“Një agim i ri për Kosovën”, eksperti amerikan ia jep një propozim Albin Kurtit se si ta luftojë korrupsionin

Politika

“Një agim i ri për Kosovën”, eksperti amerikan ia jep një propozim Albin Kurtit se si ta luftojë korrupsionin

Nga: A.Zh Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 08:09
Albin Kurti

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka folur për prioritetet që duhet t’i ketë qeveria e re e Kosovës.

Ndër prioritetet, Ben-Meir ka përmendur luftimin e pandemisë, tërheqjen e investimeve të reja dhe luftimin e korrupsionit. Ai ka propozuar që Qeveria të caktojë një Inspektor të Përgjithshëm që të hetojë çdo agjenci sipas dëshirës dhe pa njoftim paraprak për ta luftuar korrupsionin.

Ai poashtu për gazetën “Bota sot” ka përmendur edhe investimin në teknologji të reja dhe zhvillim ekonomik për hapjen e vendeve të reja të punës dhe dialogun me Serbinë. Sipas tij, Albin Kurti duhet t’i jap fund konfliktit me Serbinë, që të përshpejtohet integrimi në BE.

“Se cilat duhet të jenë përparësitë e qeverisë së re të Kosovës, unë sugjerova sa vijon, të them shkurt: a) Adresimi i pandemisë; b) Të tërheq investime të huaja me qëllim adresimin e problemeve ekonomike dhe krijimin e mundësive për punë; c) Të merret me korrupsionin duke caktuar një Inspektor të Përgjithshëm me një mandat për të hetuar çdo agjenci qeveritare dhe ndërmarrje private sipas dëshirës dhe pa asnjë njoftim paraprak për të shkulur korrupsionin; d) Të investojë në teknologji të reja dhe zhvillim ekonomik për të siguruar punë të reja dhe për të zvogëluar ndjeshëm numrin e të rinjve që po largohen nga Kosova. Ikja e trurit duhet të ndalet nëse Kosova do të bëhet një shtet i zbatueshëm dhe me të vërtetë i pavarur; e) Të bëjë marrëdhënien Kosovë-Serbi një prioritet dhe t'i jep fund konfliktit dhe mos ta bëjë atë prioritetin e gjashtë ose të shtatë siç tha Kurti, pasi kjo do të përshpejtojë thelbësisht procesin e integrimit në BE; f) Të mbajë një lidhje të ngushtë me BE-në dhe SHBA-në për të siguruar mbështetjen e tyre politike dhe financiare”, ka thënë për gazetën profesori amerikan.

Ben-Meir ka theksuar se tani është një agim i ri për Kosovën dhe se Kosova duhet ta shfrytëzojë afinitetin e presidentit amerikan Joe Biden, që të punojë ngushtë me SHBA-në dhe të kufizojë ndikimin e Turqisë në vend.

“Tani që Biden është President i SHBA dhe duke pasur parasysh afinitetin e tij me Kosovën, Prishtina do të fitojë shumë duke punuar ngushtë me SHBA-në dhe duke kufizuar ndikimin e Turqisë në vend. Për të qenë të sigurt, ky është një agim i ri për Kosovën, i cili vjen pikërisht në 13 vjetorin e Kosovës. Të gjithë qytetarët kanë një arsye të mrekullueshme për të festuar këtë moment në historinë e tyre, derisa presin një të ardhme më të mirë dhe të ndritur”, ka thënë Alon Ben-Meir./BS

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat