Çfarë po ndodh në KQZ – u shndërrua në arenë të përplasjeve!?

Politika

Çfarë po ndodh në KQZ – u shndërrua në arenë të përplasjeve!?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 28 shkurt 2021 Në ora: 08:10
KQZ

Përplasjet gjatë mbledhjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) po ndodhin thuajse çdo herë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka me zyrtarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshin janë palët kryesore të cilët nuk po arrijnë të kenë një mendim të përbashkët.

Përplasjet e këtyre të fundit janë shpeshtuar dhe kanë shkuar deri në atë pikë, derisa kryetarja e KQZ-së, Daka ka lëshuar edhe mbledhjet, shkaku i përplasjeve verbale.

Kështu ka pasur tensione edhe në mbledhjen e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Madje, edhe në këtë mbledhje kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka e ka lëshuar mbledhjen e këtij institucioni, meqenëse anëtarët filluan të diskutojnë për përfaqësimin e komuniteteve në Kuvend.

Daka ka thënë se KQZ’ja vetëm organizon zgjedhjet dhe se nuk vendos për përfaqësimin e komuniteteve.

“Bollni me cirkuz politik. Këtu nuk është parlament. Ne vetëm organizojmë zgjedhjet”, ka thënë Daka para se ta lëshonte mbledhjen.

Daka, ka thënë se kush do që ka prova që ky institucion i ka mohuar të drejtën e votës ndonjë personi, le t’i drejtohet Prokurorisë.

Ajo gjatë mbledhjes së KQZ-së, si reagim ndaj deklarimit të Ali Ramës së Vetëvendosjes, ka thënë KQZ-ja është duke bërë krejt ç’farë mundet sipas ligjit, që ç’do qytetarë ta ushtrojë të drejtën e votës.

“KQZ nuk është vendi i përplasjeve”

Në lidhje me përplasjet brenda KQZ-së, profesori Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se KQZ-ja duhet të jetë e pavarur dhe të veprojë në bazë të ligjit, por, nëse ka konflikte për anime partiake është detyrë urgjente të bëhen kushte për ndalim të këtij veprimi.

Image
Muhamet Kelmendi

Madje nëse ka shkelje edhe nga kryetarja pse të lejohet aty, por edhe Kurteshi duhet të mbroj ligjin brenda KQZ-së, por me argumente faktike.

“KQZ-ja po lejon deformime të votës! KQZ-ja kërkohet të jetë e pavarur dhe të veprojë në bazë të ligjit zgjedhor që është në fuqi. Çdo fërkim apo konflikt me karakter të mbrojtjes së një ane është e rrezikshme dhe jo ligjore. Votat nuk mbrohen dhe procesi zgjedhor nuk merr karakter pozitiv duke mbrojtur njërin subjekt. Në KQZ nuk kërkohet përplasje por zbatim të ligjit zgjedhor. Nëse me të vërtetë ka konflikte në KQZ për anime partiake në emër të ndonjë partie a kandidati është detyrë urgjente krijimi i kushteve për funksionim dhe ndalim të këtij veprimi. Kjo d.m.th se nëse ka shkelje nga kryetarja e KQZ-së pse lejohet në atë pozitë! Apo nëse z. Kurteshi mendon se po shkelet ligji nga KQZ-ja është detyrë e tij për të mbrojtur ligjin, por në argumente faktike dhe pa konflikte të thella”, tha Kelmendi.

Më tej ka shtuar se Daka dhe Kurteshi i kanë harruar detyrat që i kanë në KQZ. Madje, konfliktet tregojnë se KQZ-ja ka nevojë të rinovohet sepse Kosovës i duhet një KQZ me karakter ligjor dhe e paanshme.

“E nëse ligji nuk ka mundësi të mbrohet në KQZ është PZAP, pastaj Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese për të vendosur edhe mbi këtë çështje. Duket se z. Kurteshi dhe z. Daka i kanë harruar detyrat dhe përgjegjësitë që i kanë në KQZ. Konfliktet që po dërgojnë në përplasje tregojnë se KQZ-ja duhet të rinovohet. Kosovës i duhen reforma të thella zgjedhore dhe një KQZ funksionale në punën e vetë që ka vetëm karakter ligjor. Kryesisht në KQZ nuk është vendi i përplasjeve midis anëtarëve, por i punës se paanshme dhe duke mbrojtur me forcë votën e votueseve”, është shprehur ai.

Tutje theksoi se thyerja e ligjit nga KQZ-ja, shpeshherë ka shkatërruar edhe votën madje edhe largimin e partive nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas tij, e gjitha kjo ka ardhur nga mungesa e reformave në zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Republikë.

“Thyerja e ligjit nga KQZ-ja ka ndodhur shpeshherë dhe ajo ka dërguar te gjendja e shkatërrimit të votës. Ka raste kur edhe i kanë lejuar vjedhjet brenda partisë dhe jashtë saj, deri te largimi i partive nga Kuvendi i Kosovës, ku pastaj mecankese nga PZAP u rikthye partia në Kuvend. Besohet se tek animi i anëtarëve deri edhe te kryetares/të në njërën a anën tjetër të partive rrjedhin edhe konfliktet dhe kjo ka ardhur nga mos zbatimi i ligjit dhe nga mungesa e reformave të thella në zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Republikë. Me reforma duhet të ndalohen animet dhe konfliktet. Kosovës i duhet një reformë e thellë ligjore. Tash duhet të kalohen fërkimet dhe mundësisht të mbrohet vota. Është detyrë e KQZ-së”, ka përfunduar Kelmendi për “Bota sot”.

“KQZ-ja duhet të depolitizohet”

Ndërsa juristi dhe analisti politik, Blerim Burjani thotë se KQZ-ja duhet të përbëhet nga profesionistë dhe jo të jetë e varur nga njerëzit që partitë politike i dërgojnë aty, madje që bëjnë edhe presion ndaj personave siç është ndaj Valdetes.

Image
Blerim Burjani

“KQZ-ja duhet të depolitizohet nga partitë politike të cilët shkojnë aty dhe bëjnë presion dhe probleme të llojllojshme, pra ky institucion duhet të përbëhet nga profesionist e jo nga partitë politike që i dërgojnë aty njerëzit dhe pastaj shkaktojnë probleme të ndryshme apo tentojnë të ndikojnë në procese dhe të bëjnë presione si zakonisht gjithmonë ndaj personave të pavarur siç është Valdetja”, deklaroi ai.

Sipas tij, problemi qëndron në atë se ky institucion punëson partiak në përfaqësim të partive, dhe askush nuk interesohet për ligjin dhe as për interesin e partisë

"Pra, depolitizimi është i domosdoshëm përmes një reforme zgjedhore, ky institucion punëson partiak në përfaqësim të partive, këtu është problemi kryesor dhe dëmi që i bëhet këtij institucioni. Aty mbrohet e drejta dhe e padrejta, më shumë e pa drejta se e drejta dhe ligji. Kush nuk interesohet për ligjin sa për interesin e partis. Pra, kjo nuk është asgjë e re, kjo po ndodhë me vite të tëra që nga viti 2008 në mënyrë masive”, përfundoi Burjani.

Përplasjet në KQZ për keqardhje

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se shndërrimi i mbledhjeve të KQZ-së për shkak të shfryrjeve politike është për të ardhur keq.

Image
Eugen Cakolli

Kosova që shumë vite është përgëzuar për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve por tani nga politizimi i diskutimeve po cenon profesionalizmin, madje edhe besimin e publikut.

“Asnjëherë më parë nuk ka pasur kaq shumë raste të mbylljes së mbledhjeve të KQZ-së para kohe, si rezultat i përplasjeve politike. Degradimi dhe shndërrimi i mbledhjeve të KQZ-së në hapësirë për shfryrjen e inateve politike, përmes devijimit nga agjenda, është për të ardhur keq. Ndonëse Kosova prej vitesh është përgëzuar për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, për çka një pjesë e madhe e meritave i shkojnë KQZ-së, politizimi i pothuajse secilit diskutim apo pikë të rendit po cenon profesionalizmin e këtij institucioni por edhe besimin e publikut në të”, ka deklaruar Cakolli për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat