Ja gabimet e mëdha të LDK-së që i shkaktuan humbjen e thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit – a ka gjasa të rikthehet kjo parti?

Politika

Ja gabimet e mëdha të LDK-së që i shkaktuan humbjen e thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit – a ka gjasa të rikthehet kjo parti?

Nga: N. H Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 16:55
Avdullah Hoti dhe Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar humbjen më të thellë në historinë e saj në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që u mbajtën 14 shkurt.

Nga të gjitha votat e rregullta të numëruara nga KQZ, partia më e vjetër në vend numëron vetëm 103 mijë e 507 vota, apo 13,08 për qind.

Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se bashkëqeverisja me PDK-në dhe problemet e brendshme të cilat e kanë përcjellur këtë parti ndër vite, kanë derivuar edhe rezultatin e dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Bashkëqeverisja me PDK-në në nivelin qendror, e derivuar nga rezultatet në rënie të LDK-së, pas fragmentarizmit të saj dhe ndarjes e cila ndodhi me rastin e ndarjes në dysh të partisë ndërmjet Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit, dhe praktikes së ndjekur në këtë sens nga kryetari në dorëheqje, Isa Mustafa, zhgënjimi dhe irritimi i elektoratit të LDK-së, ishte i madh, për pasojë LDK-ja nuk fitoj asnjë palë zgjedhje nacionale, edhe pse në dy raste ishte në prag të kapërcimit të shtegut të fitores, por nuk ia doli ta kapitalizoj në çastet e fundit të garës zgjedhore”, ka thënë ai.

Ai konstaton po ashtu se eksponentë brenda LDK-së shpeshherë e kanë dëmtuar, gjë e cila, sipas tij, edhe zhgënjeu edhe elektoratin më besnik të saj.

“LDK, u dëmtua zakonisht nga brenda, nga eksponentë të cilët merrnin besimin dhe bekimin e partisë, por qonin ujë në mulli të huaj, duke dëmtuar direkt partinë dhe duke zhgënjyer elektoratin besnik të saj, i cili e kishte mbështetë LDK-në, edhe në ditë të vështira për të. Koalicioni me Vetëvendosjen, ishte “maja e eisbergut”, nga ku anija e saj filloj fundosjen, përkatësisht mori tatëpjetën deri në theqafje, dhe kjo jo vetëm për shkak të veprimit obstruksionist të ish-partnerit të koalicionit (LVV-së), por edhe për faktin e sabotimit nga brenda deri në komplot të organizuar dhe konstruktuar nga ish-partneri në qeverisje me eksponent siç ishte Vjosa Osmani, ish-kandidate e LDK-së për pozitën e kryeministrit në zgjedhjet të cilat kjo zonjë i humbi në tetor të 2019-tës”, është shprehur Bajraj.

Sa i përket prishjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, Bajraj është i mendimit se LDK-ja nuk arriti ta artikuloj si duhet para qytetarëve drejtë dhe me kohë.

Image
Fatmir Bajraj

“Lidershipi i LDK-së, në kohë pandemie, i dha fund bashkëqeverisjes me LVV-në, të shkaktuar nga kjo e fundit, por këtë realitet, nuk diti apo nuk deshi ta artikuloj drejtë dhe me kohë para anëtarësisë dhe qytetarëve të vendit, përkundër faktit se VV-ja dhe Vjosa Osmani, kishte depërtuar thellë me diskursin agresiv kundër LDK-së, dhe interpretimit të “vërtetës” se tyre për prishjen e koalicionit, në favor të tyre dhe në rolin e viktimës. LDK ishte vonuar tepër shumë në plasimin e së vërtetës në lidhje me zonjën Osmani dhe mbi të gjitha në arsyetimin e prishjes së koalicionit me VV-në, destruktive dhe obstruksioniste. Diskursi anti-LDK, i binomit Kurti-Osmani, me ndihmën e medieve dhe studiove televizive në vend, kishte depërtuar deri në palcën e elektoratit dhe qytetarëve të Kosovës, duke ia hedhë fajin e “dështimeve” në qeverisje LDK-së dhe për t’ia faturuar të gjitha lëshimet dhe gabimet eventuale në dy dekada, kryesisht LDK-së, derisa kjo e fundit, ishte përqendruar në përballjen me pandeminë, rimëkëmbjen ekonomike dhe dialogun me Serbinë”, tha Bajraj.

Në fund, veprimtari Bajraj thekson se Lidhja Demokratike e Kosovës, në procesin e saj të reformimit, që pritet të filloj së shpejti, kjo parti do të filtroj figura besnike të partisë, figura të dëshmuara dhe të promovuara në struktura dhe procese në ndryshme.

“LDK, duhet dhe do të reflektoj pas këtij momentumi, duke nxjerrë një strukturë të re drejtuese ngase potenciali i saj intelektual dhe akademik është i jashtëzakonshëm dhe unik, jo vetëm për vendin, por edhe me gjerë. Konsideroj se kësaj radhe, LDK përmes Kuvendit të Përgjithshëm, do të filtroj figura besnike të partisë, figura të dëshmuara dhe të promovuara në struktura dhe procese të saja, dhe duke lënë anash ato figura dhe personalitete të cilat kanë hezituar dhe shfaqë luhatje në momente kruciale-vendim-marrëse në parti dhe në kuadër të partisë, për vendin”, tha krejt në fund, veprimtari Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat