A duhet të vendoset masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, nga Albin Kurti?

Politika

A duhet të vendoset masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, nga Albin Kurti?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 20 shkurt 2021 Në ora: 08:45
Albin Kurti

Gjatë fushatës zgjedhore, liderët politikë kanë dhënë premtime të shumta, nëse marrin qeverisjen në duart e tyre. U përfol për ngritje ekonomike, rritje rrogash, për dialogun e për reciprocitetin. Për këtë të fundit kishte folur edhe Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes, partia e të cilit doli bindshëm e para në zgjedhje.

Kështu, Kurti ka thënë se nëse bëhet kryeministër i Kosovës, do të vendos masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, masë që ishte dhe më herët por u hoq.

Njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar për “Bota sot” nëse duhet të vendoset reciprociteti ndaj Serbisë.

“Reciprociteti të jetë masë e domosdoshme”

Kështu, Faton Mehmeti, njohës i çështjeve politike, thotë se reciprociteti duhet të jetë masë e domosdoshme në rast se Serbia nuk iu përmbahet dy marrëveshjeve të rëndësishme.

Image
Faton Mehmeti

“Mendoj se reciprocitet duhet të jetë masë e domosdoshme, nëse Serbia nuk u përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara me Kosovën, në veçanti dy prej tyre: të mos loboj kundër njohjeve, si dhe të mos pengoj Kosovën të futet në organizata ndërkombëtare”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, nëse këto dy veprime nuk u përmbahet Serbia, Kosova duhet të ndërmerr një veprim të tillë, për të dëshmuar edhe ajo reagimin e saj, mbi të gjitha të dinjitetit.

“Besoj se Albini nuk do e vendos menjëherë reciprocitetin, pa e sprovuar Serbinë për veprimet e saja, si dëshmi para botës se është Serbia ajo që po e detyron palës shqiptare të Kosovës për një reagim të tillë. Ka përfunduar, ose thënë më mirë, duhet të përfundoj lojaliteti ndaj Serbisë, e cila duhet të mësohet që të sillet ndryshe me Kosovën. Besoj se për një reagim të tillë, nëse vendos ta bëj Albini, duhet të konsultohet edhe me miqtë tanë ndërkombëtar, sidomos me SHBA. Pa një konsultim të tillë, edhe nëse vendoset, s’do të jetë aq i dobishëm për vendin tonë”, vlerëson analisti Mehmeti.

Duhanaj: Nëse Kurti e paketon reciprocitetin si të pranueshëm për faktorin ndërkombëtar, është pozitiv edhe për Kosovën

Ndërkaq, analisti politik Leon Duhanaj thotë se Kurti e ka proklamuar reciprocitetin edhe para zgjedhjeve.

Image
Leon Duhanaj

“Për mendimin tim reciprociteti është raporti me i thjeshtë dhe me normal në marrëdhëniet bilaterale ndërkombëtare. Nëse z. Kurti, arrin ta paketojë si të pranueshme për faktorin ndërkombëtarë, kishte me qenë shumë pozitive për Kosovën”, thekson ai.

Sipas tij, më e rëndësishme është të bëhen përpjekje të fitohet mbështetja ndërkombëtare në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë e jo t’i irritojmë partnerët tanë.

“Megjithatë, mendoj që është me e rëndësishme të bëhen përpjekje për ta përfituar mbështetjen ndërkombëtare në kauzën e zgjidhjes, përkatësisht marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, se sa të mbahemi për simbolika dhe t'i irritojë partnerët tanë të rëndësishëm”, thekson Duhanaj.

Analisti Duhanaj ka përmendur tutje edhe përfitimet që mund të ketë Kosova me reciprocitet.

“Me reciprocitet fiton përkohësisht në disa segmente, por nëse miqtë tanë nuk janë dakord me të, mund të humbim me shumë.  Reciprociteti mund të jetë përfitim i përkohshëm, por synimi ynë duhet të jetë zgjidhja e përhershme”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat