Profesori tregon skenarin e Lajçakut për Kosovën, përmend tri pika të tij

Politika

Profesori tregon skenarin e Lajçakut për Kosovën, përmend tri pika të tij

Nga: M.H Më: 2 mars 2021 Në ora: 16:07
Vjosa Osmani dhe Miroslav Lajçak

Gjatë ditës së sotme i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ka vazhduar vizitën e tij tre ditore në vendin tonë. Lajçak gjatë qëndrimit të tij është shprehur që temë diskutimi do të jetë dialogu Kosovë-Serbi, shkruan “Bota sot”.

Emisari sot vazhdoi takimet me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin, u.d e postit të presidentit, Vjosa Osmani dhe liderët e partive të tjera politike.

Ushtruesja e postit të presidentit, Vjosa Osmani pas takimit me Lajçak u shpreh se ia ka bërë të qartë Lajçakut që në emër të institucioneve të Kosovës dhe institucionit që drejton, që po ashtu udhëheq me politikën e jashtme seprocesi i dialogut duhet ta ketë një rishikim.

"E bëra të qartë në emër të institucioneve të Kosovës dhe institucionit që drejtoj, që po ashtu udhëheq me politikën e jashtme se për ne procesi i dialogut duhet ta ketë një rishikim, i cili ndër të tjera do të ndihmojë që Kosova të jetë e përgatitur dhe të respektojë interesat e veta, interesat e qytetarëve në një proces që patjetër duhet të rezultojë me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kufijtë aktual dhe me Kushtetutën aktuale të Kosovës”, u shpreh Osmani në konferencën për media.

Në lidhje me këtë temë, profesori Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që vizita e Lajçakut ka për qëllim shkëmbimin e mendimeve që Lajçak ka në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori përmendi tri pika që do të kërkojë Lajçak nga kjo vizitë, duke filluar nga formimi i qeverisë duke përfshirë këtu Listën Serbe, pastaj të krijohet situata dhe Qeveria të punojë për të bërë kompromis, qoftë edhe me ndryshimin e Kushtetutës së Republikës dhe së treti, do të insistojë në formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë me pushtet ekzekutiv, sipas marrëveshjeve.

Duke shtuar që kuptohet se dialogimit pa kushte do t'i vënë rëndësi të madhe. “Vizita e Lajçakut më 1 mars, për tri ditë në Prishtinë, është në vazhdën e bisedimeve me subjektet politike pas zgjedhjeve në Kosovë. Në kuadër të saj priten "shkëmbim" i mendimeve dhe Lajçak do të sjellë qëndrimin e BE-së të modifikuar “alla Lajçake” në llogari të Serbisë mbi dialogun e Kosovës me Serbinë. Tashmë po dihet nga çdokush në Kosovë pozita e përfaqësuesit të BE-së, Lajçak në dialogim. Ai, sikundër ka theksuar më herët, përsëri do të kërkon që të bëhen kompromise nga ana e Kosovës dhe natyrisht do të shprehet për integrime të Kosovës. Së pari, do të kërkon që menjëherë pas shpalljes së rezultateve të formohet Qeveria, duke përfshirë "Listën Serbska" në koalicion. Së dyti, të krijohet situata dhe Qeveria të punojë për të bërë kompromis, qoftë edhe me ndryshimin e Kushtetutës së Republikës dhe së treti, do të insiston në formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë me pushtet ekzekutiv, sipas marrëveshjeve. Kuptohet se dialogimit pa kushte do t'i vënë rëndësi të madhe. Kjo d.m.th se nëse Kosova kërkon shkarkimin e M. Lajçak nga ndërmjetësimi do të kërcënohet me izolim”, u shpreh profesori.

Më tej, Kelmendi thotë që Kosova nuk duhet të veprojë ashtu siç dëshirojnë përfaqësuesit Lajçak dhe Borell, kjo sepse Kosova duhet të jep sqarim në tryezë me BE-në dhe SHBA-të duke mos dialoguar me shtetin serb. Por, profesori thotë që qeveria që vjen në pushtet duhet të kërkojë nga shtetet e Evropës largimin e emisarëve të cilët janë pro serb.

“Mirëpo çështja nuk shkon sipas dëshirës të përfaqësuesit të BE-së, Lajçak dhe Borell në raport me Serbinë. Kosova kërkohet të jap sqarime dhe atë në BE se pa përfaqësuesit e SHBA-ve në tryezën e dialogimit, nuk dialogohet me shtetin serb. Thjeshtë jo me Lajçak e Borell. Po kështu, si dhe jashtë kësaj, pikërisht duhet Kosova, Qeveria që vjen në pushtet, të kërkojë në Bruksel, në Berlin, në Romë, në Paris e në Uashington largimin e tyre si pro serb. Madje edhe mos të dialogohet pa ndërrim së paku te M. Lajçak nga detyra e ndërmjetësuesit të BE-së”, thotë Kelmendi.

Kelmendi kujton edhe deklaratën e Lajçak në Sllovaki, i cili u shpreh që Kosova është pjesë përbërëse e shtetit serb dhe kërkesa për ndërrimin e Kushtetutës dhe formimin e Asociacionit në kundërshtim me Kushtetutën dhe verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, është gjithashtu një deklaratë proserbe. Në fund, Kelmendi thotë që dialog pa Prishtinë nuk ka me Beogradin, andaj duhet ketë për të shfrytëzuar përfaqësuesit e Kosovës, çdo lëshim tash është vdekjeprurës për Republikë.

“Fakte ka mjaft. Është deklarata e tij sa ishte në Sllovaki për "Kosovën pjesë përbërëse të shtetit serb". Kemi deklaratat proserbe dhe kërkesa për dëmtimin e shtetit të Kosovës duke kërkuar ndërrim të Kushtetutës dhe formimi të Asociacionit në kundërshtim me Kushtetutën dhe verdiktin e Gjykatës Kushtetuese. Është edhe harta e tij në zyre. Natyrisht se mund dhe nuk do të dëgjohet Prishtina. Por, megjithatë, me kohë ndryshohen gjërat dhe përfiton në peshë Republika e Kosovës. Dialog pa Prishtinë nuk ka me Beogradin. Andaj duhet ketë për të shfrytëzuar përfaqësuesit e Kosovës. Çdo lëshim tash është vdekjeprurës për Republikë”, përfundon profesori për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat