Arsyet e dorëheqjes së Hykmete Bajramit, s’ka ikje nga përgjegjësia e skandalit në Thesar

Politika

Arsyet e dorëheqjes së Hykmete Bajramit, s’ka ikje nga përgjegjësia e skandalit në Thesar

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 26 shkurt 2021 Në ora: 17:08
Hykmete Bajrami

Mbi 2 milionë euro janë marrë ilegalisht nga Thesari shtetëror i Kosovës, në tetorin që lamë pas.

Sipas Policisë, lidhur me rastin janë arrestuar një i dyshuar, ndërkaq dy të tjerë gjenden ende në arrati.

Lidhur me këtë rast ishte kërkuar bllokimi i llogarive, pasi dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.

“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Ministrja e Financave në atë kohë, Hykmete Bajrami, menjëherë pas rastit ka thënë se janë suspenduar dy zyrtarë dhe një është arrestuar. Ajo ka thënë se përfitues është një operator ekonomik, për të cilin ka thënë se nuk mund ta zbulojë për shkak të mosdëmtimit të hetimeve.

“Paret janë tërhequr prej Ministrisë së Infrastrukturës dhe kanë kaluar te një operator ekonomik me 9 tetor”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se zyrtari i arrestuar ka punuar mbi 11 vjet në Thesar.

I dyshuari për këtë rast nga Gjykata Themelori në Prishtinë, mori dy muaj paraburgim, ndërsa dy të tjerë ende vazhdojnë të jenë në arrati.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me aktvendim i ka vazhduar masën e paraburgimit të pandehurit K.SH. Të pandehurit K.SH. i është vazhduar masa e paraburgimit prej datës 24 janar 2021 deri me datë 23 mars 2021”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Gjatë kohës kur ndodhi ky skandal i avullimit të mbi 2 milionë eurove, i kanë kërkuar Bajramit të jep dorëheqje nga posti i Ministres së Financave, pasi që një avullim i tillë nga Ministria e të mos qenit në dijeni ka lënë vend për dyshim. Por e njëjta nuk ka dhënë dorëheqje nga post.

Mirëpo, dorëheqja e saj erdhi pikërisht një kohë të papritur, me 24 shkurt të këtij viti, ku ajo njoftoi që ka kërkuar lirimin nga posti i Ministres së Financave.

“Kërkoj nga ju të më lironi nga detyra e ministres së Financave në detyrë. Po largohem, nga pozita e ministres për arsye personale, dhe do të angazhohem në pozitën e deputetes në Kuvendin e Republikës pas certifikimit të zgjedhjeve”, ka shkruar Bajrami në kërkesën për dorëheqje.

Ndërkohë, Hoti ka pranuar kërkesën për dorëheqje të Bajramit, ndërkaq vendimi ka hyrë në fuqi po atë ditë, ku në vend të saj ministër është emëruar Agim Krasniqi, i cili ishte zëvendësministër në këtë ministri.

Në letrën e dorëheqjes, Bajrami ka shkruar se do të angazhohet si deputete në Kuvendin e Kosovës, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Musa: Përgjegjësia nuk shuhet me pushimin e praktikimit të detyrës së Ministres

Image
Lekë Musa

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar në lidhje me dorëheqjen e Bajramit.

Musa u shpreh që nuk mund t’i ikë përgjegjësive për lëshimet në Thesar, vetëm pse ka dhënë dorëheqje.

“Ministrja në fakt edhe pse s’kishte dhënë dorëheqje, ajo nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për lëshimet në Thesar ku kanë rrjedhur paratë nga buxheti i Kosovës”, u shpreh Musa.

Njohësi o çështjeve të ekonomisë, më tej thotë që kjo dorëheqje vjen nga zgjedhjet e fundit që LDK doli të jetë humbëse dhe se do të vije qeveria e re shumë shpejt.

“Dorëheqja me sa po kuptoj ka të bëjë me zgjedhjet e fundit, ku LDK ka humbur dhe qeveria e re do të vije së shpejti”, theksoi ai.

Në fund, ai shton që përgjegjësia nuk mund të shuhet vetëm së pushuari së praktikuari detyrën e Ministres.

“Mirëpo përgjegjësia nuk shuhet me pushimin e praktikimit të detyrës së Ministres”, ka përfunduar Lekë Musa për “Bota sot”.

Krasniqi: Znj. Bajrami është dashur të jap dorëheqje në kohën e skandalit të 2 milionëshit

Image
Islam Krasniqi

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se kjo dorëheqje erdhi si pasojë e zgjedhjeve të fundit që LDK doli e treta.

Më tej, ai shton që dorëheqja më shumë ka të bëjë me një akt moral pasi që kjo qeveri i ka minutat e fundit.

“Unë besoj së kjo dorëheqje ka ardhur si pasojë e zgjedhjeve të fundit të 14 shkurtit, ku LDK-ja mori një goditje nga sovrani duke dala e treta me vetëm 13% gjithashtu mund të jetë edhe për arsye të disa dorëheqjeve në kryesi të LDK-së, të cilët duke e shfrytëzuar partinë e sillen në këtë gjendje. Gjithashtu tani edhe ashtu kjo qeveri i ka minutat e fundit dhe e këtë e ka bërë që të duket si akt moral”, ka thënë Krasniqi.

Në fund, analisti shton që Bajrami do të duhej të jepte dorëheqje në kohën kur u avulluan 2 milionë euro, por që sipas Krasniqit kjo në atë kohë tregoi një mos përgjegjësi të veprimeve e që ishte në kundërshtim me ligjin.

“Znj. Bajrami është dashur të japë dorëheqje në kohën e skandalit të 2, milionëshit, kur u ndanë një pjesë e tyre nëpër xhirollogari të disa zyrtarëve apo edhe familjarëve të tyre, apo aferat tjera siç ishin falja e 7 milionëshit, mirëpo kjo klasë politike akoma nuk e kupton se ka përgjegjësi për çdo veprim apo mosveprim i cili është në kundërshtim të ligjit, po harrojnë se akti moral nuk duhet të pritet deri sa të aktivizohet akti Ligjor”, ka përfunduar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat