Çelësi i fitores së VV-së dhe humbjes së LDK-së është Vjosa Osmani

Politika

Çelësi i fitores së VV-së dhe humbjes së LDK-së është Vjosa Osmani

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 18 shkurt 2021 Në ora: 17:36
Vjosa Osmani, Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fetuse në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit. Edhe pse ende nuk janë numëruar edhe votat me kushte edhe ato të mërgatës, kjo parti ka fituar bindshëm karshi partive të tjera.

Në zgjedhjet e kaluara, të mbajtura në shator të 2019 Vetëvendosje kishte marrë 221.001 mijë vota, ku i bie 26.2%. Ndërkaq, në zgjedhjet e 14 shkurtit ajo ka marr 378.550 mijë vota ose 47.85 %.

Kjo i bie të jetë një rritje e lartë për VV. Por, kush ndikoi në rritjen e saj?

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti me iniciativë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u vërejtur një mbështetje e madhe në opinionin publikë ndaj VV-së.

Por, përveç Kurtit mbështetja u rritë edhe ndaj Vjosa Osmanit, pas largimit nga LDK-ja ku mbante postin e nënkryetares.

Ku si pasoj të kësaj, edhe ndikoi në rënin e LDK-së, e cila nuk arriti t`i merrte më shumë se 103.507 mijë vota apo 13,08%.

Lidhur më këto çështje, ka folur edhe kryetari në dorëheqje, Isa Mustafa ku është shprehur se nuk kanë gabuar që kanë prishur koalicionin me VV-në dhe se Vjosa Osmani s’ka ndikuar në humbjen e LDK-së, por ato vota kanë shkuar në VV.

“Kanë vendosur qytetarët, nuk e vë në pikëpyetje vendimin e tyre, por që nuk besoj se i kemi bërë mirë Kosovës me këtë rezultat dhe nuk besoj që kemi bërë gabim si LDK që kemi prish koalicionin me VV-në, sepse kemi bërë shumë mirë dhe e kemi bërë për të ruajtur marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për ta ruajtur dinjitetin e partisë tonë. Që s’e kemi paguar çmimin, ne paguajmë çmimin, por për mua shumë më i lehtë të paguajmë një çmim me një votë, edhe disa vota se sa të paguajmë çmime me partnerët tanë strategjikë dhe me ardhmërinë tonë. Derisa kemi zhvilluar fushatë në terren nuk ka pasur asnjë sinjal që ka ndikuar (shkuarja e Vjosa Osmanit). Vota jonë ka shkuar në VV, njerëzit që para një viti kanë votuar LDK-në, tani e kanë votuar Vetëvendosjen dhe ndryshimin që ata e kanë promovuar. A e kanë qëlluar apo jo, do ta shohim së shpejti”, ka deklaruar  Mustafa për media.

Sipas, ekspertëve bashkëpunimi i Kurtit dhe Osmanit kanë çuar deri te fitorja bindëse e Vetëvendosjes.

Mehazi: Vjosa e vetmuar do kalonte pragun,  Albini do ishte fitues

Profesori, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar arsyen se në qoftë se Kurti dhe Osmani nuk do të bashkëpunonin nuk do të kishin arritur këtë fitore bindëse. 

Image
Sulejman Mehazi

“Mençuria më e madhe e zgjedhjeve të 14 shkurtit ka qenë bashkëpunimi i binomit të mrekullueshëm politikë, Albin Kurti-Vjosa Osmani, të cilët  po të ishin të ndarë kurrsesi nuk do kishin kaq numër të madh votash e nuk do  fitonin kaq bindshëm”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas Mehaziit, rritja e votave është e anshme, sa e Albinit, po aq edhe e Vjosës.

“Rritja e votave e LVV-së është e dy anshme, sa e Albinit, po aq edhe e Vjosës, kështu që ky koalicion e bashkim i tyre ka ndihmuar njëri tjetrit, themi kështu për shkak se as Albini, e as Vjosa ndaras nuk do merrnin numër rekordesh të votave, Vjosa e vetmuar do kalonte pragun, kurse Albini do ishte fitues, po me numër më të ulët të votave e deputetëve ndaj oponentëve tjerë politikë”, ka theksuar ai.

Më tej, profesori ka potencuar se çelësi i fitores së VV-se dhe humbjes së LDK-së është Osmani.

“Nëse bëjmë një analizë më serioze do vërejmë se çelësi i fitores së madhe zgjedhore të LVV-së, po dhe çelësi i humbjes së madhe të LDK-së ka qenë Vjosa Osmani. Shkuarja e listës së Vjosa Osmanit në LVV-në ka fuqizuar fuqishëm Albin Kurtin, po dhe veten, në anën tjetër, Osmani devijoi e ndau fuqishëm e rëndë jo vetëm ish-partinë e saj, po edhe qytetarët e pakënaqur me anime LDK-iste votuan Vjosa Osmanit e jo Hotin e Isa Mustafën”, ka vlerësuar Mehazi.

Po ashtu, profesori e ka cilësuar Osmanin si qendra vepruese politike centrifugale e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Pra, qendra vepruese politike centrifugale e zgjedhjeve të 14 shkurtit ka qenë Vjosa Osmani, e cila në njërën anë demoloi LDK-në e Isa Mustafës, kurse LVV-së i dha një fitore historike, rekorde, të pa parë deri më tani në Kosovë”, ka deklaruar Mehazi për “Bota sot”.

Ahmeti: Ka shumë faktor që kanë ndikuar në këtë fitore

Ndërkaq, analisti politik, Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka deklaruar se Osmani ka ndihmuat në fitoren e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai shprehet se ka edhe faktor të tjerë  si keqqeverisja 20 vjeçare që  e kanë ndihmuar deri te fitorja e zgjedhjeve.

“Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që ka kontribuar në këtë fitore të madhe, por këtë fitore e ka ndihmuar edhe Vjosa Osmani. Ka shumë faktor që kanë ndikuar në këtë fitore, por mbi të gjitha keqqeverisja 20 vjeçare dhe konsistenca e Lëvizjes Vetëvendosje në qëndrime e parime karshi shumë proceseve të dëmshme për Kosovën kanë rezultuar në këtë realitet faktik”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ahmeti ka theksuar se frymës së fitores i ka kontribuar edhe Osmani me qëndrimet e saj ndaj proceseve të dëmshme ndaj vendit.

“Por, kësaj fryme të fitores i kontribuua edhe Vjosa Osmani, pasi ka qëndruar stoike karshi shume proceseve të dëmshme që janë instaluar në shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Ahmeti për “Bota sot”.

Qarri: Vjosa Osmani mori vota më shumë se çdo kandidat tjetër

Kurse, analisti politik, Gani Qarri për “Bota sot” shprehet se rezultati i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit për Vetëvendosjen është më i madhi në historinë e zgjedhjeve në 21 vitet e pas luftës.

Image
Gani Qarri

“Rezultati impresiv i fitores së Lëvizjes Vetëvendosje është më i madhi në historinë e zgjedhjeve të pasluftës në Republikën e Kosovës. Vota e qytetarit të vetëdijesuar të Kosovës, me 14 shkurt, ishte një referendum për rrëzimin e krimit, plebishit për ndryshimet në vend dhe votë e ndëshkimit ndaj personave dhe partive të inkriminuara, që mbi dy dekada me radhë, shkatërruan të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve, si dhe perspektivën e shtetit të Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Këtë dalje të qytetarëve në zgjedhje, Qarri e sheh si protestë të hapur të qytetarëve dhe se rezultati i VV-së ishte historik.

“Madje më tepër se votim, ajo ishte protestë e hapur e qytetarëve të lodhur me marifetet e Isa Mustafës dhe politikanëve të tjerë të inkriminuar të cilët për gjithë këto vite të rënda për vendin, kapën kryesitë e partive politike, institucionet dhe vet shtetin e Kosovës. Kështu që, jo vetëm dalja e qytetarëve në votime që ishte shumë më e madhe kësaj radhe, por edhe rezultati i Lëvizjes Vetëvendosje ishte historik dhe më i miri nga të gjitha zgjedhjet e pasluftës, ashtu siç ishte debakël i plotë dhe dështim katastrofal për LDK-në dhe gjithë kryesinë e saj të vjetërsuar e të pa-reformuar asnjëherë, tash e mbi një dekadë”, ka vlerësuar ai.

Më tej, Qarri ka potencuar se  Osmani ka pasur ndikim në rezultatin e VV-së, si dhe në rënien e votave të LDK-së, duke përmendur edhe faktin që ajo në zgjedhjet e 14 shkurtit ka dalë deputetja më e votuar.

“Ndërsa ndikim të rëndësishëm në grumbullimin kaq masiv të votave dhe rezultatin e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, pati bashkimi i zonjës Vjosa Osmani me këtë parti. Dr. Vjosa Osmani është një nga kandidatet më votuara në vend, që nga viti 2014 e këtej.  Madje megjithëse në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa ishte renditur e dyta në listën e paraqitur nga VV, ajo e vetme mori rreth 207 mijë vota, apo shumë më tepër se çdo kandidat tjetër për deputet, e ndoshta edhe më shumë se vet Albin Kurti ,votat e të cilit, megjithatë nuk mund të numërohen zyrtarisht, pasi që kandidimi i tij ishte ndaluar nga KQZ. Sido që të jetë, kjo tregon më tepër se qartë se Dr. Vjosa Osmani ka ndikuar dukshëm në rritjen e numrit të votave të LVV-së dhe rënien drastike të LDK-së, parti kjo e cila sikur mos të kishte hyrë në koalicion parazgjedhor me grupimin politik të Behgjet Pacollit, ndoshta do të binte edhe më poshtë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt dhe sot do të renditej në vendin e katërt”, ka thënë ai .

Po ashtu, Qarri ka përmendur fatin se Vetëvendosje ka fituar bindshëm në bastionet e LDK-së, si dhe për këtë ka hedhur kritika ndaj udhëheqësve të kësaj të fundit.

Fatkeqësi humbja e LDK-së

“Kjo për vet faktin se VV fitoi bindshëm edhe në të gjitha bastionet e LDK-së, madje në kryeqytet, pati vendvotime ku VV arriti deri në 70 % të votave të elektoratit, por megjithatë kryetari i degës së LDK-së në Prishtinë, i cili mbanë përgjegjësinë kryesore për këtë humbje kaq të thellë në kryeqytet, Ismet Beqiri mendon se këtë post e ka trashëguar me tapi nga i ati dhe as që dëshiron të dëgjojë për dorëheqje. E përderisa në asnjë komunë të udhëhequr nga LDK, nuk ka fituar LDK-ja, është turp që edhe pas gjithë këtij debakli dhe rënies kaq katastrofale në të cilën e ka sjellë partinë, Isa Mustafa, serish ai të merret me reformimin e partisë...në vend se të shpallen zgjedhjet në parti dhe të gjitha degët e LDK-së, anë e mbanë vendit.  VV me votat e numëruara deri më tani, ka siguruar 56 ulëse në kuvend, ndërsa me numërimin e votave të diasporës, ajo pritet të arrijë e vetme deri në 58 deputet. Ndaj është turp dhe fatkeqësi tepër e madhe, që edhe pas rënies kaq drastike të LDK-së me Isa Mustafën në krye, i cili e qoi këtë parti deri buzë shkatërrimit dhe shuarjes totale si subjekt politik dhe brenda më pak se një viti, i shkaktoi humbjen më të madhe në historinë e ekzistencës së LDK-së, me largimin e mbi 50 % të elektoratit, ai personalisht ende të flasë për LDK-në, dhe të udhëheqë “reformimin” e saj.”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Në fund, Qarri ka theksuar se Osmani përveç mbështetjes së qytetarëve, gëzon edhe mbështetjen e miqve ndërkombëtar.

“Në anën tjetër presidentja në detyrë, Dr. Vjosa Osmani, përveç mbështetjes së fuqishme nga elektorati vendor, shihet qartë, se gëzon edhe mbështetjen e madhe të miqve tanë të jashtëm dhe shteteve më të fuqishme ndërkombëtare, të cilat përveç përgëzimit për fitoren dhe zgjedhjet e mira në vend, nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia etj, i kanë dërguar asaj edhe telegrame urimi për 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, gjë që duhet vlerësuar lartë dhe çmuar shumë nga të gjithë, pa përjashtim”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat