Serbia nuk mund ta ndalojë realizimin e dialogut, Kosova ka mbështetjen e SHBA-ve

Politika

Serbia nuk mund ta ndalojë realizimin e dialogut, Kosova ka mbështetjen e SHBA-ve

Nga: M.H Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 15:50
Foto ilustrim

Gjatë ditës së djeshme Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett është shprehur i mahnitur nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.

Ai tha se këto zgjedhje ishin të lira, të drejta dhe profesionale Mirëpo Kosnett ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi për të cilën u shpreh që do ta rishikojnë me kujdes edhe njëherë marrëveshjen të nënshkruar në Uashington. “Duam t’i rishikojmë me kujdes, t’i rimendojmë dhe të mbajmë atë që e vlen për të mbajtur.

Prandaj, gjithashtu do të inkurajoja edhe të tjerët që të jenë mendjehapur dhe të shqyrtojnë bashkërisht çka është bërë në të kaluarën që ia vlen për t’u ruajtur për të ardhmen”, deklaroi ndër të tjera diplomati amerikan në intervistën e dhënë.

Në lidhje me këtë temë, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që Kosova gjithmonë ka pasur mbështetjen e Amerikës e që tash edhe të shteteve të tjera të QUINT-it.

Image
Leon Duhanaj

Gjithashtu ai u shpreh që pa ndihmën e Amerikës do të ishte e vështirë të imagjinonim lirinë dhe pavarësinë që kemi sot, duke shtuar që është në dorën tonë që të ia lehtësojmë punën amerikanëve.

“Për mendimin tim, Kosova pa asnjë mëdyshje ka mbështetjen e Amerikës. Madje Kosova kështu siç është, është ekskluzivisht projekt amerikan, të cilit iu kanë bashkangjitur edhe shtetet tjera të QUINT-it. Pa ndihmën amerikane, vështirë do ishte e imagjinueshme liria dhe pavarësia e Kosovës. Ne shqiptarët, e kemi në dorën tonë, t'ua bëjmë punën me të lehtë amerikanëve në përforcimin e shtetit të Kosovës, përkatësisht faktorit shqiptarë në Ballkan. Për fat të keq, jo në të gjitha rrethanat kanë qenë besnik të kësaj ideje”, u shpreh Duhanaj.

Analisti përmend rastin e Malit të Zi me demarkacionin që thotë se kemi ditur t’ua pengojmë projektet e tyre siç ka qenë rasti i demarkacionit që ishte i nevojshëm, në mënyrë që Mali i Zi t'i bashkohej NATO-s. Në fund, Duhanaj thotë që Serbia nuk ka alternativë tjetër përveç pranimit të realitetit të Kosovës, pasi nuk do të ndalojë deri sa ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur.

“Shpeshherë kemi ditur që për shkak të agjendave të brendshme politike, t'ua pengojmë projektet e tyre, shembull konkret pengesat në demarkacionin me Malin e Zi, kur demarkimi ishte i nevojshëm, në mënyrë që Mali i Zi t'i bashkohej NATO-s. Paramendoni sot me qeverinë që ka Mali i Zi, do të dezintegrohej totalisht. Prandaj, edhe Serbia e di që nuk ka alternativë rreth pranimit të realitetit të Kosovës, këtë proces mund ta sabotojë por assesi ta ndalojë së realizuari”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat