14 shkurti ndëshkoi Thaçin dhe Veselin

Politika

14 shkurti ndëshkoi Thaçin dhe Veselin

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 shkurt 2021 Në ora: 19:34
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Më datën 14 shkurt u mbajtën zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, duke garuar 28 subjekte për 120 vende në parlament.

Edhe pse vendi gjendet në një situatë të vështirë pandemike, kjo nuk paraqiti problem për mbajtjen e zgjedhjeve në mënyrën më të duhur të mundshme.

Këto zgjedhje u lavdëruan për procesin e mirë të mbajtjes duke mos pasur parregullsi siç ndodhë në shumicën e zgjedhjeve.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ishte 46.90 %, pak më e madhe sesa në zgjedhjet e vitit 2019.

Në momentin kur përfundoi procesi i votimit dhe u mbyllën vendvotimet, atëherë filluan që të numërohen votat në disa vendvotime duke përfunduar numërimi i votave pas dy dite, duke mos llogaritur ato të diasporës.

KQZ nga rezultatet preliminare tregoi që fituese doli të jetë LVV me rreth 47% dhe pas saj PDK me rreth 17.5 %, por ajo që pësoi rënie ishte LDK-ja me 13.4%.

Këto zgjedhje përveç që u zhvilluan para kohe dhe në një kohë pandemie, u cilësuan edhe të parat që u zhvilluan në mungesë të ish-presidentit Hashim Thaçi, kreut të PDK-së, Kadri Veseli dhe ish-kryetarit të parlamentit Jakup Krasniqi dhe deputetit Rexhep Selimi, nga radhët e LVV-së.

Mungesa e Thaçit dhe Veselit padyshim që patë peshën e saj në këto zgjedhje, sado që Hoxhaj kaloi në krye të kësaj partie ai nuk mundi të zërë vendin e prijësve të PDK-së.

Kjo mungesë u shoqërua edhe me një incident në fushatat parazgjedhore në qytetin e Skënderajt, kur në këtë qytet shkoi për fushatë kreu i VV-së, Albin Kurti.

Skënderaj njihet historikisht që ka përkrahur Partinë Demokratike të Kosovës, andaj kjo bëri që shumë qytetarë të brohorasin “Thaçi, Thaçi” dhe “UÇK”.

Ky incident u komentua shumë duke mos arsyetuar këto veprim të qytetarëve të Skënderajt, mirëpo që karshi tyre nuk u ndërmorën asnjë masë.

Por pavarësisht kësaj PDK doli të jetë e dyta nga lista e partive fituese.

Njohësi e çështjeve politik për “Bota sot” u shpreh që mungesa e Thaçit dhe grupi të tij ishte pozitive për vendin duke lejuar që këto zgjedhje të zhvillohen pa asnjë parregullsi, përkundrazi të arrijnë qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, u shpreh që populli në këto zgjedhje ishte i vendosur të largojë klasat e vjetra politike në vend.

Qarri: 14 shkurt, ishte votë e ndëshkimit ndaj personave si Thaçi

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që mungesa e Thaçit dhe Veselit pati anët pozitive të saj duke i ndëshkuar ata më 14 shkurt dhe i dhënë goditje korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Image
Gani Qarri

“Fushata e pështirë që kohëve të fundit bënë RTK, dhe argatët e SHIK-ut në këtë medium "publik", në emër të mbrojtjes së "çlirimtarëve" është kthyer në propagandë të pashembullt vizive dhe akt noshalant shtetëror. Vota e qytetarëve të vetëdijesuar të Kosovës, me 14 shkurt, ishte votë e ndëshkimit ndaj personave si Thaçi & Co dhe partive të inkriminuara të udhëhequra nga ai me shokë, goditje ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe një referendum gjithë popullor, për ndryshime në vend, për të tashmen dhe të ardhmen më të mirë të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, tha analisti.

Qarri, në këtë mes përmend edhe mediumin publik të vendit RTK-në e cila sipas tij ka lobuar për PDK-në duke shtuar që sado që është munduar ky medium dhe ato mediume të tjera që kanë sponzorizuar ata nuk kanë arritur që të manipulojnë.

Sipas analistit, qeveria e re duhet të fillojë sa më shpejt të pastrojë këto mediume sidomos RTK-në, pasi që qytetarët kanë nevojë për një medium të paanshëm dhe pa imponim të mendimeve.

Gjithashtu Qarri thotë që ne si popull jemi duke pritur për zbardhjen e rasteve nga Specialja dhe ta dëshmojnë vetën ish-ushtarët e UÇK-së që kanë qenë dinjitoz të vendit.

“Ndaj RTK dhe asnjë medium tjetër, nuk mund t`ua mbulojë a zbukurojë të kaluarën as parashkruaj të ardhmen të burgosurve në Hagë, aty do të zhvillohet një proces transparent gjyqësor, jo si në Kosovë, ku të burgosurit ikin natën nga burgu dhe kalojnë kohën në shtëpi me familje e shoqëri, duke u tallur me gjykata dhe gjyqtar. Atje të arrestuarit mbahen në objektet e parapara për raste të tilla, derisa të vendoset në bazë të veprave dhe dëshmive të faktuara me argumente, se si do të veprohet më tutje me ta, nga gjykata e pandikuar politikisht. Ndaj edhe qytetarët e Kosovës duhet të lejohen, që të krijojnë mendimin e vet të lirë dhe bindjet e tyre të pavarura, si dhe ti vlerësojnë vet edhe të arrestuarit në Hagë, sipas fakteve që do të shpalosen në procesin gjyqësor, i cili do të jetë i hapur për të gjithë dhe jo tu imponohet atyre paraprakisht bindja e ndërtuar nga argatët e SHIK-ut në RTK, sepse kjo nuk mund të ndikojë në vendimet e Gjykatës Speciale. Qeveria e re, duhet ta spastrojë, një orë e më parë nga elementët e SHIK- edhe televizionin publik, për t`ua kthyer atë qytetarëve të vendit për të cilët edhe është krijuar si medium dhe shpëtoj ata nga propaganda komuniste që zhvillohet aty, si në televizionet e Koresë veriore. Kurse ne si popull dhe qytetar të paanshëm politik a klanor, pa marrë parasysh propagandën e sponsorizuar të mediumeve të caktuara, sa u takon të arrestuarve në Hagë, mbetemi në pritje të zbardhjes së fakteve me shpresë, që ata edhe para Gjykatës Speciale ta dëshmojnë veten, se vërtetë ishin ushtarë dinjitioz të vendit dhe udhëheqës të njëmendtë të UÇK-së, dhe jo të kenë bërë, diçka tjetër që nuk do të na pëlqente asnjërit ta shohim dhe dëgjojmë. Të mos na befasojnë neve në Kosovë, as miqtë tanë ndërkombëtarë me prapësitë e aluduara dhe veprat kriminale, si vrasja e qindra shqiptarëve dhe humbja e jetëve të pafajshme, gjatë dhe pas luftës, siç ngarkohen me akuza, nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, vepra nga të cilat, nëse vërtetohen, nuk mund ti mbrojë SHIK-u, as RTK dhe as tu imponohet shqiptarëve që ti konsiderojnë ata me forcë, si “çlirimtar”, është shprehur Gani Qarri për “Bota sot”.

Ai shton se ky proces ishte i veçantë për vet faktin që nuk ishte Thaçi dhe grupi i tij dhe se kjo mungesë arriti të mos shkaktojë asnjë incident e asnjë keqpërdorim të votës së qytetarëve.

“Në anën tjetër, ajo që është me rëndësi të ceket në këto momente vendimtare për Kosovën, është fakti se mungesa e Hashim Thaçit me shokë, vërtetë ka bërë që edhe procesi paraelektoral dhe vet votimet e zgjedhjeve të 14 shkurtit të shkojnë jo vetëm shumë më në rregull, por dhe pa asnjë lloj problemi dhe incidenti, si asnjëherë më parë. Madje ky proces zgjedhor ka qenë i veçantë dhe me të drejtë është lavdëruar shumë e vlerësuar lartë, si procesi më i mirë dhe shembull edhe për vendet e rajonit, akt për të cilin meriton të çmohet nga të gjithë ne. Vetëm vetëdijesimi i jashtëzakonshëm i votuesve dhe mbarë popullit të Kosovës, si dhe mungesa e nxitësve të konflikteve dhe shkaktarëve të problemeve në vend, si Hashim Thaçi & Co, që kësaj radhe ndodhen në Hagë, vërtetë ka bërë që të shkojë çdo gjë në rregull dhe jo vetëm të mos ndodhë asnjë incident, por edhe të mos ketë keqinterpretim as kurrfarë keqkuptimi ndërmjet njerëzve, as partive pjesëmarrëse në procesin zgjedhor”, ka potencuar Qarri.

Mungesa e Thaçit dhe Veselit ka shtensionuar fushatat parazgjedhore por edhe procesin e zgjedhjeve

Analisti më tej thekson që mungesa e Thaçit dhe Veselit ka arritur që të shtensionojë shumë fushatën elektorale pore dhe të normalizoj procesin e zgjedhjeve në vend.

E që sipas Qarrit nga kjo mungesë pamë që nuk është shfaqur asnjë dyshim për keqpërdorime, falsifikim as akte të tjera kundërligjore.

“Duke pasur parasysh faktin se në zgjedhjet e kaluara, ka pasur akuza të mëdha për vjedhje industriale të votave, keqpërdorim të listave të votuesve, favorizim të segmenteve dhe kandidatëve nga partitë e ashtuquajtura "të dala nga lufta", mungesa e udhëheqësve të tyre, jo vetëm që ka shtensionuar shumë fushatën elektorale, por ka normalizuar edhe vet procesin e të bërit zgjedhje në Kosovë. Kështu që zgjedhjet e 14 shkurtit, do të mbahen mend për të mirë, si asnjëherë më parë, procesi elektoral i të cilave ka nisë dhe përfunduar pa asnjë problem, kundërthënie a incident sado të vogël a minor, nuk është shfaqur asnjë dyshim për keqpërdorime, falsifikim as akte të tjera kundërligjore, dhe është pranuar rezultati nga të gjithëa partitë, ende pa përfunduar numërimi i të gjitha votave, gjë që nuk është vërejtur në masë të tillë kaq madhështore edhe në të kaluarën”, ka vlerësuar ai.

Krejt në fund, analisti shprehet që këto zgjedhje kanë qenë ato të cilat janë zhvilluar më së miri dhe do të mbahen mend si zgjedhjet më shembull në vendin tonë, e kjo krejt falë mungesës së Thaçit dhe grupit të tij.

“Ndaj e gjitha kjo dëshmon edhe njëherë më tepër, se mungesa e strumbullarit të të gjitha problemeve, përçarjeve dhe ngatërresave, Hashim Thaçi & Co, ka ndikuar shumë pozitivisht, edhe për mbarëvajtjen e të gjithë procesit zgjedhor, që ai të zhvillohet, kështu si u zhvillua, fare pa probleme, në mënyrë shumë dinjitoze, të qetë e të rregullt dhe pa asnjë konfuzion a incidente çfarëdo qofshin ato, duke u bërë mësimi më sublim dhe shembulli më i mirë i deritanishëm edhe për proceset e ardhme zgjedhore në Kosovë”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

Burjani: PDK arriti votat që nuk i priti se do i ketë

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka komentuar zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën më 14 shkurt.

Sipas tij, këto zgjedhje janë zhvilluar në mënyrën më të mirë të mundshme por që është dëmtuar interesi i PDK-së, e cila pa udhëheqës arriti të fitojë votat që nuk e kishte menduar as ajo vetë.

Image
Blerim Burjani

“Zgjedhjet edhe në vitin 2019 kanë shkuar normal dhe mirë, pa probleme të theksuara. Por kësaj here më shumë është dëmtuar interesi i PDK-së, e cila pa lider politik ka mbërri më shumë se sa që ka pritur si parti politike”, ka thënë Burjani.

Më tej, Burjani thekson që PDK ishte befasi jo e keqe në këtë gjendje politike në të cilën po gjendemi që kanë filluar të përmbysen klasa e vjetër politike.

“Pra ka qenë befasi jo e keqe në këtë gjendje kaotike popullore dhe përmbysje të klasës së vjetër politike për shkak se një kohë të gjatë ka pas kalbje të qeverisjes”, është shprehur juristi.

Ai shton se rënia e LDK-së, ka ardhur si rezultat i mllefit të popullit I cili ka pasur për qëllim të largojë klasën e vjetër politike dhe nuk lidhet me Isa Mustafën.

“Populli i lodhur, i mërzitur dhe i brengosur për fatin e vetë është nxituar me çdo kusht me largu këtë klasën politike të vjetër duke përfshirë këtu edhe LDK-në. Humbja e votave nuk lidhet me Isa Mustafën por me mllefin e mbledhur qe një kohë të gjatë, pra mllefi ka fituar, jo diçka tjetër”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat