Profesori universitar ka një këshillë për Kurtin, ja pse Vuҫiҫit i konvenon ndërprerja e dialogut

Politika

Profesori universitar ka një këshillë për Kurtin, ja pse Vuҫiҫit i konvenon ndërprerja e dialogut

Nga: H.O. Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 18:34
Aleksandar Vuçiq / Albin Kurti

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se nëse bëhet kryeministër i Kosovës, do të vendos masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, masë që ishte dhe më herët por u hoq. Lidhur me atë se a duhet të hiqet kjo masë dhe si të sillet Kurti, nëse zgjidhet kryeministër, karshi Serbisë, profesori universitar, Enver Bytyҫi ka disa këshilla.

Profesor Bytyҫi thotë se zgjedhjet e 14 shkurtit të kaluar i kanë dhënë Albin Kurtin të drejtën që ai si lider i partisë fituese të formojë qeverinë e katër viteve të legjislaturës së ardhshme. Ai thotë se Kurti e ka përmendur që dialogu nuk do të jetë prioritet i qeverisë së tij, por nuk e ka përmendur reciprocitetin.

“Pra zoti Kurti do të jetë kryeministër i vendit, sepse kësisoj ka vendosur sovrani. Po të kemi parasysh deklaratat e diplomatëve të huaj për këto zgjedhje dhe lidershipin e çiftit Kurti-Osmani, duket qartë se katër vitet e ardhshme drejtimin e vendit do ta marrin pikërisht këta dy liderë, të cilët përfaqësojnë ndryshimin e madh në qeverisjen e vendit. Albin Kurti ka deklaruar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë prioritet i qeverisë së tij. Ai nuk ka përmendur në asnjë rast nëse pas formimit të qeverisë do të rivendosë ose jo atë që u quajt reciprocitet me Serbinë”, thotë Bytyҫi.

Sipas tij, Serbia me qëllimin që të bllokoj dialogun, e që i konvenon kjo ҫështje, e gjeti si pretekst reciprocitetin e qeverisë së kaluar të Kurtit.

“Në fakt reciprociteti i qeverisë së kaluar të zotit Kurti ishte pak abstrakt krahasuar me taksën 100 për qind për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Por Beogradit iu desh kjo masë që të bllokonte bisedimet, për çka Serbia është gjithnjë e interesuar. Ishte ky një preteks për të mos biseduar e dialoguar. Më shumë se Kosova është Serbia ajo që ka interes ta bllokojë procesin, së paku deri në pranverën e vitit 2022, kur edhe do të bëhen zgjedhjet e reja për presidentin dhe parlamentin e Serbisë”, vlerëson ai.

Profesor Bytyҫi thotë se zgjedhjet e planifikuara për vitin e ardhshëm do ta detyrojnë presidentin Vuçiç të krijojë alibi të ndryshme rreth dialogut e sidomos për të zvarritur marrëveshjen përfundimtare.

“Jam i bindur se ai ua ka bërë të qartë partnerëve ndërkombëtarë, se nuk do ta përmbyllë procesin para këtyre zgjedhjeve. Ndryshe do të dobësonte pozitat e veta elektorale, gjë që nuk është, mesa shoh, as në interes të bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht asaj perëndimore. Presidenti Vuçiç shihet si partner i vetëm për t'i dhënë fund kësaj marrëdhënie të tensionuar midis Kosovës dhe Serbisë. Prandaj dhe ai do ta ketë ndihmën e aktorëve euro-amerikanë për të përforcuar pozicionin e tij politik. Ndërkohë përforcimi i këtij pozicioni ia heq atij alibitë justifikuese për nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare dhe njohjen e Kosovës”, thekson Bytyҫi për “Bota sot’.

Siҫ thotë ai, në këto kushte qeveria e re Kurti nuk ka nevojë të rivendosë masa reciprociteti. Kurti mund t'i zbatojë të tilla masat në praktikë e të sillet me të gjitha vendet, po ashtu me Serbinë, si shtet sovran dhe i pavarur.

“Mund të kërkojë madje që pakica shqiptare dhe pakicat e tjera në Serbi, përfshirë muslimanët e Sanxhakut, të trajtohen me të njëjtat standarde si edhe serbët në Kosovë. Por nuk ka arsye ta ndihmojë Aleksandër Vuçiç me nxjerrjen e ndonjë vendimi ose ligji të posaçëm. Jo rrallëherë ndodh të nxirren vendime dhe të bëhen ligje e ato të mos zbatohen. Ndërkohë për marrëdhënie reciproke me shtetet e tjera, përfshirë Serbinë, nuk ka nevojë as për ligj, as për vendime. Ato i parashikon Konventa Diplomatike e Vjenës si dhe dokumente të tjera ndërkombëtare. Me reciprocitet ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera sillet edhe vetë Serbia, pa patur nevojë të formulojë ndonjë ligj për këtë. Është e drejtë e secilit vend ta aplikojë këtë standrd marrëdhëniesh me vendet e tjera. Prandaj nuk ka nevojë që Serbisë t'i jepet municion për të bllokuar bisedimet. Ajo edhe pa reciprocitetin do ta bllokojë dialogun, sepse në kushtet e sotme nuk ka asnjë interes politik e electoral”, thekson ai.

Tutje, profesor Bytyҫi thotë se në Ballkan e sidomos në Serbi retorikat nacionaliste shërbejnë për rritjen e ndikimit politik të subjekteve politike. 

“Kjo është praktikë e përhershme që nga koha e krijimit të shtetit serb. Nuk ka ndërmend Vuçiç ta ndryshojë këtë lloj prakticizmi. Thjesht atij i duhet lënë të luajë në fushën e vet dhe jo në fushën e Kosovës për interesat e veta politike”, thotë profesori universitar Enver Bytyҫi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat