Çfarë fshihet pas hartës skandaloze të Lajçakut? 

Politika

Çfarë fshihet pas hartës skandaloze të Lajçakut? 

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 shkurt 2021 Në ora: 09:35
Miroslav Lajçak

Tash 13 vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ende vazhdojnë skandalet me hartat në të cilat shteti ynë paraqitet si pjesë e Serbisë. 

Kësaj radhe, pjesë e këtij skandali u bë emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.  

Miroslav Lajçak, më 22 shkurt të këtij viti ka dhënë një intervistë për mediumin “European Western Balkans”, ku ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Prapavija nga ku e jep këtë intervistë shihet një hartë ku paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë. 

Një hartë që e tregon Kosovën pjesë integrale të Serbisë, madje as pa ndarjen administrative sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, e mban në zyrë emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. 

Kjo gjë natyrisht nuk u prit mirë dhe ngjalli reagime të mëdha në Kosovë, pasi duke parë rolin e Lajçak në dialogun Kosovë-Serbi, një veprim i tillë dha përshtypje të një animi të këtij të fundit për Serbinë. 

Mirëpo, për këtë çështje janë arsyetuar nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së për politika të jashtme dhe ato të sigurisë, Peter Stano, në një reagim në Twitter, ka thënë se pretendimi për hartën është i rremë dhe i gabuar. 

Ai ka thënë se ajo është hartë zyrtare e BE-së, që është në përputhje me pozicionin e Flamurit të BE-së, dhe është statusi neutral. 

“Pretendimi në lidhje me hartën është plotësisht i gabuar dhe i rremë. Kjo hartë zyrtare e BE-së – në përputhje me pozicionin e Flamurit të Bashkimit Evropian – është statusi neutral. Unë do t’i rekomandoja të gjithëve që të përqendrohen në çështje reale që ndihmojnë në avancimin e Dialogut mbi normalizimin, në vend që të përpiqen të krijojnë histori të rreme”, ka shkruar ai. 

Njëjtë si Stano, nuk mendon drejtori i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, Florian Bieber, e cili vendosjen e hartës skandaloze nga Lajçak e vlerësoi si një “gabim i madh”. 

“Po, të kesh një hartë të tillë në zyrë me një përshkrim të tillë të punës është një gafë e madhe”, deklaroi Bieber. 

Haradinaj-Stublla: Të punosh me harta fantazmë është krejtësisht joprofesionale, dhe e mangët

Edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar ndaj Miroslav Lajçak, të dërguarit të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, në zyrën e të cilët shihej në prapavijë harta e Evropës me Kosovën si pjesë e Serbisë.

Haradinaj-Stublla përmes një statusi në rrjetin social në Twitter ka shkruar se Lajçak duhet të përdorë hartën që ia ka dërguar ajo përmes postës diplomatike.

“E kuptova që të duhet një hartë e saktë e # WB6, prandaj të dërgova një me postë diplomatike. Të punosh me harta fantazmë është krejtësisht joprofesionale, dhe e mangët”, ka shkruar ajo.

Ajo po ashtu iu drejtua Lajçak-ut përmes këtij statusi se sa më gjatë ta shmang hartën që ia ka dhuruar, aq më gjatë puna e tij do të jetë e dështuar.

“Sa më gjatë që të shmangni hartën që ju kam dhuruar, aq më gjatë puna juaj do të jetë e dështuar”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj-Stublla në Twitter.

Shahu: Askush në Evropë nuk guxon të vendosë për Kosovën, pa pëlqimin amerikan

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deklaroi se emisari Miroslav Lajçak nuk ka fuqi të përcjell mesazhe kundër Kosovës, pasi ai është thjeshtë një person teknik.

Image
Rexhep Shahu

“Nuk besoj se emisari evropian i ngarkuar si falsifikator për bisedimet Prishtinë - Beograd ka fuqi të përcjellë kumte, mesazhe, pëlqime apo kundërshtime ndaj Kosovës me asnjë lloj gjuhë, as me sfonde të vendit ku intervistohet, as me fjalë e as me gjeste. Ai nuk ka asgjë në dorë, nuk vendos asgjë, është thjeshtë person teknik për të mbledhur njerëzit në tavolinë”, u shpreh Shahu.

Ai tha se hartën e Kosovës e ka vizatuar Amerikën dhe fuqitë e mëdha dhe jo vetëm Ljaçaku, por asnjë emisar global nuk ka mundësi ta lëviz atë hartë. Shahu tha se Kosova është çështje amerikane, bast amerikan, prioritet amerikan në Evropë e në rajonin e Ballkanit.

“Hartën e Kosovës e ka vizatuar Amerika dhe fuqitë e mëdha dhe nuk ka emisar evropian apo global që e lëviz atë hartë. Nuk besoj teoritë konspirative që bëjnë skupe mediash sa i përket Kosovës. Kosova është në top listën e çështjeve dhe prioriteteve amerikane në Evropë, ose më saktë, është çështje amerikane, bast amerikan, prioritet amerikan në Evropë e në rajonin e Ballkanit”, theksoi Shahu.

Në fund, analisti tha se nuk beson që dikush në Evropë guxon të vendosë ose të tentojë të vendosë diçka për Kosovën pa pëlqim amerikan. Pasi që, Amerika synon normalizim marrëdhëniesh mes shtetit të ri Kosovë dhe Serbisë.

“Nuk besoj se ndokush në Evropë guxon të vendosë ose të tentojë të vendosë diçka për Kosovën pa pëlqim amerikan. Liria e pavarësia e Kosovës u arrit, tani Amerika synon normalizim marrëdhëniesh mes shtetit të ri Kosovë dhe Serbisë, që ta çlirojë Serbinë prej Kosovës, prej anktheve e maktheve serbe. Jo Lajçak por as shefat e Lajçakut nuk guxojnë të vendosin ndonjë gjë për Kosovën pa miratim amerikan”, përfundoi Shahu.

Qarri: Thaçi i hapi ‘rrugë’ Lajçakut për ta vendosur Kosovën në kushte të pabarabarta në dialog me Serbinë

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” vlerësimin e qëndrimet e Lajçak si vlerësoi si prejudikim ndaj statusit të Kosovës dhe e vendos atë në kushte të pabarabarta me Serbinë.

Image
Gani Qarri

“Qëndrimi i Lajçakut është prejudikim. Është prejudikim i hapur i statusit të vendit tonë dhe është kushtëzim apriori, i cili sërish e vë Kosovën në kushte të pabarabarta në dialog me Serbinë. Vet përzgjedhja e tij për tu ekspozuar para një harte të qindvjeçarit të kaluar që nuk i takon më këtij shekulli dhe nuk ka të bëjë, as me realitetin e ri mbi dy dekadash, përcjellë porosi injorimi cinik të Mirosllav Lajçakut , ndaj statusit të vendit tonë, si ndërmjetësues i bisedimeve ndërmjet dy vendeve dhe përçon drejtpërsëdrejti fyerje denigruese në emër të BE-së edhe ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit të saj shumicë ”, u shpreh Qarri.

Ai tha se Kosova pas deklaratës së Lajçakut as që duhet të marrë pjesë në dialog me kushtëzim. Qarri propozoi që njëherë të finalizohen marrëveshjet e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, pastaj të rifillojnë bisedimet me kushte të barabarta

“Është para-shkruarje apo prenotim për shkuarje në dialog me kushtëzim, në të cilin Kosova as që duhet të pranojë më të marrë pjesë. Madje shumë më mirë do të ishte që së pari të jetësohen marrëveshjet e nënshkruara nga Serbia dhe vetëm pastaj të flitet për rifillimin e bisedimeve. Dhe atë në kushte plotësisht të barabarta dhe vetëm si dy shtete të pavarura, përndryshe as që ka arsye të rifillojë dialogu me këtë shtet arrogant e agresiv që vret e shkallmon me plumba, çekan e boksa hekuri edhe banorët serb, qytetar të vendit tonë, nëse ata nuk vazhdojnë rrugën e konfrontimit me shqiptarët, ashtu siç porositen në vazhdimësi nga Vuçiqi dhe Serbia”, nënvizoi ai.

Analisti fajtor të paraqitjes në mënyrë të pabarabartë të Kosovës ndaj Serbisë, e cilësoi Hashim Thaçin. Kjo për arsye që Thaçin kishte nisur me kërkesat për ndarjen e Kosovës, në takimet e shteteve ballkanike, e vazhdoi Edi Rama me harta, të ashtuquajtura të “Minishengenit”

“Mjerisht qysh nga kërkesa publike e kuislingut Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës, në Forumin Ballkanik të 23 korrikut të vitit 2018, në Alpbach të Austrisë, ka ndryshuar çdo gjë, edhe në raportin ndërkombëtar, madje edhe qëndrimi i shumë shteteve në botë si dhe vet qëndrimi i BE-së, në raport me Kosovën, nuk është ai që ishte pas legjitimimit të pavarësisë së Kosovës, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Sikur mos të mjaftonte as kjo, për fat të keq, lojën perfide të Hashim Thaçit të nisur me kërkesat për ndarjen e Kosovës, në takimet e shteteve ballkanike, e vazhdoi Edi Rama me harta, të ashtuquajtura të “Minishengenit” apo edhe ato të paraqitjes së vendeve veriore të vërshuara nga uji, të Shqipërisë, ku Kosova paraqitej edhe nga kryeministri shqipfolës i shtetit amë, si pjesë e territorit të Serbisë”, potencoi Qarri.

Në vazhdim, Qarri deklaratën për shkëmbim territoresh e cilësoi si një akt paprecedent tradhtie të Hashim Thaçit. Pasi, sipas tij ky akt e vuri përsëri në pikëpyetje statusin politik të Kosovës, la pasoja të pariparueshme dhe paralajmëroi me cinizëm edhe vet emisari Mirosllav Lajçak, në vend të qëndrimit të tij neutral si emisar evropian.

“Për aq më keq, ky akt i paprecedent tradhtie të rëndë kombëtare e shtetërore, i Hashim Thaçit, përkundër faktit se më 22 korrik të vitit 2010, pavarësia e Kosovës, ishte vulosur edhe ligjërisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë, si organi më i lartë Juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mjerisht ai e vuri përsëri në pikëpyetje statusin politik të Kosovës dhe la pasoja të pariparueshme, edhe pas shkuarjes në Hagë, për vendin të cilat vazhdojnë ta rrezikojnë shtetin tonë të brishtë edhe sot, siç ka marrë për detyrë ta bëjë hapur dhe paralajmëroi me cinizëm edhe vet emisari Mirosllav Lajçak, në vend të qëndrimit të tij neutral si emisar evropian”, përfundoi Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat