Lajçak në Kosovë/ Profesori nga Shqipëria: Erdhi me mendët e tij, u kthye me të Vjosës dhe Albinit!

Politika

Lajçak në Kosovë/ Profesori nga Shqipëria: Erdhi me mendët e tij, u kthye me të Vjosës dhe Albinit!

Nga: A.Z Më: 2 mars 2021 Në ora: 21:40
Miroslav Lajçak

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë Serbi Miroslav Lajçak pret që marrëveshje finale Kosovë-Serbi të arrihet gjatë qeverisjes së Albin Kurtit. Në një konferencë për media pas takimit me presidenten në detyrë Vjosa Osmani, Lajçak ka thënë se ky proces duhet të përmbyllet brenda disa muajsh e të mos marrë vite kohë. Ai ka thënë se në takimet që ka zhvilluar mbrëmë e sot me Kurtin e Osmanin janë pajtuar që dialogu të vazhdojë.

“I takon Kosovës dhe Serbisë të caktojnë se sa shpejt duhet ta përfundojnë këtë proces. Nëse duan takime mujore apo javore. Nuk do të ketë edhe shumë vjet kohë nëse ka përkushtim. Po mendoj se mund të kompletojmë këtë proces me marrëveshje gjithëpërfshirëse gjatë mandatit të Kurtit dhe Osmanit. Nuk shoh pengesa në këtë rrugë”.

Lidhur me këtë Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se pas ikjes së Thaçit, Kosova për herë të parë foli me një gjuhë, madje duke shprehur edhe vendosmërinë për dialog për një marrëveshje përfundimtare.

Ai thotë se të gjithë ishin të qartë, sikur Kurti ashtu edhe Osmani, Haradinaj dhe Hoti.

“Për tri ditë ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi qëndroi në Kosovë. Për herë të parë që prej ikjes në drejtim të paditur të Hashim Thaçit Kosova foli me një gjuhë, me të njëjtat argumente dhe shprehën vendosmërinë e tyre për një dialog bazuar në të drejtën dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare. Të gjithë ishin të qartë në mënyrën e vet. Kurti, kur i dorëzoi Lajçak librin e krimeve serbe në Kosovë. Vjosa Osmani kur artikuloi me mjeshtri dhe saktësi qëndrimin e shtetit të Kosovës ndaj dialogut dhe epilogut të tij, duke mbrojtur sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Kosovës. Haradinaj dhe Hoti po ashtu. Nuk e dimë se çfarë është biseduar me Listën Srpska. Por, edhe atyre u janë shteruar argumentet kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës”, tha ai.

Tutje ka theksuar se Lajçak-u erdhi me mendët e veta por u largua me të Vjosës dhe Albinit, madje u detyrua edhe të mësoj se Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran.

Sipas Bytyçit, për shkak të Ramës dhe Thaçi, Kosova gati u zhbë si shtet, por tani gjërat kanë ndryshuar sepse vizita e Lajçak-ut e vërteton këtë.

“Lajçak erdhi në Kosovë me mendët e veta dhe u largua me mendtë e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit! Nuk kishte më fuqi të përballonte malin e provave që sollën pavarësinë e Kosovës. Pra, Lajçak u nis të vinte me një hartë ku Kosova shihet si rajon i Serbisë dhe u detyrua të mësojë se Kosova është shtet i pavarur e sovran. E kam thënë vazhdimisht: Fati i Kosovës vendoset në Prishtinë, pastaj në Uashington e Bruksel, por kurrsesi nuk vendoset në Beograd e në Moskë. Lidershipi i paszgjedhjeve të 14 shkurtit e rivendosi të drejtën e Kosovës për ta vendosur fatin e shtetësisë në Prishtinë. Askund tjetër. Deshi Edi Rama dhe Hashim Thaçi dhe Kosova gati u zhbë si shtet. Po të mos donin ata të dy, nuk do të ishte rrezikuar ajo. Tani gjërat kanë ndryshuar. Rasti i Lajçak-ut dhe vizitës së tij në Kosovë e vërteton plotësisht këtë”, deklaroi Bytyçi.

Më tej shtoi se asnjë ndërmjetësues nuk mund ta imponoj vullnetin e tij. Do të ketë zëra të ndryshëm nga propaganda serbe, por nëse politika qëndron e bashkuar, atëherë askush nuk do të mund t’i prek themelet e Kosovës.

“Asnjë ndërmjetës i huaj nuk mundet ta imponojë vullnetin e tij, edhe nëse mendon ndryshe nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës! Ky është një mësim i madh. Uroj që të vazhdojë kësisoj i gjithë procesi i bisedimeve në të ardhmen. Por, një fillim i mbarë është gjysma e punës. Dikush do të përpiqet që ta thyejë unitetin e lidershipit politik në Kosovë. Do të ketë përsëri zëra mediatikë e politikë që do të thonë "Hajde se s'kemi çka kërkojmë prej Serbisë tash mbas 22 vjetësh"! Do të ketë prej atyre që do të thonë se "Këta që erdhën në pushtet do të detyrohen të bëjnë lëshime njësoj si ata të parët"! Çfarë nuk prodhon propaganda serbe në gojën e serbofilëve shqiptarë në Prishtinë e në Tiranë! Por nëse politika në Prishtinë qëndron e bashkuar, askush nuk i prek themelet e shtetësisë së Kosovës. Askush nuk mundet ta ve në diskutim territorin dhe kufijtë”, është shprehur Bytyçi.

Tutje ka thënë se për ndryshime kushtetuese në favor të serbëve nuk mund të diskujtojë askush. Lidhur me dialogun, Bytyçi thotë se është e mundshme të pëfundoj në mandatin e Osmanit dhe Kurtit, por vetëm të ketë qartësi, vendosmëri dhe argument që janë në favor të Kosovës.

“Askush nuk mundet të diskutojë për ndryshime kushtetuese në favor të serbëve. A e penguan serbët formimin e ushtrisë së Kosovës si kategori kushtetuese?! Po. Ushtria u formua me ligj, por jo me kushtetutë. Pse shqiptarët u dashka të bëjnë ndryshime kushtetuese në favor të Serbisë e të serbëve?! A mund të përfundojë dialogu në mandatin e Osmanit dhe Kurtit? Unë mendoj se është plotësisht e mundshme. Thjesht duhet qartësi, jo mjegull, jo dyzim. Duhet vendosmëri, jo lëkundje dhe mos dije se çfarë kërkon e çfarë projekti ofron. Duhet argument dhe këto janë pa fund në favor të Kosovës! Nëse Uashingtoni dhe Brukseli ndeshen në këto tipare në qëndrimet e palës shqiptare, gjithçka kanalizohet në dobi të zgjidhjes”, shtoi ai.

Bytyçi më tej shtoi se Serbia duhet të pranoj se nuk mund të nxjerr dhjamë nga Kosova dhe se ndërmjetësuesit duhet të kuptojnë se caku i kompromiseve ka marrë fund.

Sipas tij, marrëveshja mund të vijë atëherë edhe kur dialogu të hyjë në fazë intensivë më 2020.

“Thjesht Serbia duhet të kuptojë e ta pranojë faktin se nuk mundet të nxjerrë dhjamë nga Kosova. Thjesht ndërmjetësuesit ndërkombëtar duhet të kuptojnë dhe të pranojnë se caku i kompromiseve të Kosovës ka marrë fund. Dhe arrihet një marrëveshje. Ndoshta duhen dy ose tri vite, këtë nuk mund ta them saktë. Por, vitin tjetër ka zgjedhje parlamentare e presidenciale në Serbi dhe zor që do të ketë ndonjë zhvillim pozitiv para atyre zgjedhjeve. Pritet që dialogu të hyjë në fazë intensive diku nga shtatori 2022 dhe me siguri që më pas do të vijë zgjidhja-marrëveshja. Ajo tashmë është e paracaktuar të ndodhë, do marrëveshje e njohjes reciproke të të dy vendeve”, përfundoi Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat