Reforma në LDK pa Vjosa Osmanin, shanset që Anton Quni të jetë kryetar i partisë

Politika

Reforma në LDK pa Vjosa Osmanin, shanset që Anton Quni të jetë kryetar i partisë

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 25 shkurt 2021 Në ora: 08:40
Anton Quni dhe Vjosa Osmani

Anton Quni nga LDK-ja ka deklaruar se do jetë kandidat për postin e kryetarit të partisë.

“Jam kandidat për kryetar të LDK-së. Janë shumë arsye e faktorë pse kam vendosur t’i futem kësaj gare. Në zgjedhjet e fundit është shprehë mosbesim ndaj LDK-së. Ata që kanë dalë në VV, brenda një kohe të shkurtër do t’i riktheja në shtëpinë e tyre”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Quni kandidaturën e ka shpallur pas dorëheqjes së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës. Ai deri më tani ka qenë kandidati i parë që e ka bërë të ditur publikisht kandidaturën e tij për këtë post.

Por, pas tij, kandidate për postin e kreut të LDK-së është edhe Melihate Tërmkolli.

E si kryetare e LDK-së është përmendur rikthimi i Vjosa Osmanit në parti.

Por, ajo ka thënë se nuk pret që të ketë ndryshime të kryesisë së LDK-së, pasi është pyetur nëse do të kthehej në partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Osmani tha se kjo nuk do të ndodhë duke shtuar se situata brenda LDK-së është e pashpresë.

Megjithatë ajo ka thënë se ka hapësirë për diskutim pasi të largohen krerët aktual të LDK-së.

“Nuk ndodh, besom që nuk ndodh. Shumë pyetje të tilla kam marrë kohëve të fundit. Le të largohen e flasim pastaj. Ata e dinë shumë mirë sepse më njohin që 20 vjet. Nëse ndodh një ndryshim i tillë, por nuk do të ndodhë, është situatë e pashpresë aty”, ka thënë Osmani.

Bajraj: Kandidimi i Qunit, e drejtë legjitime por kërkon mbështetjen e Kuvendit të LDK-së

Lidhur me këtë analisti Fatmir Bajraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se thirrja e Kuvendit të LDK-së nga Mustafa, do të jetë mundësi e zgjedhjeve të Organeve të reja, përfshirë Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë dhe Kryetarin.

“Gara për të parin e LDK-së, e hapur! Dorëheqja e akademik Isa Mustafa nga pozita e Kryetarit të LDK-së, dhe thirrja e Kuvendit të LDK-së nga Kryetari në dorëheqje, si organi ma i lartë i saj; Kuvend Pune, Kuvend i cili mbahet sipas Statutit të LDK-së ndërmjet Kuvendeve të rregullta Zgjedhore, do të jetë një rast dhe mundësi e zgjedhjeve të Organeve të reja të partisë, përfshi këtu; Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë dhe Kryetarin-Kryetaren e LDK-së me mandat të shkurtuar, përkatësisht deri në mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor, i cila mbahet në çdo 4 vite”, tha Bajraj.

Ai ka shtuar se dorëheqja e Mustafës, e hap mundësinë e kandidatëve për pozitën Kryetarit të LDK-së, derisa bërjen publike synimin e kësaj pozite nga Anton Quni, Bajraj e quan të drejtë legjitime dhe legale, por edhe gatishmëri që kërkon mbështetjen e Kuvendit të LDK-së.

Image
Fatmir Bajraj

“Për pasojë të dorëheqjes së Kryetarit Mustafa dhe të Kryesisë në dorëheqje, të shkaktuara nga marrja e përgjegjësisë së lidershipit për humbjen e zgjedhjeve dhe si akt moral i kësaj përgjegjësie, hapet mundësia reale e shfaqjes dhe shprehjes së ambicies se kandidatëve të cilët shohin kontekstin aktual si mundësi të kandidaturës për pozitën e Kryetarit-Kryetares së LDK-së. Bërja publike e këtij vullneti dhe ambicie për këtë pozitë nga ana e z.Anton Quni, Ministër i Mbrojtjes i Qeverisë në detyrë të z.Hoti, është një e drejtë legjitime dhe legale dhe mbi të gjitha, është edhe një gatishmëri dhe zotim i z.Quni, për çfarë kërkon besimin dhe mbështetjen e Kuvendit të LDK-së, i cili mbahet më se largu 60 ditë nga dita e dorëheqjes së z.Mustafa dhe Kryesisë së LDK-së”, shtoi ai.

Më tej, ai shprehet se një ofertë e tillë sikurse e Anton Qunit, me begraund të jashtëzakonshëm në jetën politike, i bënë nder demokracisë së LDK-së, sepse LDK-ja nga të tjerat nuk ka demokraci dhe garë të lire për liderin e partisë

Po ashtu, Bajraj ka theksuar se kur ambicia e shprehur nga Quni kalon filtrin statutar në Kuvend, e që pas bëhet me votim të fshehtë, atëherë kur këtë filter statuar e kalon vetëm një kandidat, do të jetë e drejtë e Kuvendit të vendos se cilën metodë votimi të praktikojë.

“Një ofertë sikur kjo e z.Anton Quni, si një kandidat potencial dhe me një begraund të jashtëzakonshëm në jetën politike, ushtarake dhe shtetërore, i bënë nder garës brenda llojit, demokracisë së kultivuar në LDK, por edhe asaj të vendit, si model i një fryme, kulture dhe filozofie të artikuluar e të promovuar në LDK, për dallim nga pjesa tjetër në klasën politike të vendit, në të cilën ; ka shumë çka tjetër, por jo edhe demokraci dhe garë të lirë për liderin e partisë. Kandidatura për Kryetar-Kryetare të LDK-së, konform "Kushtetutës" së LDK-së, përkatësisht, Statutit të saj, bëhet zyrtare vetëm në Kuvendin e LDK-së, përkatësisht, nëse një ambicie e shprehur sikur kjo e z.Quni, kalon filtrin statutar në Kuvend, kriter i cili parasheh 50%+1 të shumicës së Kuvendit, dhe më pas të votohet me kundërkandidat dhe ky votim bëhet më votim të fshehtë. Në një situatë ndryshe, kur këtë filter statutar, e kalon vetëm një kandidat, atëherë është e drejtë ekskluzive e Kuvendit të vendos se cilën metodë votimi do të praktikoj ; me votim të fshehtë, apo me aklamacion, të dyja këto, metoda legjitime dhe legale për LDK-në, dhe rezultati është valid”, ka deklaruar ai.

Sipas Bajraj, i duhuri për të qenë Kryetar i LDK-së duhet të jetë me tipare që e karakterizojnë frymën Rugoviane, të jetë me karakter qëndrestar, madje konsistent në qasje, sjellje dhe në bindje.

“Një kandidat serioz për Kryetar-Kryetare të LDK-së, duhet të jetë me veti dhe tipare që karakterizojnë frymën dhe filozofinë Rugoviane, sikurse edhe përfaqësues të denjë të vlerave dhe programit politik të LDK-së, të skalitur e praruar në gjithë historikun e LDK-së si parti misionare dhe historike duke filluar nga rezistenca aktive paqësore, lufta e armatosur për çlirimin e vendit dhe deri në shtet-ndërtim në ditët e sotme...! Kandidati për Kryetar të LDK-së, duhet të jetë një karakter qëndrestar dhe konsistent në qasje, sjellje dhe mbi të gjitha në bindje, i cili-cila, është provuar dhe ka promovuar këto vlera dhe bindje identitare të LDK-së, si parti politike e krahut të djathtë dhe anëtare e PPE-së”, theksoi Bajraj

Bajraj: Osmani u largua me vet-dëshirë

Tutje ka përmendur edhe Vjosa Osmanin, që sipas tij, Osmani nga LDK-ja është larguar me vetë-dëshirën e saj, por që sipas deklaratave nga LDK-ja ajo prapë i ka dyert e hapura dhe se Osmani duhet ta ketë shtëpi të veten por jo ta tradhtojë elektoratin e LDK-së.

“Kandidati-kandidatja për të parin e LDK-së, duhet të vije nga brumi i saj, iniciativa brenda llojit, dhe besimi dhe mbështetja e Kuvendit të LDK-së, i artikuluar përmes votës së lirë të kuvendarëve. Vjosa Osmani, edhe pse nuk ishte përjashtuar nga LDK-ja, përkundër veprimit në dëm të LDK-së dhe në kundërshtim me Statutin e partisë, por vetëm ishte shkarkuar nga pozita e Nënkryetarit të partisë, ajo me kalimin në Vetëvendosje, tanimë është vetë-larguar nga LDK-ja, duke u bërë anëtare e një partie tjetër, siç është LVV-ja, me një Statut dhe Program tjetër nga ai i LDK-së. Megjithatë, sipas deklaratave të lidershipit të LDK-së, kjo e fundit, i ka dyert e hapura në LDK, por kjo e fundit (Vjosa Osmani), LDK-në, duhet të ketë bindje dhe shtëpi të veten duke e trajtuar të tillë dhe jo siç e ka trajtuar vitin e fundit kur tradhtoi elektoratin e LDK-së duke kontrabanduar votën e tyre për kundërshtarët politik dhe jo për shtëpinë e cila e rriti dhe kjo ia punoi pas shpine”, shtoi tutje Bajraj.

Më tej, ai ka theksuar se LDK-ja ka mjaft potencial intelektual dhe politik, por nuk ka përjashtuar kurrë asnjë anëtar por që ka pasur dyert e hapura për të gjithë.

Ai thotë se pasha politike e Vjosës është e madhe vetëm në LDK, ndërsa në të tjerat është hibride dhe e përkohshme.

“LDK-ja, ka mjaft potencial intelektual dhe politik për të parin e saj dhe lidershipin partiak, por në kulturën e saj, nuk ka përjashtuar kurrë nga radhët e veta asnjë anëtar dhe as zyrtar të saj, sikurse nuk ishte rasti as me zonjën Osmani, dhe ka pasur të hapura dyert për të gjithë ata-ato, të cilët kanë koketuar e tregetuar politikisht tek oponentët dhe rivalet tanë politik, por kuptohet, rikuperimi dhe rikthimi i besimit në LDK, merr kohë, për faktin se votuesi i LDK-së, falë por nuk harron. Pesha politike e Vjosës, është e madhe vetëm në LDK, kudo tjetër, ajo vlerë është hibride, e përkohshme dhe iluzore. Vjosa do ta kuptojë këtë fakt, njësoj sikur kuptuan shumë tjerë të cilët në periudha dhe faza të ndryshme të LDK-së, ia kthyen shpinën shtëpisë së vet por mbetën në "strehë" dhe jashtë shtëpisë e cila të llogaritë gjithmonë si të huaj dhe jo sikur të vetin”, përfundoi ai.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj: LDK ka nevojë për reforma thelbësore

Ndërsa analisti, Leon Duhanaj, ka thënë se pas rënies në zgjedhje, LDK-ja ka nevojë për reforma thelbësore, por se a do t’i arrijnë këto reforma varet nga vullneti i Kryesisë dhe Këshilli i Përgjithshëm

“Pas rënies së madhe në zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK-ja ka nevojë urgjente për reforma thelbësore. Dorëheqja e Kryetarit Mustafa dhe kryesisë, ishte veç se refleksion normal dhe i pritshëm. Tani, se sa do të arrijnë të bëjnë reforma, varët shumë nga vullneti i akterëve, siç janë Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm, përkatësisht pretendentët për postin e kryetarit”, është shprehur ai.

Duhanaj ka shtuar se nëse nuk do gjejnë zgjedhje, atëherë do të kenë më shumë problem, kështu edhe kthimi i Vjosa Osmanit do të ketë ndikim negative sepse i ka bërë dëmin më të madh LDK-së.

“Nëse nuk arrijnë të bëjnë zgjedhjen përkatësisht zgjidhjen e duhur e cila do t'i përfaqësonte të gjitha palët, atëherë veç se do të rriteshin problemet. Për mendimin tim, LDK-ja ka nevojë për reforma të brendshme në të cilat znj. Osmani tashmë nuk llogaritet. Nuk mund të flas se çfarë do të sjellë koha, por pretendimet për rikthim të shpejt, mund të kenë edhe ndikim negativ, pasi që nuk duhet harruar se znj. Osmani i ka bërë dëmin më të madh LDK-së ndoshta prej që ekziston dhe çdo kthim i shpejt i saj, mund të jetë zhgënjim për aktivistët e vërtetë”, ka deklaruar Leon Duhanaj për ‘Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat