Aksioni i Policisë në Ministrinë e Bujqësisë, juristi jep analizën: Duhet të ketë arrestime të njerëzve që janë urdhërdhënës

Politika

Aksioni i Policisë në Ministrinë e Bujqësisë, juristi jep analizën: Duhet të ketë arrestime të njerëzve që janë urdhërdhënës

Nga: N. H Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 16:44
Pamje nga vendi i ngjarjes

12 persona janë arrestuar sot në aksionet e Policisë së Kosovës të cilat kanë nisur nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe kanë vazhduar në Komunën e Istogut, Lipjanit dhe Gjilanit.

Në mesin e katër zyrtarëve të arrestuar të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë (AZHB) është edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit të kësaj agjencie Agim Nuha që është arrestuar për marrje të ryshfetit në vazhdimësi për dhënien e subvencioneve.

Pjesëtarët e Njësisë Speciale dhe të Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike duket se kanë gjetur edhe prova materiale në AZHB, pasi nga atje janë larguar me disa dosje.

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, duke folur për aksionin e Policisë së Kosovës, ka thënë se të tilla arrestime ka pasur edhe në të kaluarën.

Image
Blerim Burjani

“Po procese të tilla arrestimesh ka pasur edhe në të kaluarën. Nuk mund të flasim për diçka të re, mirëpo në esencë krimi i organizuar ka vazhduar, kur të merret parasysh se njerëzit e punësuar nga partitë politike janë pjesë një zingjirore që udhëhiqet nga qarqet politike partiake në shumicën e rasteve. Në pak raste ndodhë që veprat penale të janë të motivuara nga personat e administratës së shtetit,pra nuk shoh asgjë interesante derisa nuk ka arrestime të njerëzve që janë urdhërdhënës të akteve të tilla kriminale që vijnë nga ish partitë politike në pushtet e që ende vazhdojnë të mbajnë poste publikë ne administratën e shtetit”, ka thënë Burjani.

Tutje, juristi Burjani thekson se luftimi i krimit të organizuar burimin e vet e ka në partitë politike

“Pra, kjo është vetëm sa për të shënuar mediet një lajm. Luftimi i krimit të organizuar burimin e vet e ka në partitë politike. Asnjë person apo zyrtar i lartë politik nuk është arrestuar për nepotizëm, dhe punësim partiak pa kritere, mbi 90 për qind të të punësuarve nëpër ambasada janë nga partitë politike, duke filluar nga ambasadorët dhe nëpunës të ambasadave dhe posteve të ndryshme. Pra, kjo çka po ndodhë as nuk ka çka të përmendet, kjo është diçka që gjithmonë ka ndodhë në mënyrë të fragmentarizuar”, është shprehur me tej juristi.

Në fund, ai ka shpjeguar se shërbyesit civil paraprakisht duhet të nënshkruajnë deklaratën se nuk u takojnë partive politike.

“Pra, duhet shërbyesit civil të nënshkruajnë deklaratën se nuk u takojnë partive politike, shërbyes civil apo zyrtar publik të punësuar me taksat e qytetarëve nuk duhet të lejohen të punojnë për parti politike në poste të ndryshme civile dhe publike. Ata thjesht duhet t’i shërbejnë popullit, por jo të merren me politikë, pastaj keni sekretar të përhershme të gjithë politik, pra duhet depolitizim dhe reformim i administratës së shtetit siç e kërkon BE-ja”, tha në fund, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat