Letra e Joe Biden për Osmanin, dallon nga ajo e Vuçiqit

Politika

Letra e Joe Biden për Osmanin, dallon nga ajo e Vuçiqit

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 19 shkurt 2021 Në ora: 08:34
Joe Biden

Kosova, me 17 shkurt ka festuar 13 vjetorin e pavarësisë. Në këtë 13 vjetor të pavarësisë, Kosova është përballur me sfida të ndryshme, duke përfshirë mos stabilitet politik, si dhe përballja me Serbinë gjatë dialogut me këtë vend.

Këtë temë kishte edhe letra e dërguar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Ai i ka dërguar një letër ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit, më 16 shkurt, ku ai i ka uruar pavarësinë, por edhe përmendet edhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Ne mezi presim që të punojmë me Qeverinë e ardhshme për të çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Ka shumë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë…”, thuhet në letrën e Bidenit dërguar Osmanit.

Mirëpo, president Biden, ditë më parë i kishte dërguar një letër edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku është treguar më i ashpër më shtetin serb.

Ku ka kërkuar nga Serbia se SHBA-ja pret që dialogun me Kosovën ta përfundojë me njohje të ndërsjellët.

“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhej në letrën e Bidenit dërguar Vuçiqit

Halili: A kërkohen kompromise për Kosovën?

Image
Nijazi Halili

Profesori Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar letrën e presidentit Biden dërguar Osmanit më rastin e pavarësisë së Kosovës.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka shkruar letër ushtrueses në detyrë presidentit, Vjosa Osmanit, me rastin e 13 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Presidenti amerikan në letër thotë se Kosova ka vend special në familjen e tij, për shkak të punës që ka bërë djali i tij, në Kosovë”, ka thënë ai.

Më tej, Halili ka shtuar se presidenti Biden ka specifikuar se duhet bërë ende për të arrit deri te marrëveshja për normalizim të raporteve me Serbinë

“Biden në këtë letër ka thënë se SHBA-të mezi presin të punojnë me qeverinë e re në rrugën drejt integrimit në Bashkim Evropian, derisa ka specifikuar se ka shumë punë për të bërë drejt arritjes së një marrëveshjeje për normalizim të raporteve me Serbinë që në qendër do të ketë njohjen reciproke”, ka theksuar ai.

Sipas profesorit, kjo letër tregon qartë përkushtimin presidentit Biden dhe administratës amerikane për arritjen e një marrëveshje.

“Ne qytetaret e Kosovës duhet të ndihemi krenar e me fat që në mbështetje kemi aleatin më të fuqishëm në botë SHBA në krye me presidentin e saj, Joe Bieden që do të ngelet shpresa dhe ardhmëria e vendin tonë, andaj me plot bindje dhe pa as një pikë dyshimi them se letra e drejtuar të parës së vendit zonjës Osmani, tregon qartë përkushtimin e presidentit Bieden dhe administratës amerikane për arritjen e një marrëveshje që do të përfundojë me njohje reciproke pa kushte dhe kompromise”, ka deklaruar Halili.

Halili ka treguar cilat janë dallimet e letrave të Bidenit, të cilat ai i ka dërguar Osmanit, si dhe Vuçiqit.

“Letra dërguar zonjës Osmani le për të kuptuar se presidenti Bieden, është i interesuar që bashkëpunimin dhe procesin e dialogut me palën serbe ta përmbyll me zonjën Osmani. Ditë më parë letra e presidentit Bieden drejtuar presidentit serb Vuçiq, tregon shumë qartë presionin e ushtruar dhe detyrimet pa kushte të administratës amerikane ndaj Serbisë për njohje reciproke dhe normalizim të situatës politike në Ballkan dhe integrimin e dy shteteve drejtë familjes Evropiane”, ka deklaruar Halili për “Bota sot”.

Letra e Biden-it, Shahu: Nuk jep porosinë e njëjtë për Osmanin dhe Vuçiqin

Image
Rexhep Shahu

Ndërkaq, analisti politik, Rexhep Shahu për “Bota sot” shprehet se letra e Biden-it për Osmanin është një letër rutine protokollare, por në të ceken edhe prania e përkrahja amerikane për Kosovën.

“Letra e presidentit amerikan Biden për ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës është një letër rutine protokollare që cilido president ia drejton homologut në ditën e pavarësisë. Por letra gjithashtu pohon interesin, praninë e përkrahjen amerikane për Kosovën si një shtet që më së pari është krijuar prej amerikaneve”, ka thënë ai.

Më tej, Shahu ka potencuar se nuk është hera e parë që Vuçiqi merr një letër të ngjashme sikur ajo e Bidenit.

“Amerika ka paralajmëruar që nga presidenti Trump me marrëveshjen në zyrën ovale të Shtëpisë së bardhë se do të marrë pjesë ose do të vëzhgojë e ndjekë procesin e dialogut shqiptaro - serb. Presidentit Vuçiq të dy presidentet amerikane i kanë dërguar pothuaj të njëjtën letër, dhe i thënë, diplomatikisht në mënyrë urdhërore se nuk ka zhvillime pozitive e përparime për Serbinë pa normalizim marrëdhëniesh me Kosovën”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Shahu shprehet se Osmanit nuk i jepen porosi sikur Vuçiqit, për faktin se Kosova nuk është bërë pengesë në dialog.

“Ne letrën dërguar ushtruese së detyrës së presidentit të Kosovës nuk jepen porosite si për Vuçiqin, pasi Kosova nuk është bërë pengesë as nuk ka devijuar dialogun. Amerika e din se Kosova nuk e mashtron Amerikën si Serbia e cila thotë po, por nuk e bën veprimin, pasi Serbia është e interesuar të mbajë pezull dialogun, të thithe fonde nga Bashkimi Evropian dhe të mbaje marrëdhënie politike e diplomatike edhe me Rusinë. Besoj se kjo administratë amerikane është me e familjarizuar me Kosovën e problematiken e saj”, ka deklaruar Shahu.

Letrat e Bidenit, Bytyçi: Njohja reciproke

Image
Adem Bytyçi

Kurse, opinionisti Adem Bytyçi, për “Bota sot” mendon se letrat e dërguara nga Biden për Osmanin dhe Vuçiqin kanë si porosi njohje reciproke.

“Për mendimin tim letra e Bidenit dërguar Vuçiqit dhe Vjosës, për vetëm urimit për ditën e të dyja shteteve kuptohet veç e veç dhe porosisë për njohje reciproke nuk mendoj të kenë ndonjë përmbajtje tjetër”, ka thënë ai.

Për këtë të fundit, ai shprehet se nuk mund të ketë njohje reciproke pa kompromis, pasi këtë e imponojnë marrëveshjet e mëparshme të Kosovës me Serbinë.

“Sa i përket përgjegjëses time po të me pyesin se a mund të ketë njohje reciproke pa as edhe një kompromis unë do të thosha jo, sepse këtë e imponojnë marrëveshjet e mëparshme të Kosovës me Serbinë, në të cilat Kosova është treguar shumë e shkujdesur”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat