Profesori tregon pse u ndëshkua LDK-ja, VV-ja bën koalicion me LDK-në vetëm në këtë mënyrë – kështu zgjedhet Kurti kryeministër

Politika

Profesori tregon pse u ndëshkua LDK-ja, VV-ja bën koalicion me LDK-në vetëm në këtë mënyrë – kështu zgjedhet Kurti kryeministër

Nga: N.SH Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 15:44
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje, po pret edhe numërimin e votave të diasporës, në mënyrë që KQZ-ja t’i certifikoj zgjedhjet dhe pastaj të formoj Qeverinë Kurti 2.

 Me votat e diasporës, profesor dr. Enver Bytyçi, pretendon se LVV-ja do të marr 60 deputetë, dhe në këtë mënyrë Kurti do të qeverisë i vetëm.

“Numërimi i votave të diasporës për zgjedhjet e 14 shkurtit vazhdon. Nga rezultati i deritashëm rezulton se LVV+V kanë marrë së paku 56 deputetë. Por nisur nga rreth 45000 vota që janë numëruar për Vjosa Osmanin nga zarfet e diasporës, duket se numri i deputetëve të koalicionit VV+V do të shkojë te numri 60. Në mos më shumë. Kjo do të thotë se ky koalicion do ta ketë mundësinë që të qeverisë i vetëm Kosovën”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Profesori mendon se, fituesit kanë nevojë për partnerë të tjerë.

 “Se kush do të jenë partnerët, këtë e diskutojnë kryetarët dhe kryesitë e partive politike. Por deri tani Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Besoj se qenia në opozitë do ua japë këtyre dy partive mundësinë që të reformohen dhe të përgatiten që në një periudhë afatmesme të konkurrojnë denjësisht pozitën, pra fituesit e sotëm absolutë të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021”, potencon ai.

Sipas Bytyçit, është normale që dy parti që kanë qeverisur së bashku për 10 a 12 vite do të duhet të rikthehen te opozita dhe të reflektojnë për qeverisjen që ato kanë realizuar.

“Aq më tepër që vota e qytetarëve të Kosovës ishte gjithashtu votë për ndëshkimin e tyre për keqqeverisje në simbiozë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërsa LDK u ndëshkua më shumë për pabesitë dhe intrigat e kryetarit dhe kryesisë së partisë, për të cilat opinioni publik i Kosovës është po aq sensibël, sa për luftën kundër korrupsionit. Për këto arsye nuk shoh ndonjë mundësi që Lëvizja Vetëvendosja me Lëvizjen e Vjosa Osmanit të orientohen nga një koalicion me Partinë Demokratike të Thaçit dhe Veselit. As edhe me Lidhjen Demokratike. Me Lidhjen Demokratike mund të mundësohej një koalicion, nëse kjo parti do ta ftonte Vjosa Osmanin për ta marrë drejtimin e saj dhe nëse zonja Osmani do ta pranonte këtë ofertë! Sepse as njëra dhe as tjetra nuk janë të sigurta”, shton ai.

Megjithatë, profesori nuk pret që të ndodhë kjo.

 “Prandaj, shoh që koalicioni i ri fitues do ta krijojë qeverinë me votat e tij si dhe disa votave që mund të marrë te deputetët e pakicave jo-serbe. Mundet që të bëhet pjesë e qeverisë edhe AAK e zotit Haradinaj. Por këtë e shoh thjesht si një mundësi, jo si një akt obligativ. Në fakt Ramush Haradinaj është vetëofruar për bashkëqeverisje, duke hequr dorë madje nga gara për t'u zgjedhur president i Republikës së Kosovës. Dhe ka bërë mirë! Presidentin e Kosovës e ka votuar vetë Kosova me mbi 250 mijë vota. Kjo është dhe do të jetë Vjosa Osmani! Asnjë parti politike opozitare nuk mundet që këtë verdikt ta injorojë dhe mos e votojë. Madje partitë në opozitë do të duhet të deklarohen publikisht se janë të gatshme ta votojnë atë si presidente të vendit dhe me këtë rast do të jepnin mesazhe se Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike vërtet do të reformohen”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, nëse ato bëjnë një opozitë destruktive, sidomos për zgjedhjen dhe rolin e kryetares së shtetit, do të thellojnë grindjet, përçarjen brenda vetes dhe do të marrin shuplakë tjetër të madhe në zgjedhjet lokale, të cilat zhvillohen pas një viti.

“Prandaj jam i sigurt se këto parti as që e çojnë në mendje daljen nga salla në rastin kur votohet presidenti/ja i ri. Madje kam mendimin se ato do ta lejojnë votimin për kreun e shtetit sipas vullnetit të deputetëve, pa marrë një vendim politik të grupit parlamentar”, thotë profesori. Ai shton se, sa i përket kryeministrit, kjo tashmë është shumë e qartë. Sipas tij, ai mund të zgjidhet vetëm me votat e koalicionit.

“Mundet ndoshta të duhen dhe një ose dy vota të partive tjera, por ky është tashmë problem i mbyllur. Është thënë se dikush, p.sh Partia Demokratike, do ta çojë në gjykatë kushtetuese çështjen e zgjedhjes së zotit Kurti si kryeministër i Kosovës. Nuk besoj se do të ndodhë kjo, sepse me ankesën e PDK-së ose ndonjë partie tjetër nuk ndryshon fakti se VV dhe Vjosa kanë fituar thellë dhe nuk mund të çojë një vendim i kushtetueses kundër Albinit në krizë politike. Thjesht mund ta shtyjë ardhjen e Albinit si kryeministër deri në shtator. Nuk di dhe nuk besoj se ka dikush interesa, përveç Listës Srpska, që të ndodhi kjo! Unë parashoh se do krijohen institucione funksionale e stabile, një kusht i domosdoshëm për stabilitetin e Kosovës. Megjithatë stabiliteti do të varet gjithashtu edhe nga faktorë të tjerë, sidomos nga bashkëpunimi midis mazhorancës dhe opozitës si dhe nga transparenca e qeverisjes!”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat