Deklaratat për bashkëpunim AAK-Lista Serbe, profesori tregon a mund ta bëjë këtë Haradinaj për postin e presidentit

Politika

Deklaratat për bashkëpunim AAK-Lista Serbe, profesori tregon a mund ta bëjë këtë Haradinaj për postin e presidentit

Nga: A.Z Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 14:42
Ramush Haradinaj

Rada Trajkoviq ka thënë se sipas informacioneve që ka marrë në terren, AAK e Haradinajt dhe Lista Srpska kanë bashkëpunuar për të zgjedhur deputetë që më pas do t’iu bëhet presion për ta zgjedhur presidentin. Këtë e quan ajo kurdisje të votave.

“Informacioni që marrim nga terreni nga disa komunitete të pakicave tregon se Lista Serbe, në koordinim me aktivistët e AAK-së së Haradinajt, po bashkëpunojnë në mënyrë që të sigurojnë 16 deputetë besnikë të pakicave, të cilët do të bëjnë presion për të zgjedhur presidentin e Kosovës”, ka thënë ajo.

Tutje ka thënë se nëse ky informacion është i saktë, kjo kombinatore elektorale cinike, e cila i kthen pakicat në një monedhë për ryshfet politik, minon frymën e planit Aahtisari dhe kërcënon integritetin e të drejtave të fituara me vështirësi për komunitetet pakicë në Kosovë.

Pas kësaj ka reaguar AAK, e cila ka thënë se këto deklarata janë gënjeshtër e kulluar, cinike dhe qesharake.

“Deklaratat e znj. Trajkoviq se gjoja AAK paska ndikuar në zgjedhjen e deputetëve minoritarë me qëllim të “kurdisjes” së zgjedhjes së Presidentit, janë gënjeshtër e kulluar, por edhe cinike e qesharake. Nuk është hera e parë që zonja në fjalë dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes me deklarata pompoze, por kjo është shumë e tepërt. Problemet që komuniteti i saj i ka brenda llojit, nuk duhet t’i adresojë dhe të hedh fajësinë tek të tjerët, e më së paku te një organizatë e dëshmuar për transparencë e konsistencë në tërë historinë e saj politike. Që nga nominimi i kryetarit Ramush Haradinaj si kandidat për President të Republikës, secili veprim i AAK-së në realizimin e këtij qëllimi, që ne e konsiderojmë të nevojshëm për Kosovën, ekuilibrin e pushtetit dhe ruajtjen e demokracisë, ka qenë plotësisht transparent dhe i njohur për qytetarët”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Lidhur me këtë, profesori Sulejman Mehazi, ka thënë se Rada Trajkoviq me anë të shpifjeve politike, mundohet të arsyetojë veten për mos suksesin gjatë 14 shkurtit. Por, nuk na besohet se AAK-ja ka bashkëpunuar me Listën serbe edhe pse kjo marrëveshje mund të kishte ndodhur duke parë lakminë e Haradinajt për president.

“Kush humb ka të drejtë të hidhërohet, këtë hidhërim e ka shprehur edhe, Rada Trajkoviq, e cila me anë të shpifjeve politike mundohet të arsyetojë veten për mos suksesin e saj gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit. Nuk na besohet se AAK-ja e Haradinajt gjatë fushatës zgjedhore ka bashkëpunuar me Listën serbe për të siguruar 16 deputetë të pakicave e për t'i bërë presione politike partisë fituese që të zgjidhet president i Kosovës, Haradinaj. Në anën tjetër duke ditur principet lakmuese të Haradinajt për president kjo marrëveshje e fshehtë mund edhe të kishte ndodhur”, është shprehur ai.

Sipas tij, Haradinaj këto lojëra politike i ka bërë dhe mund t’i bëjë edhe tani pas zgjedhjeve me Listën serbe por kurrsesi siç thotë Trajkoviç, që AAK-ja dhe Lista serbe kanë bashkëpunuar me qëllim që Haradinaj të bëhet president i shtetit.

“Deklaratat e Haradinajt ndaj serbëve janë të dyanshme e të kundërta, një ndaj Vuçiqit e qeverisë serbe jep deklarata shumë të ashpra për të fituar poena politike, dy ndaj minoritetit serb në Kosovë jo që bashkëpunon, po bëhej i butë duke koalicionuar me Listën serbe disa herë në qeveri. Po, të sqarohemi, se, Haradinaj këto lojëra politike i ka bërë e mund t'i bëjë edhe tani pas zgjedhjeve parlamentare me Listën serbe e pakicat tjera jo serbe në Kosovë e kurrsesi siç thotë znj. Rada Trajkoviç, se, AAK-ja ka pasur bashkëpunim parazgjedhor me Listën serbe për t'u bërë president i shtetit kryeta Haradinaj”, ka deklaruar Sylejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat