Ndëshkimi i LDK-së, Isa Mustafa fajtori kryesor – të gjitha gabimet e tij për rezultatin e dobët në zgjedhje

Politika

Ndëshkimi i LDK-së, Isa Mustafa fajtori kryesor – të gjitha gabimet e tij për rezultatin e dobët në zgjedhje

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 22 shkurt 2021 Në ora: 10:23
Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit ka përjetuar rezultatin më të dobët në historinë e saj, shkruan gazeta “Bota sot”.

Kjo parti, sipas rezultateve të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka dalë në vendin e tretë, pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas marrjes së rezultatit, është deklaruar lidhur me atë se çfarë ka ndodhur realisht në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe humbja e thellë që partia e tij mori nga këto zgjedhje.

Mustafa ka deklaruar se dorëheqja nga pozita e kryetarit ka ardhur si akt moral dhe jo si akt pendimi, meqë tha se edhe po të kthehej pas do ta drejtonte njëjtë LDK-në, duke ruajtur vlerat pro-evropiane, partneritetin me SHBA-të dhe qeverisjen pa skandale dhe korrupsion.

Kryetari në largim tha po ashtu se do t’iu kërkonte falje qytetarëve nëse LDK-ja do të ndëshkohej se nuk ka qeverisur mirë apo me skandale, gjersa u shpreh se do të ndihej i lehtësuar nëse do ta dinte se pse qytetarët e kanë ndëshkuar partinë e tij në këto zgjedhje.

“E ndëshkuan, sepse nuk u nënshtrua ndaj propagandës së majtë, ndaj dhunës dhe presionit, ashtu siç nuk u nënshtrua nga Serbia në vitet e nëntëdhjeta. Apo, pse?”, ka deklaruar mes të tjerave Isa Mustafa.

Veprimtarë të këtij subjekti dhe njohës të zhvillimeve politike, gjithë barrën e humbjes së madhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit, ia hedhin liderit të këtij subjekti, që udhëhoqi partinë për mbi 10 vite.

Madje, ata janë të mendimit se garda e vjetër e LDK-së, tashmë është shndërruar në figura që i urren pjesa dërmuese e anëtarësisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës.

Tahiraj: Rezultati i dobët, fajtori kryesor Isa Mustafa, personi më i dëmtuar në tërë këtë proces Avdullah Hoti

Image
Saim Tahiraj

Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, e ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, faktori kryesor për rezultatin e dobët të Lidhjes Demokratike të Kosovës, është kryetari në largim i këtij subjekti, Isa Mustafa.

“Humbjen e thellë të LDK-së në këto zgjedhje të jashtëzakonshme e sollën disa faktorë. Faktori kryesor është pikërisht kryetari Mustafa, i cili ka disa vite që është shndërruar në një figurë të padëshirueshëm për pjesën dërmuese të anëtarësisë së saj, madje do thosha se për një pjesë të konsiderueshme të saj edhe në figurë të urryer skajshmërish. Nuk e di se a e ka vërejtur këtë por një politikan dhe lider i rangut të lartë, siç e konsideron vetën, ka qenë dashur ta vërejë këtë dhe para disa viteve të largohej nga kreu i LDK-së. Nëse nuk e ka vërejtur apo e ka vërejtur dhe nga inati ka qëndruar në krye të LDK-së, e ngarkojnë me barrën e madhe të përgjegjësisë sepse mbetet shkaktari kryesorë i humbjes së LDK-së”, ka thënë Tahiraj.

Ai shprehet se partitë kundërshtare të LDK-së, e shfrytëzuan mjaftueshëm kryeneçësinë e Isa Mustafës.

“Faktori i dytë ishte, mos largimin e z. Mustafa nga pozita e kryetarit të LDK-së, kundërshtarët politik të LDK-së e shfrytëzuan këtë pakënaqësi në mënyrë perfekte dhe e thelluan këtë pakënaqësi duke e shndërruar në urrejtje të madhe. Kjo urrejtje u shpërfaqë haptazi ditën e votimit ku e dënuan Isa Mustafën me këtë rezultat, i cili ishte më i dobëti që nga themelimi. Faturën e këtij dënimi fatkeqësisht po e paguan LDK-ja e jo Isa Mustafa. Ky person nuk duhet të kaloj kaq lehtë me një akt të një dorëheqje të çuditshme, por duhet ta marrë dënimin e merituar. Faktori i tretë ishte, rebelimi i Vjosa Osmanit e cila nga egoja madhe dhe inati ja hapi derën kësaj pakënaqësie duke e drejtuar drejt VV-së. Nga mllefi dhe urrejtja që kishte anëtarësia e LDK-së ndaj Isa Mustafës dhe disa personave në kryesi e barti votën në VV-je si dënim. Fatkeqësisht. ky ishte vetëdënim sepse ata dëmtuan shtëpinë e tyre politike LDK-në”, është shprehur ai.

“Isa Mustafa, Lutfi Haziri, Agim Veliu e Haki Rugova, janë shndërruar në figura që i urren pjesa dërmuese e anëtarësisë”

Sipas tij, personi më i dëmtuar në tërë këtë proces, padrejtësisht doli kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

“Qeveria më e suksesshme që nga pas lufta të cilën e drejtoj ai, padrejtësisht po i paguajnë shtrenjtë faturat e Isa Mustafës dhe disa personave në kryesi. Isa Mustafa, Lutfi Haziri, Agim Veliu, Haki Rugova dhe ndonjë tjetër, janë shndërruar në figura që i urren pjesa dërmuese e anëtarësisë së LDK-së. Ata duhet larguar sa më parë dhe mos të paraqiten fare për ndonjë pozitë udhëheqëse, në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, që do mbahen në LDK. Ky do jetë veprimi më i mirë dhe më i duhuri që mundë të ja bëjnë LDK-së. Këto zgjedhje të jashtëzakonshme që duhet të mbahen në LDK, në të gjitha nivelet, të jenë të lira dhe me votë të fshehtë. Isa me kompani sa më larg duart nga këto zgjedhje, është momenti i fundit ku duhet të dali një kryesi dhe kryetarë konsensual, nga brumi i LDK-së dhe jo satelit që dje kanë ardhur në LDK”, është i mendimit Tahiraj.

Sa i përket reformave në LDK, ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt ka thënë se kjo parti për detyrë primare ka kthimin e frymës Rugoviane, dhe rikthimin e anëtarësisë që vazhduan rrugën në partitë tjera.

“Kjo kryesi dhe kryetari i dalë nga këto zgjedhje e kanë për detyrë primare kthimin e frymës Rugoviane në LDK dhe të fillojnë kthimin e anëtarësisë së saj të shkapërderdhur nëpër parti tjera. Kur them kthimin e anëtarësisë së saj, nuk mendoj në disa figura kryesore që e drejtuan në rrugë të gabuar këtë anëtarësi. Ata/ato manipuluan në mënyrën më të pandershme me pakënaqësitë e tyre, andaj nuk duhet lejuar kthimi i tyre, së paku jo në këtë kohë krizë dhe tensionesh”, ka deklaruar Saim Tahiraj.

Gani Qarri: Isa Mustafa sundoi në mënyrë arbitrare LDK-në

Image
Gani Qarri

Lidhur me zhvillimet dramatike në të cilën është duke kaluar Lidhja Demokratike e Kosovës, ka folur edhe analisti, Gani Qarri. Ai në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se nga viti 2010 e këndej Isa Mustafa sundoi në mënyrë arbitrare LDK-në dhe që nga ardhja në krye të saj, nuk lejoi asnjë reformim.

“Ai futi metodat komuniste të udhëheqjes edhe në kryesinë e partisë duke bërë përjashtime të njëpasnjëshme dhe diferencime të stilit komunist, ndryshoi statusin që të mos ketë kundër-kandidatë dhe zgjidhet e rizgjidhet gjithmonë vetëm ai kryetar, nuk lejoi asnjë reformim brenda partisë dhe koketoi me figurat më të inkriminuara në vend si Thaçi & Co, shkeli në mënyrë të përsëritur Kushtetutën dhe humbi të gjitha zgjedhjet në dekadën që ai udhëhoqi me LDK-në, duke fajësuar e fyer votuesit dhe popullin e Kosovës publikisht, është vërtetë për tu habitur, se si Isa Mustafa ende nuk është në gjendje ta kuptojë se pse ia ktheu shpinën atij dhe LDK-së, elektorati dhe shumica e qytetarëve në vend. Vet votimi në mënyrë kaq masive i zonjës Dr. Vjosa Osmani nga elektorati i LDK-së dhe qytetarët e vendit, e cila jo vetëm që ishte kandidatja më e votuar por sipas mediave vendore, e vetme, mori më shumë vota se e gjithë partia e LDK-së bashkë, flet qartë dhe në mënyrën më domethënëse se sa shumë mllef ishte mbledhur tek votuesit shumëvjeçar të LDK-së, dhe të gjithë qytetarët e Kosovës kundër ish kuadrit besnik të LKJ-së e LKS-së dhe ish bashkëpunëtorit të Rrahman Morinës, Isa Mustafa”, tha Qarri.

Ai madje konsideron se sa ishte në krye Mustafa, partia e tij nuk fitoi asnjë palë zgjedhje duke turpëruar partinë e Dr. Ibrahim Rugovës dhe të gjithë votuesit besnik të saj.

“Sikur mos të mjaftonin manipulimet tinëzare tipike ish komuniste, me të cilat Isa Mustafa u shërbye për të ardhur në krye të LDK-së, me tu vendosur në krye të saj, fillimisht ndryshoi dhe përshtati në atë mënyrë edhe statusin e partisë që të mund të kandidonte dhe fitonte vetëm ai vet, pa të drejtë konkurrence nga kundër kandidatët e tjerë, shkatërroi degën e LDK-së në Gjakovë dhe gjatë një dekade sa Isa Mustafa mbeti në krye të kësaj partie, LDK nuk fitoi asnjë palë zgjedhje duke turpëruar partinë e Dr. Ibrahim Rugovës dhe të gjithë votuesit besnik të saj. Madje megjithëse pas përplasjeve mese 6 mujore ndërmjet shumicës së partive politike në Kosovë, që PDK mos të lejohej të vinte serish në pushtet, më 2014, Isa Mustafa tradhtoi partnerët dhe u fut në pazare me Hashim Thaçin, për tu bërë vet kryeministër, me kusht që pas 14 muajsh Hashim Thaçi me votat e imponuara të deputetëve të LDK-së, të katapultohej në pozitën e presidentit, ashtu siç edhe ndodhi”, ka thënë analisti politik.

Tutje, ai ka treguar po ashtu edhe disa nga gabimet e Mustafës që ndikuan në rezultatet e dobëta të LDK-së në zgjedhje.

“Megjithatë, pas arritjes së qëllimeve të Thaçit për marrjen e postit të të parit të shtetit, pa vonuar shumë, për shkak të marrëveshjes antiligjore për formimin e Asociacionit të Komunave serbe me kompetenca ekzekutive brenda shtetit të Kosovës, të nënshkruar në Bruksel nga Isa Mustafa, që nga Gjykata u dëshmua se me nënshkrimin e tij, Isa Mustafa kishte shkelur kushtetutën, pastaj demarkacioni me Malin e Zi, ku Kosova humbi mbi 8 mijë hektarë tokë, mosliberalizimi i vizave, papunësia e madhe dhe ikja e mbi 200 mijë qytetarëve të Kosovës “nga parajsa” që Isa Mustafa “krijoi” me qeverisjen e tij, bënë që me votat e vet PDK-së, ai të rrëzohej para kohe nga Qeveria me 78 vota kundër tij në Kuvend duke pamundësuar që ta qojë edhe qeverisjen deri në fund”, tha ai.

Përgjatë këtyre viteve sa drejtoi LDK-në, Qarri konsideron se Mustafës askush nuk kishte guximin që t’i kundërvihej.

“Për aq më tepër, përveç faktit që Isa Mustafa për dhjetë vite me radhë mbeti mbret i padiskutueshëm i LDK-së, pa lejuar asnjë kundër kandidat a konkurrent, të cilit nuk guxoi ti kundërvihej as ta kundërshtonte askush brenda partisë, gjatë gjithë këtyre viteve Isa Mustafa përjashtoi edhe shumë kuadro të shquara nga LDK dhe nuk pushoi diferencimet e personaliteteve më të njohura nga kjo parti deri te Vjosa Osmani, e cila edhe në zgjedhjet e kaluara ishte njëra ndër Kandidatet më të votuara në vend”, ka potencuar Qarri.

Me tej, analisti shprehet se fyerjet dhe nënçmimi i patolerueshëm që iu bë votuesve nga ana e Isa Mustafës, elektorati u mbush mllef dhe në këto zgjedhje e ndëshkoi këtë parti.

“Kooketimi i tij me figurat më kontroverse dhe të inkriminuara, rrezikimi i shtetit të Kosovës me Asociacionin e komunave serbe, humbja e territorit të vendit, shkelja e Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, formimi i qeverisë kundër kushtetuese në kohë pandemie edhe me vota të deputetëve të dënuar me vendime të plotfuqishme ligjore, fyerja dhe nënçmimi i patolerueshëm i votuesve, përjashtimi i Vjosa Osmanit nga partia etj, bënë që elektorati të mbushej aq shumë mllef kundër tij, sa që ta votonte jo vetëm Dr. Vjosa Osmanin, por edhe vet LVV-në në mënyrën më masive të deritanishme dhe të kalonte në anën e VV-së, nga dëshpërimi i madh me Isa Mustafën, Avdullah Hotin dhe kryesinë e vjetërsuar të LDK-së, të pa reformuar asnjëherë që nga ardhja e Isa Mustafës në krye të saj”, tha me tej analisti.

Sipas tij, duke u munduar t’i heq të gjitha fajet nga vetja dhe munduar që humbjen ta përshkruajë si penalizim vetëm të LDK-së, në zgjedhjet e 14 shkurtit, ai këtë e vlerëson si një sinjal të keq për të ardhmen e vendit.

“Ndaj është shumë e habitshme që edhe pas rreth 50 viteve të qëndrimit të tij, në të gjitha llojet e pushteteve dhe sundimeve që tash e rreth një gjysmë shekulli, kanë kaluar mbi Kosovën, ta dëgjosh Isa Mustafën edhe pas humbjes së fundit katastrofale të LDK-së pikërisht për shkak të veprimeve të papërgjegjësi të Isa Mustafës, dhe dorëheqjes së tij të detyruar, nga posti i kryetarit të LDK-së, duke thënë se qeveria e udhëhequr prej tij, paska qeverisur pa skandale dhe se ai ende as nuk e ditka se pse LDK është ndëshkuar në këtë mënyrë nga votuesit, duke u munduar t’i heq të gjitha fajet nga vetja dhe munduar që humbjen ta përshkruaj si penalizim vetëm të LDK-së, në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe vlerësoj atë si sinjal të keq për të ardhmen e vendit, por jo edhe si dënim të bëmave të tij monstruoze”, ka shtuar Qarri.

“Isa Mustafa fyente dhe nënçmonte votuesin”

Madje, njohësi i çështjeve politike kujton se Mustafa në vazhdimësi ka fyer elektoratin me shprehjet e tij.

“Isa Mustafa ishte ai që në kooketim me Hashim Thaçin, vetëm para 6-7 muajsh, shkeli përsëri Kushtetutën dhe në kohë pandemie, formoi Qeveri kundërligjore duke katapultuar në krye të saj Avdullah Hotin, njërin nga anëtarët e kryesisë së LDK-së më të pavotuarit në vend, shkarkoi nga kryesia e partisë dhe dëboi nga LDK, Dr.Vjosa Osmanin. Ai vet fyente dhe nënçmonte edhe votuesin duke deklaruar nëpër televizione publike, se votuesi nuk mund të vendos dhe populli nuk mund të formojë Qeveri dhe krejt në fund, në vend të ofrimit të programeve për punësim e zhvillim ekonomik, ai ofendonte elektoratin e mbarë vendit në mënyrën më irrituese dhe të padëgjuar ndonjëherë në fushatat e deritanishme elektorale, me shprehet fyese: “Zoti ju marroftë” nëse nuk e votoni LDK-në”, tha ai.

Në fund, analisti Qarri ka theksuar se është shumë e habitshme deklarata e fundit e Mustafës se edhe me tej nuk e ka kuptuar se pse elektorati nuk e votoi LDK-në.

“Kështu që është shumë e habitshme për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbarë opinionin e vendit, të dëgjojnë sot, se si Isa Mustafa ende nuk e paska kuptuar se pse elektorati nuk e votoi LDK-në, gjë që dëshmon se Isa Mustafa në moshën e tij të shtyrë, ka filluar të harrojë më shumë, se që është besuar deri më tani dhe as që ishte më në gjendje të drejtojë parti politike as të fitoj zgjedhje, madje përveç problemeve me kujtesën, në moshën në të cilën aktualisht ndodhet, ai duket të ketë edhe rëndime të natyrës psikike të cilat ia kanë bllokuar orën në vitet e sundimeve komuniste dhe pamundësojnë ati, të bashkëjetoj me realitetin”, tha krejt në fund analisti, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat