politik në historinë e pluralizmit politik në Kosovë, është një mundësi e jashtëzakonshme për partitë politike që kanë ndërtuar klientelën e tyre dhe kanë ngulfatur demokracinë e brendshme partiake.

Image
Hidajet Ahmeti

“Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë reflektuan mbi një realitet të ngulfatur që nga paslufta, por njëkohësisht i dhanë një goditje të madhe partive politike që kanë qeverisur nga paslufta. Nga rezultatet preliminare del se fituese e këtyre zgjedhjeve është VV-ja, e cila fitore ishte e pritur nga të gjithë ata që bënin matje reale të opinionit publik. Gjykoj se nuk është fitore e jashtëzakonshme, pasi problemet e akumuluara, gabimet e qeverisjeve të kaluara, por njëkohësisht koncepti i drejtë dhe parimor i VV-së e sjelli një fitore të pritur. Ky tërmet politik në historinë pluralizmit politik në Kosovë është një mundësi e jashtëzakonshme për partitë politike që kanë ndërtuar klientelën e tyre dhe kanë ngulfatur demokracinë e brendshme partiake të reflektojnë në kuptimin e një reforme të brendshme radikale. Logjika e tillë reformative do të sjellë një standard të ri të funksionimit të partive politike dhe në këtë mënyrë, do të ngritet transparenca e llogaridhënia e partive politike, por edhe qeverisjeve ndaj opinionit publik”, ka potencuar Ahmeti.

Sipas tij, partia që më së shumti pësoi humbje ishte LDK-ja, pasi kjo parti kishte ushqyer veten me gënjeshtra dhe ky rezultat i ofroi një ndryshim, por që jo vetëm saj por edhe partive tjera politike.

Ahmeti paralajmëron që në ditët në vijim do të ketë dorëheqje të mëdha nga strukturat e LDK-së.

“Humbja më e madhe në këto zgjedhje është LDK-ja, pasi e ka ushqyer vetën me gënjeshtra të tipit klasik, kurse realiteti në opinion ka qenë tjetërfare. Por, njëkohësisht është absurde që te jesh në qeverisje e të kesh këtë rënie drastike në vota, pasi kjo shpërfaqë jo vetëm keqqeverisjen në qeverinë e fundit, por fatura është paguar për gjitha veprimet e gabuara të saj. Ky rezultat do të prodhoj një tërmet të brendshëm në të gjitha partitë politikë në Kosovë që ishin pjesë e garës zgjedhore, por veçanërisht LDK-së. Mendoj se ditët në vijim do të ketë dorëheqje të mëdha nga strukturat e LDK-së, duke e thyer heshtjen e nënshtrimit që e kanë pas deri më tani”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

Mehazi: Humbja e LDK-së erdhi nga gabimet katastrofale politike të Mustafës dhe Veliut

Rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, për gazetën "Bota sot" e ka komentuar edhe profesori Sulejman Mehazi.

Ai u shpreh që fituese e këtyre zgjedhjeve është ditur që do të jetë VV, ndërsa që deri tek rënia e LDK-së thotë se erdhi për shkak të veprimeve të palogjikshme të krerëve të partisë.

Profesori përmend konfliktin që pati Kurti me Veliun, derisa vlerëson që Mustafa bëri gabim duke i dhënë përparësi Veliut e jo votuesve të LDK-së.

Image
Sulejman Mehazi

“Është interesant të cekim se edhe para se të votohet është ditur se fitues do jetë Albin Kurti. Këtë mundësi të fitores së LVV-së na mundësuan ta dimë që më parë vet veprimet e palogjikshme e amatoreske të krerëve të LDK-së të cilët për inatin e Agim Veliut humbën e u mposhtën vetë. Pra, të gjitha të këqijat politike të LDK-së erdhën pas zënies së Agim Veliut me Albin Kurtin, ky konflikt i Veliut me Albinin u bë shkak i fundosjes së anijes politike të LDK-së. Për Isa Mustafën e partinë e tij më i vlefshëm ishte Agim Veliu, sesa votuesit e LDK-së që votuan për Vjosa Osmanin dhe për Kosovën për ndryshime rrënjësore politike. Gabimet naive e katastrofike politike të krerëve të LDK-së kundër Kurtit e bënë që bastionet më të fuqishme t'i humbin e t'ua merr LVV-ja”, ka deklaruar profesori.

Ndër të tjera, Mehazi thotë që LDK në momentin që prishi koalicionin me LVV dhe larguan Vjosa Osmanin, atëherë qytetarët filluan të besojnë në LVV.

Humbja, sipas profesorit erdhi nga gabimet e Mustafës dhe Veliut, ndaj të dy duhet të marrin përgjegjësi dhe të largohen nga LDK-ja.

“Isa Mustafa për shkak qejfit të Agim Veliut, e kundër votuesve të vetë e prishën koalicionin qeverisës me LVV-në, e larguan Vjosa Osmanin, mashtruan elektoratin dhe për gjashtë muaj qeverisje pa LVV-në, humbën besimin dhe detyruan qytetarët e Kosovës me zor t'i besojnë Albin Kurtit, aq e forcuan e i dhanë fuqi LVV-së sa që fitoi bindshëm bastionet e LDK-së, qytetin e Agim Veliut, Hazirit, Hotit po dhe 60% të votave në favor të LVV-së në Prishtinë. Pra, humbja e LDK-së erdhi nga gabimet katastrofike politike të dy tekanjozëve kryesor të kësaj partie, Isa Mustafës dhe Agim Veliut, të cilët janë çelësi i humbjes së LDK-së, dhe duhet të marrin përgjegjësi para kryesisë qendrore të partisë me dorëheqja të parevokueshme e të pakthyeshme në LDK. LDK-së më nuk i duhet tipat e Isës, Veliut, Selmanajt, sa më larg tyre aq më mirë do jetë për LDK-në”, është shprehur Sylejman Mehazi për “Bota sot”.

Jashari: Fajtor për këtë rënie të LDK-së, janë garda e vjetër e drejtuesve

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Shemsi Jashari, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që rezultatet që dolën nga zgjedhjet e parakohshme të mbajtura të dielën, nxorën për publikun VV-në fituese, duke përmbysur kështu bastionet 20 vjeçare të LDK-së, që nuk kanë qenë të menaxhuara si duhet.

Image
Shemsi Jashari

“Rezultatet e dala dje pas numërimit të votave konfirmuan pritjet e matjeve të opinionit publik, që nxirrnin si subjekt të parë LVV-në, me një rezultat bindës, duke lënë prapa të gjitha subjektet tjera. Këto zgjedhje përmbysen edhe bastionet 20 vjeçare të LDK-së, në të gjitha komunat duke dërguar mesazh të qartë për LDK-në, se nuk ka menaxhuar si duhet me subjektin politik duke mos dhënë hapësirë në vendimmarrje gjeneratës së re”, ka thënë Jashari.

Analisti vlerëson se fajtor për këtë rezultat sigurisht që janë garda e vjetër e drejtuesve të LDK-së, e cila siç shprehet ai, ka irrituar votuesit e LDK-së, sidomos pas prishjes së koalicionit LVV&LDK si dhe përjashtimit të Vjosa Osmanit.

“Marrëveshjet jo parimore me PDK-në për një kohë të gjatë dhe autoritarizmi në vendimmarrje për drejtimin e partisë kanë zhgënjyer shumë nga elektorati i LDK-së. Fajtor për këtë rezultat sigurisht që janë garda e vjetër e drejtuesve të LDK-së, e cila ka irrituar votuesit e LDK-së, sidomos pas prishjes së koalicionit LVV&LDK si dhe përjashtimit të Vjosa Osmanit nga LDK, si pasojë e mospajtimeve brenda LDK-së. LDK-ja, duhet të reflektojë dhe te reformohet pasi rrezikon të mbetet parti minore, nëse vazhdon të mos adresojë zhgënjimin e elektoratit të vet”, ka përfunduar Shemsi Jashari për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat