Paralajmërohet krizë e thellë në PDK, analisti përmend Thaçin, Veselin dhe njerëzit e SHIK-ut

Politika

Paralajmërohet krizë e thellë në PDK, analisti përmend Thaçin, Veselin dhe njerëzit e SHIK-ut

Nga: A.Morina Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 15:51
Foto ilustrim

Kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka shkruar një letër të hapur Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pas dështimit të kësaj të fundit, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Përmes letrës së publikuar, Lladrovci i ka kërkuar dorëheqje secilit kryetar të degës ku PDK ka pësuar humbje të elektoratit apo dobësim të ndjeshëm.

Ky reagim i Lladrovcit po cilësohet si një fillim i një krize politike brenda PDK-së, e cila do të vihet edhe më shumë në pah me krijimin e qeverisë së re, përcjell "Bota sot".

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, letrën e Ramiz Lladrovcit e cilësoi si një ajsberg brenda PDK-së.

Sipas Mehmetit, brenda Partisë Demokratike të Kosovës ekzistojnë dy grupacione politike, njëri ka mbështetjen e Thaçit, tjetri të Veselit.

“Brenda PDK janë së paku dy grupacione, njëri që e ka mbështetjen e Thaçit dhe tjetri të Veselit. Dështimi në zgjedhje natyrisht se do të rris tensionet brenda PDK, e cila duhet me çdo kusht të futet në procesin e reformave. Letra e Lladrovcit është maja e Ajsbergut brenda PDK-së, e cila ka shumë paqartësi për rrugën që duhet të ndjek”, deklaroi ai.

Analisti potencoi se ky subjekt politik ka nevojë për një reformë të dhimbshme, pasi brenda saj ekzistojnë ende njerëz të SHIK-ut, të cilët janë fajtorët kryesor për kapjen e shtetit.

“Kjo parti politike nuk ka lëviz drejt reformave, të kujtojmë se në 10-shen e parë të kryesisë 3 janë njerëz të SHIK, e që përflitet për kryesorët e kapjes së shtetit. Njerëz të tillë e qojnë në humnerë partinë, të cilët duket se Lladrovci e shpalos në këtë letër. Faktikisht, PDK duhet të ndjek një kurs tjetër, kjo ndodh me futjen e saj në reforma, të cilat janë të dhimbshme por të domososhme”, theksoi Mehmeti.

Në fund, ai paralajmëroi se me krijimin e qeverisë së re, në PDK do të shpërfaqen ndasitë politike dhe madje, mund të kemi edhe dorëheqjen e Hoxhajt, nga ushtruesi i detyrës së kryetarit.

“Pritet që ndasitë brenda PDK-së të dalin në sipërfaqe më të madhe, menjëherë sapo të krijohet Qeveria Kurti. Do të ketë edhe shumë persona që do rreshtohen në një linjë me Lladrovcin, që mund ta detyrojnë edhe vet Hoxhajn të jap dorëheqje”, përfundoi Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat