Hulumtuesi britanik: VV-ja mund të formojë qeverinë me këto parti, ja kush mund të bëhet kryeministër nëse jo Kurti

Politika

Hulumtuesi britanik: VV-ja mund të formojë qeverinë me këto parti, ja kush mund të bëhet kryeministër nëse jo Kurti

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 17 shkurt 2021 Në ora: 20:16
Hulumtuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminster, Aidan Hehir

Hulumtuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminster, Aidan Hehir, ka folur për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanit në zgjedhjet parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se fitorja e thellë e VV-së, është dëshmi se populli dëshiron ndryshimin e vërtetë. Sipas Hehir, Kosova për vite me radhë është qeverisur nga parti që kanë shikuar vetëm interesat personale.

“Fitorja e theksuar e Vetëvendosjes është dëshmi e dëshirës së popullit për ndryshim të vërtetë. Kosova për një kohë të gjatë qeveriset nga partitë e interesuara vetëm për mirëqenien e tyre. Rezultati ka qenë papunësia e vazhdueshme, korrupsioni i shfrenuar dhe shërbimet publike të degraduara”, është shprehur hulumtuesi në Universitetin e Westminster.

Duke folur për mundësitë e krijimit të qeverisë së re, Hehir parashikon që VV-ja nuk do të ketë nevojë për koalicion me partitë tradicionale. Sipas tij, VV-ja, për numrat që i duhen, mund të bashkëpunojë me partitë e pakicave, duke përjashtuar këtu Listën serbe.

“Vetëvendosje përballet me një numër sfidash të mëdha që shkojnë përpara dhe ka shumë brenda vendit që do të dëshirojnë t'i shohin ata të dështojnë. Megjithatë, fitorja e thellë do t'i lejojë ata të zbatojnë agjendën e tyre pa pat nevojë për kompromis me partitë tradicionale. Unë nuk parashikoj të ketë shumë vështirësi në rregullimin e vendeve shtesë të kërkuara për të arritur një shumicë në parlament; ka të ngjarë që ata të bëjnë një marrëveshje me një numër të partive të pakicës, megjithëse jo me Listën Serbe”, ka thënë më tej Aidan Hehir për gazetën “Bota sot”.

Sipas hulumtuesit britanik, Kurti mund të bëhet kryeministër, pavarësisht se nuk iu lejua kandidimi për deputet. Por, sipas tij, VV-ja në radhët e saj ka edhe emra të tjerë që mund të shërbejnë si kryeministër, nëse jo Kurti.

“Nga sa kuptoj, Kurti akoma mund të zgjidhet Kryeministër pavarësisht se nuk është deputet; nëse është apo nuk është veçanërisht e rëndësishme, pasi partia bazohet në më shumë sesa vetëm tek ai, dhe ka shumë që do të jenë në gjendje të shërbejnë si Kryeministër nëse është e nevojshme”, ka theksuar Hehir.

Ai ka folur edhe për prioritetet e qeverisë së re, duke theksuar këtu trajtimin e korrupsionit. Ai ka thënë se VV-ja mund të bëjë Kosovën një vend më tërheqës për investime të jashtme ekonomike, duke pastuar sistemin e drejtësisë dhe duke transformuar shërbimet publike dhe të infrastrukturës.

“Unë pres që qeveria e re do të përqendrohet kryesisht në çështjet e brendshme, veçanërisht në trajtimin e korrupsionit, i cili është rrënja e të gjitha sëmundjeve aktuale të Kosovës. Vetëvendosje ka një agjendë ambicioze që synon transformimin e shërbimeve publike dhe infrastrukturës së Kosovës dhe duke bërë kështu ata shpresojnë ta bëjnë Kosovën një vend më tërheqës për investime të jashtme ekonomike. "Pastrimi" i sistemit do të përmirësojë gjithashtu imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe do t'i mundësojë vendit që të bëjë përparim në përpjekjet e tij për t'u bashkuar me BE”, ka shtuar për “Bota sot” Aidan Hehir./Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat