“Rreziku nga LDD-ja e re brenda LDK-së”, profesori Bytyçi thotë se Kujtim Shala e humbi besimin, ky duhet të jetë kryetari unifikues

Politika

“Rreziku nga LDD-ja e re brenda LDK-së”, profesori Bytyçi thotë se Kujtim Shala e humbi besimin, ky duhet të jetë kryetari unifikues

Nga: D.RR Më: 2 mars 2021 Në ora: 13:27
LDK

Në anën tjetër nga vëmendja e zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe fitores bindëse të Vetëvendosje, është çështja e kryetarit të ri të LDK-së, përkatësisht dorëheqjes së Isa Mustafës.

Kuvendi i ri zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mbahet me 14 mars, teksa kanë filluar tensionet brenda partisë nga “kampe” të ndryshme.

Publikimi i një fotografie nga Avdullah Hoti me Kujtim Shalën, të propozuarin e Isa Mustafës për pasardhës të tij, ngjalli reagime nga kampi i Gjilanit, përkatësisht nga njerëzit e afërt të Lutfi Hazirit, të cilët si duket e duan Hazirin kryetar të LDK-së, e jo dikë tjetër.

Se brenda LDK-së nuk shkuan punët mirë, tregoi edhe Besian Mustafa, i cili përmes një letre të gjatë theu heshtjen dhe tregoi se si janë punët brenda LDK-së, pas kamerave.

Profesori Enver Bytyçi, thotë për “Bota sot” se zgjedhja e kryetarit të ri të Lidhjes Demokratike, gjithnjë nëse do ketë një të tillë, nuk do të jetë proces dhe punë e lehtë.

Ai mendon se nuk do të krijohet një LDD e re nëse nuk përzihet Isa Mustafa, por nëse ndodh e kundërta, atëherë është rrezik që të përsëritet skenari i vitit 2006 brenda LDK-së.

Image
Enver Bytyçi

“Zgjedhja e kryetarit të ri të Lidhjes Demokratike, gjithnjë nëse do ketë një të tillë, nuk do të jetë proces dhe punë e lehtë. Është punë e vështirë, sepse do të duhet të ketë konsensus. Në fakt LDK ka qenë e aftë për konsensuse, por shpesh herë ai është bazuar në interesat e ngushta të kryetarit në largim. Në rastin konkret secili kandidat për kryetar do të rivalizojë seriozisht dhe është e drejta e tyre ta bëjnë këtë. Por nuk shoh arsye që të krijohet precedenti I LDD-së, nëse procesi do të jetë i ndershëm dhe pa manipulime. Nga ana tjetër dyshoj se ky proces nuk do të jetë i tillë, sa kohë që do të ndërhyjë kryetari i dorëhequr Isa Mustafa. Do të ishte gjithçka ndryshe nëse Mustafa do jepte dorëheqje dhe nuk do të përzihej në zgjedhjen e kryetarit të ri. Por fatkeqësisht ai jo vetëm po ndërhyn, por ka rekomanduar emrin e atij se kush do ta pasojë atë në këtë post. Kjo do të thotë se konflikti është midis atyre që kërkojnë një proces real të manipuluar dhe atyre që përpiqen të garantojnë trashëgimin e Isa Mustafës në LDK. Më saktë: Konflikti është midis atyre që duan ta rikthejnë rugovizmin në LDK dhe atyre që duan të ruajnë lidhjet kriminale të Isa Mustafës me politikën. Nëse nuk fut hundët ish-kryetari në këtë garë, nuk do të ketë LDD të re. Ndryshe nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë dhe çfarë lëvizjesh do të ketë”, tha ai.

Bytyçi shprehet skeptik lidhur me kthimin e Vjosa Osmanit në LDK. Sipas tij, inatet e Isa Mustafës nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.

“Zgjedhja e kryetarit të Lidhjes Demokratike duhet të vijë nga radhët e atyre që nuk janë pajtuar me vijën politike dhe arrogancën e Isa Mustafës. Vetëm në këtë rast kjo parti mund t'i bindë zgjedhësit e saj të rikthehen te ajo. Dhe vetëm në këtë mënyrë mundet të ruhet harmonia dhe koherenca te Lidhja Demokratike. E vërteta është se Vjosa Osmani do të kompaktësonte LDK-në dhe do ta rikthente fuqinë e saj. Por inatet e Isës nuk do të mundësojnë që ajo të rikthehet e të marrë drejtimin e partisë. Në këto kushte Vjosa do të zgjedhë rrugën e nisur për t'u bërë presidente e vendit, do apo nuk do Isa Mustafa”, u shpreh Bytyçi.

Ai thotë se Fatmir Sejdiu do të ishte një emër unifikues për kryetar të ri të partisë dhe do t’i jepte kuptim dhe dimension tjetër procesit dhe garanton unifikimin e faktorëve dhe grupeve në LDK.

Bytyçi thotë se Kujtim Shala e humbi besimin kur doli e propozoi Isa Mustafa si pasardhës të tij.

“Ndërkaq zgjidhja tjetër që mund ta shpëtojë LDK-në lidhet me emrin e ish-presidentit, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu. Ai është kryetar nderi. Mundet që Kuvendi ta rikthejë në kryetar real, gjithnjë me qëllimin e mirë që të përgatiten kushtet për një fillim të ri me një kryetar me energji të reja. Në kushtet e sotme zgjidhja do të jetë problematike, sepse asnjë proces ku ndërhyn Isa Mustafa nuk mund të jetë i drejtë dhe i lirë. Përfshirja e Fatmir Sejdiut i jep kuptim dhe dimension tjetër procesit dhe garanton unifikimin e faktorëve dhe grupeve në LDK. Në kushtet e përçarjes të shkaktuar nga lidershipi i vjetër Lidhjes Demokratike i duhet një autoritet i konfirmuar si i tillë për ta mbajtur të bashkuar. Vjosa Osmani dhe Fatmir Sejdiu janë dy figurat e pakontestuara që mund ta luajnë këtë rol. LDK ka figura të reja të pakonsumuara dhe me autoritet të plotë moral e politik për ta drejtuar krijesën e Ibrahim Rugovës. Për mua Anton Çuni dhe Lumir Abdixhiku janë ndër ta. Kujtim Shala është gjithashtu një emër unifikues. Por këtë rol ia dëmtoi rëndë Isa Mustafa kur e propozoi atë si pasardhës të vetin. Prej atij momenti askush nuk beson se Kujtimi nuk është dorë e zgjatur e Isa Mustafës në LDK”, potencoi ai.

Bytyçi thekson se fajtori për humbjen e LDK-së në zgjedhje është Isa Mustafa, teksa tregon disa arsye pse ndodhi kjo.

“Anëtarët e Lidhjes Demokratike duhet të kuptojnë, nëse e duan partinë dhe suksesin e saj, se shkaktari i humbjes së besimit te LDK është kryetari i saj, Isa Mustafa. Ai u bë i pabesueshëm që në momentin kur detyroi deputetët e tij ta votojnë Hashim Thaçin për president me preteksin se "ashtu ishte marrëveshja"! Ndërkohë Hashimi sapo u bë president për të dytën herë e prishi marrëveshjen me LDK-në. Pastaj i dha goditje LDK-së kur premtoi se do të qeveriste me Vetëvendosjen dhe shkaktoi krizë politike në vend sipas skenarit të Hashimit. Askush tjetër nuk është fajtor për dështimin elektoral sa Isa Mustafa, ndonëse kanë faj ata drejtues si Agim Veliu, të cilët e mbështetën pa kushte kryetarin e tyre. Ka faj edhe kryeministri në largim Abdullah Hoti, sepse nuk u përpoq të veprojë jashtë konturave të shefit të tij në parti”, tha profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat