13 vjetori i pavarësisë, Kosova feston ëndrrën e realizuar, mes përparimesh e ngecjesh

Politika

13 vjetori i pavarësisë, Kosova feston ëndrrën e realizuar, mes përparimesh e ngecjesh

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 shkurt 2021 Në ora: 11:01
Ngritja e flamurit, 17 Shkurt 2021

Kosova sot feston 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë si shtet i pavarur dhe demokratik.

Ishte data 17 shkurt e vitit 2008, ajo që vulosi pavarësinë e Kosovës, duke u njohur pastaj prej shteteve të tjera të botës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës, të cilët për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, vuajtën pasojat nga regjimi serb.

Mirëpo, këtij regjimi i erdhi fundi kur u vendosën trupat ndërkombëtar në Kosovës, për ta përmbyllur kështu luftën që zhvillohej në Kosovë nga shteti serb.

Dy vite pas shpallës së pavarësisë, më 22 korrik 2010, pavarësia e Kosovës u pranua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila konfirmoi përmes mendimit këshillëdhënës se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Republika e Kosovës u bë vendi që garanton të drejtat e të gjitha komuniteteve, bazuar në Kushtetutën e shtetit.

Por, pavarësisht që Kosova u shpall shteti i pavarur, ajo vazhdon të mos njihet nga shteti i Serbisë.

Në këto kushte, nga marsi i vitit 2011, Kosova hyri në dialog me Serbinë, bisedimet që u quajtën “Prishtinë –Beograd”, dialog ky që po vazhdon të zhvillohet mirëpo pa njohje reciproke.

Ky përvjetor e gjeti Kosovën pa një qeveri të formuar, me përfundimin ditë më parë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të shtatat në 12 vite e duke pritur së shpejti formimin e qeverisë së re.

Përveç kësaj, Kosovën ky përvjetor e gjeti edhe pa ish-ushtarët e UÇK-së, Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin e që mbajtja në paraburgim në Hagë bëri “jehonën” e saj.

Pavarësisht kësaj njohësit e çështjeve politike, u shprehën që Kosova mund të arrijë të ketë sukses nëse nuk i lë vend korrupsionit, të bëjë pjesë në shtetndërtimin e vendit.

Shahu: Kosova në 13 vjetorin e pavarësisë së saj, feston një ëndërr të realizuar

Image
Rexhep Shahu

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar një historik të shkurtuar për shtetin e Kosovës në 13 vjetorin e pavarësisë së saj.

Shahu shprehët që për Kosovën është krenari e madhe për të arriturat që ka pasur dhe që do të ketë edhe më tej. Ndër sukseset më të mëdha që cek analisti është mbajtja e miqësisë së ngushtë me Amerikën dhe NATO-n.

Mirëpo, pavarësisht kësaj analisti thotë që armiku më i madh i Kosovës është komunizmi që synon shkatërrimin e Kosovës dhe kthimin e kursit të saj të aleancave e miqësisë nga Amerika, drejt stepave ruse.

“Është realitet i ri, Kosova shtet sovran i lirë dhe i pavarur, me miqësi të ngushtë me Amerikën dhe NATO-n, është arritja më e madhe e shqiptarëve që nga 1912. Kosova e çliruar në qershor 1999, është suksesi më e madh botëror i shekullit në të cilin jemi deri tani. Është krenari për shqiptarët, për të rënët, për invalidët real të luftës, përjetimet, për të dhunuarit, është krenari për politikën dhe diplomacinë botërore. Në kohën e lirisë e pavarësisë së Kosovës tash shtetit të ri të shqiptarëve i gjenden mjaft dobësi e të meta të rritjes. Është shteti më i sabotuar nga armiqtë e shqiptarëve dhe armikun më të madh të tyre që kanë pasur dhe kanë e që është komunizmi. Komunizmi synon shkatërrimin e Kosovës dhe kthimin e kursit të saj të aleancave e miqësisë nga Amerika drejtë stepave ruse, drejtë lindjes komuniste, drejt ekstremizmave të rrezikshme fetare”, u shpreh Shahu.

Analisti tutje krahason shtetin e Kosovës me atë të Shqipërisë, duke u shprehur se Kosova arrin të ngrihet shpejt e fuqishëm, gjersa Shqipëria zgjedhjet politike i sheh si tragjedi.

“Kosova është shtet vital, me pasurinë më të madh në botë në raport me shtetet e tjera, rininë, me rini të mrekullueshme, inteligjente, të shëndetshme, krenare, kjo është pasuria e parë e jashtëzakonshme e Kosovës. Kosova është shtet që ngrihet fuqishëm dhe rikuperon vetën e saj. Kosova është shtet që bën zgjedhje shpesh dhe nuk shihen tragjedi zgjedhjet politike siç shihen në Shqipëri si tragjedi”, ka thënë analisti.

Në fund, Shahu përmend edhe propagandën që është pjesë e shtetit tonë, e që ajo e të majtëve po dezinformon dhe synon që vendin e shtetin ta zërë partia.

Duke shtuar ai shprehët që Kosova ia ka dalë t’u mbijetojë eksperimenteve të së majtës sepse në Kosovë ka ndikim Amerika dhe shqiptarët e Kosovës e që nuk e duan komunizmin edhe pse ai shfaqet me petkun e drejtësisë e barazisë.

“Propaganda e të majtëve në Kosovë ka armë të saj dezinformimin, shpifjen, trillimin akuzat pabaza, synimin që vendin e shtetit ta zërë partia. Për të majtët partia është e para pastaj vjen shteti. E megjithatë sulmet e frikshme të së majtës, të enveristëve, Kosova ia ka dalë t’u mbijetojë eksperimenteve të së majtës sepse në Kosovë ka ndikim Amerika dhe shqiptarët e Kosovës nuk e duan komunizmin edhe pse ai shfaqet me petkun e drejtësisë e barazisë. Gjithë e majta dhe armiqtë e shqiptarëve kanë synim që ta armiqësojnë Kosovën me Amerikën, që ta bëjnë të paqeverisshme Kosovën, të dështojë i Kosova që të dështojnë shqiptarët në shtetbërje, një synim i vjetër serb”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Mehmeti: 13 vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën, ashtu siç nuk e kishte imagjinuar dot

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka numëruar ato të cilat nuk ka arritur të bëj përgjatë këtyre viteve, duke filluar nga liberalizimi I vizave e deri tek dialogu me Serbinë.

Pavarësisht kësaj, ai thotë që zgjedhjet e fundit kanë prodhuar një ndryshim duke përmbysur klasën e vjetër.

“Kosova pa liberalizim të vizave, pa njohjen nga 5 vendet e BE, akoma në bisedime me Serbinë dhe mbi të gjitha me dëshpërim të madh të qytetarëve të vendit. Pra, Kosova ndodhet në një situatë jo të këndshme dhe me moral të ulët të qytetarëve, ndonëse zgjedhjet e fundit prodhuan një ndryshim, me përmbytjen e klasës së vjetër, megjithatë akoma s’ka filluar të ndryshojw asgjë, andaj vendi është në një situatë shumë të rëndë në të gjitha sferat e saj”, është shprehur Mehmeti.

Tutje, analisti potencon që nga zgjedhjet e fundit mund të shohim një disponim pozitiv se do të ndryshojë diçka duke shpresuar që ky të jetë përvjetori i fundit që vendi të ndodhet me këtë nivel të lartë të korrupsionit.

“Megjithatë, pas zgjedhjeve të fundit, tek shumë qytetarë po vërehet një disponim pozitiv se do të ndryshojë diçka, e megjithatë se këtë gjë mund ta shohim ditëve në vijim, me shpresën se të jetë ky përvjetori i fundit që vendi ynë ndodhet në këtë nivel të lartë të korrupsionit, të papunësisë, dhe pa liberalizim të vizave”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”’.

Kelmendi: Kosova këtë përvjetor e pret me përparime dhe ngecje

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që 13 vjetorin e pavarësisë Kosova po e pret me disa përparime dhe disa ngecje në disa fusha të ndryshme.

Kelmendi thotë që është bërë punë në ndërtimin juridik të shtetit duke nxjerrë ligje mirëpo që ngecjet i kemi në shëndetësi, arsim e në fushat sociale e të pensionit për mosha të vjetra.

“Kosova në këtë përvjetor ka edhe ecje përpara, por ka edhe ngecje në fusha të ndryshme. Fitorja më e madhe është pavarësia e vendit dhe e shteti. Është bërë shumë punë në ndërtimin juridik të shtetit. Janë nxjerrë me qindra ligje dhe janë kryer shumë punë në fushën e shtetndërtimit. Ndërsa, anët më negative janë në shëndetësi, në arsim, në raportet ndërkombëtare, në integrime, në çështjen juridike dhe në fushën sociale e të pensionit të moshave të vjetra. Shteti ynë ka punë të madhe për të bërë në fushën e anëtarësimit në organizatat rajonale. Këto janë temat më të nxehta dhe që kushtojnë shumë kohë dhe mund”, ka nënvizuar profesori.

Në fund, Kelmendi përmend të ngritjen e të ardhurave dhe mbrojtjen në punë, duke iu drejtuar shtetit që të jenë syçelë edhe me shtetin e Serbisë.

“I takon qeverisë që vjen të merret me punësim, mbrojtje në punë dhe mbi të gjitha të ngritë të ardhurat minimale mbi 300 Euro. Jashtëzakonisht syçelë duhet të ketë shteti i ynë në raport me Serbinë. Aty nuk duhet bërë lëshime dhe nuk duhet prishur raportet me SHBA-të”, ka përfunduar Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat