Skandali me hartën, Qeveria Kurti të kërkojë dorëheqjen e Lajçakut

Politika

Skandali me hartën, Qeveria Kurti të kërkojë dorëheqjen e Lajçakut

Nga: A.Z Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 14:27
Miroslav Lajcak

Emisari sllovak, Miroslav Lajcak, më 22 shkurt të këtij viti ka dhënë një intervistë për mediumin “European Western Balkans”, ku ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Prapavija nga ku e jep këtë intervistë nuk dihet nëse është zyra e tij, apo ndonjë ambient në Bruksel, megjithatë krahas flamurit të BE-së shihet një hartë ku paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.

Një hartë që e tregon Kosovën pjesë integrale të Serbisë, madje as pa ndarjen administrative sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, e mban në zyrë emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta. Kështu profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo nënkupton përkrahjen politike të Serbisë, madje mund të konsiderohet edhe skandal politik ndaj dialogut Kosovë-Serbi.

“Intervista e emisarit Miroslav Lajçak në prapavijë me hartën e Kosovës brenda Serbisë, shpreh simbolikën e përkrahjes politike të Serbisë, dhe lirisht mund të konsiderohet skandal politik evropian ndaj dialogut të Kosovës me Serbinë. Që në fillim të dialogut, Serbi-Kosovë, vërehej se diçka nuk është në rregull me zgjedhjen e përfaqësuesve evropianë që vijnë nga dy shtete të cilët nuk e kanë njohur Kosovën, Sllovakia, Spanja”, është shprehur Mehazi.

Ai vlerëson se edhe emri Miroslav tregon se në cilën anë është Lajçaku.

Sipas Mehazit, Kurti duhet të kërkojë dorëheqjen e Lajçakut gjatë dialogut me Serbinë për mosbesimin e emisarit.

“Jo vetëm harta e tij pas shpine tregon anën e përkrahjes serbe, po edhe vet emri Miroslav(Miro-sllav) tregon se në cilën anë do jetë Lajçaku. Pas kësaj interviste skandaloze të sllovakut me hartën e Serbisë së madhe, tani më s'i ka mbetur gjë tjetër qeverisë së re të Kurtit, përveç që me këmbëngulje të kërkojë dorëheqjen e Lajçakut gjatë dialogut me Serbinë për mosbesimin e emisarit që është i dërguar nga shteti që se ka njohur pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar profesori.

Tutje, ai tha se për shkak të kësaj harte, qeveria e ardhshme e Kurtit duhet të reagojë me protestë në të gjitha ambasadat e shteteve evropiane dhe Qeveria po ashtu duhet të kushtëzojë dorëheqjen e Lajçakut dhe të Borrelit, e në vend të tyre të jenë dy emisarë të tjerë që e kanë njohur Kosovën.

“Kështu që pa humbur kohë qeveria në largim e Hotit, po dhe kryeministri i ardhshëm Kurti duhet të reagojnë ashpër me një notë proteste në të gjitha ambasadat e shteteve evropiane për shkak të kësaj harte skandaloze e të papranuar të Lajçakut, që cenon integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Pas kësaj interviste tendencioze të Miroslavit, qeveria e re e Kurtit gjatë dialogut me Serbinë duhet të kushtëzojë BE-në me dorëheqjen e Lajçakut, po dhe të Borrelit për shkak të mosbesimit të tyre, e, me ardhjen e dy emisarëve tjerë nga shtetet evropiane që e kanë njohur Kosovën”, ka përfunduar Sylejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat