Dorëheqja e Mustafës, kush (nuk) duhet të jetë kryetari i ri i LDK-së

Politika

Dorëheqja e Mustafës, kush (nuk) duhet të jetë kryetari i ri i LDK-së

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 17 shkurt 2021 Në ora: 17:53
LDK; foto ilustrim nga "Bota sot"

Një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Isa Mustafa ka dhënë dorëheqja nga posti i kryetarit të partisë.

Mustafa ketë vendim e mori gjatë mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, që u mbajt pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve.

Dorëheqja e Mustafës vjen pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit. LDK-ja nuk ka fituar në asnjë komunë, ndërsa ka humbur thellë edhe në komunat ku udhëheqin kryetarë që vijnë nga ky subjekt politik.

Nga numërimi i gjithë votave, përpos atyre nga diaspora, LDK-ja renditet në vendin e tretë me 102 mijë e 959 vota apo 13,08%.

Pas një dështimi të thellë, largimi i Mustafës ka qenë i pritshëm

Largimin e Isa Mustafës nga LDK-ja e kanë komentuar edhe disa nga analistët.

Njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se pas dështimit elektoral, dorëheqja e Mustafës ka qenë e pritshme, por që humbjet në këtë parti kanë filluar prej nga atëherë kur LVV-ja pësoi ndarje nga LDK-ja, dhe i ofroi LVV-së bashkëpunim.

Image
Leon Duhanaj

“Dorëheqja e z. Isa Mustafa, ishte e pritshme dhe e natyrshme. Akt moral, pas një dështimi të thellë elektoral. Për mendimin tim, në LDK, humbjen kanë filluar ta projektojnë tash e tri vite. Që nga koha kur VV-ja pësojë ndarjen dhe LDK-ja në vend që të punojë strategjikisht, vendosi t'i ofrojë bashkëpunim VV-së. Unë personalisht, me dhjetëra herë ju kam sugjeruar të mos ofrohen me këtë strukturë, sepse duke i njohur nga brenda isha i bindur për qasjen e tyre karshi LDK-së. Por, LDK-ja nuk i merr për bazë këshillat e sugjerimet, sepse kanë vlerësuar se i dinë më mirë punët e tyre”, është shprehur ai.

Sipas Duhanajt, LDK-ja ka kuadro mjaft, por nëse kryetar do të jetë ndonjëri me ndikim në LDK, atëherë nuk do të arrin reforma por vetëm një riciklim të ri.

“Në këtë ko tekst, për mua kjo rënie ka qenë e pritshme dhe përgjegjësia duhet të jetë e natyrshme. Për mendimin tim, LDK-ja, ka kuadro mjaftë, por nuk do ta preferoja asnjërin nga akterët e rëndësishëm vendimmarrës të viteve të fundit. Nëse vjen kryetar ndonjëri që ka pasur rol me ndikim në LDK, atëherë nuk e besoj që do të arrin reforma, por një riciklim të ri”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

Në krye të LDK-së do të duhej të ishte Eqrem Kryeziu apo Skënder Zogaj

Image
Rexhep Shahu

Kurse, publicisti dhe njohësi i çështjeve politike. Rexhep Shahu, dorëheqjen e Mustafës e ka quajtur lajm të mirë, madje thotë se nga kjo ka fituar edhe LDK-ja.

Sipas tij, Mustafa nuk ka ditur të jetë bashkëpunues me autoritetet morale, derisa shton se LDK-ja u konsiderua si një institucion i lartë moral, por Mustafa e ngushtoi dhe nuk e mbajti atë për të gjithë.

“Dorëheqja e Isa Mustafës nga posti i kryetarit të LDK-së është lajm shumë i mirë dhe me këtë akt ka fituar shumë LDK-ja. Në dekadën e tij që drejtoi LDK-në Mustafa nuk afroi senatorët e autoritetet morale që u ka Kosova, nuk bashkëpunoi me to. Unë nuk i gjej as i di mëkate Isa Mustafës, pavarësisht se e kanë mbytë në akuza e shpifje, por ai nuk diti të jetë bashkëpunues me autoritetet morale. LDK-ja nuk është konsideruar thjeshtë si një parti politike teknike, por si institucion i lartë moral. Isa nuk e mbajti atë shtëpi për të gjithë, por e ngushtoi”, ka vlerësuar Shahu.

Shahu thotë se ka bërë thirrje shumë herë që në krahë të LDK-së të dalin në mbështetje si Eqrem Kryeziu apo Skënder Zogaj, sepse po të dilte Eqrem Kryeziu me mesazh drejtuar popullit do të kishte vlerë më të madhe, por Mustafa, nuk i ofroi figurat ndikuese, por vetëm i largoi nga LDK-ja.

“Unë kam bërë thirrje disa herë dhe kam kërkuar që në fushata politike në krah të kandidatëve e drejtuesve të LDK-së të ftohen përultësisht dhe të dalin në mbështetje të kandidatëve të LDK-së figura të tilla si Eqrem Kryeziu, Skënder Zogaj etj etj (i përmenda këta te dy se e di se nuk më zemërohen). Isa Mustafa duket të harroi se LDK-ja është jo numra por frymë, moral, besim. P.sh, ngaqë ka ditëlindjen sot Eqrem Kryeziu, po ju them me bindje të plotë se një mesazh i Eqrem Kryeziu drejtuar popullatës do të kishte vlerë të madhe, pasi ai me një selam qytetarëve bën më shumë vota se dhjetë anonime të caktuar nga Isa Mustafa. Këtë nuk e bëri Mustafa, nuk ofroi figurat ndikuese, por i largoi e i ftohu me LDK-në”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Më teje, ai theksoi se po të ishte në fushatë Skënder Zogaj në Fushë Kosovë, vetëm me të fala do të ishin mbledhur më shumë vota.

Ai thotë se ai që do ta zëvendësojë Mustafën duhet të jetë një njeri që nuk shalon inate, ndërsa Rugovë me dije, urtësi dhe trimëri nuk ka më.

“Ata figura që them unë nuk mundin të dalin pa u ftuar në veprimtari politike. Përfytyroni të ishte në fushatë, psh Skender Zogaj në Fushë Kosovë aty ku ka qeverisur shumë vite. Vetëm me të fala nga Skendo, do të ishin mbledhë më shumë vota. Gjithë këto fjalë që thashë janë për pasardhësin që të bëjë bashkë gjerdanin e vlerave dhe kontribuesve. Unë nuk e di kush mund ta zëvendësojë Isa Mustafën, por duhet të jetë një njeri që nuk shalon inate e mëri. Rugovë nuk ka më që kishte në vetvete dijen, urtësinë, durimin, madhështinë, trimërinë e pashoqe”, ka shtuar Shahu.

Ai shpreson që LDK-ja të ketë figura që i ngjajnë Rugovës, sepse ajo është themeluesja e shtetit të Kosovës, e cila ka për detyrë ta mbajë të lidhur Kosovën me Amerikën, por sipas tij, LDK-ja nuk mund të ngrihet pa e pëlqyer anëtarin e thjeshtë, duhet të gjejë qytetarin e saj dhe t’i kërkojë falje.

“Por, shpresoj se LDK-ja ka figura të reja premtuese që t’i ngjajnë veç pak Rugovës të sillen si misionarë të Kosovës e jo si kandidatë për pushtetarë. LDK-ja është themeluesja e ndërtuesja e shtetit të Kosovës bashkë me qytetarët. LDK-ja ka detyrë ta mbajë Kosovën të lidhur me Amerikën ose të vdesë, nuk ka rrugë tjetër LDK-ja. Por LDK-ja nuk ngrihet dot pa shkuar tek anëtari i thjeshtë, pa e begenisë anëtarin e thjeshtë, atë që e ka të shkruar në kurriz historinë e LDK-së, pa shkuar te ata anëtarë të LDK-së që u shkonin dikur shtëpi me shtëpi qytetarëve dhe u gjendeshin për halle e për derte. LDK-ja duhet ta gjejë qytetarin e saj dhe të pajtohet me të, t’i kërkojë falje”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat