Ramush Haradinaj me 7% të votave dëshiron të “shpërblehet” me postin e Presidentit

Politika

Ramush Haradinaj me 7% të votave dëshiron të “shpërblehet” me postin e Presidentit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 mars 2021 Në ora: 22:32
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është një prej kandidatëve për president të Kosovës.

Ai gjatë gjithë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit ka shpalosur program për postin e presidentit.

Tersi i gjithë kësaj është se deri më tani për aq sa rezultatet e zgjedhjen dihen AAK ka dalë në vendin e katërt më 7%.

Por pavarësisht kësaj, anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka paralajmëruar se kjo parti s’do të votojë asnjë kandidat tjetër për president, përpos Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se AAK nuk heq dorë nga kandidatura e Ramush Haradinajt për president. Madje, ai nuk e kupton pse diskutohet mundësia që AAK të heq dorë nga posti i presidentit.

“Ne qëndrojmë veç me kandidaturën tonë. Kjo dihet nuk e di pse keni dilema për këtë punë”.

Mirëpo kandidate për presidente është edhe Vjosa Osmani e cila aktualisht është ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës.

Shahu: AAK ndoshta ka numrat e artë për të krijuar institucionet

Analisti Rexhep Shahu për “Bota sot” shprehet se, përveç që është legjitime kandidatura e Haradinaj, partia e tij AAK që ka 7 përqind të deputetëve është parti e konsiderueshme që ndoshta ka numrat e artë për të krijuar institucionet

Image
Analisti Rexhep Shahu

“Ramush Haradinaj ose secili deputet i Kosovës ka të drejtë të zgjidhet president sepse askush nuk ka garuar për president në zgjedhje, sepse zgjedhjet nuk ishin për president por për deputetë, pasi Kosova është republikë parlamentare e jo republikë presidenciale. Ramush Haradinaj sikur me pas vetëm votën e tij ka të drejtë të garojë në Kuvend për t’u zgjedhë president i Kosovës nga parlamenti, nga Kuvendi i Kosovës. Natyrisht dhe partia e tij AAK që ka 7 përqind të deputetëve është parti e konsiderueshme që ndoshta ka numrat e artë për të krijuar institucionet”, ka thënë Shahu.

Më tej ai shton se, ndonëse Haradinaj ka dhënë shumë për vendin, nuk do të thotë se duhet shpërblyer me postin e presidentit të Kosovës.

Sipas tij, Haradinaj ka përkrahjen e partisë së tij dhe se parlamenti e sheh dhe peshon se a ka nevojë për votat e AAK për tjera funksione apo jo.

“Ramush Haradinaj si individ është i certifikuar se ka dhënë prova në drejtim të Kosovës dhe me sukses. Ai ka qenë kryeministër në dy kohë dhe me arritje. Pastaj kontributi i tij individual dhe familjar për luftën është madhështor, ai i ka dhënë tre vëllezër luftës. Kjo nuk do të thotë se duhet shpërblyer me postin e presidentit të Kosovës për këtë shkak, por do të thotë se është kandidaturë e konsiderueshme dhe me kontribute e vlera ndoshta më shumë se sa shumë të tjerë që janë bërë deputetë nga partia e jo nga meritat individuale. AAK ka gjithë të drejtën që votat e saj t’i japë vetëm për Ramushin. Parlamenti e sheh dhe peshon se a ka nevojë për votat e AAK për tjera funksione apo jo”, thekson Shahu.

Duhanaj: Haradinaj, nuk besoj që e bllokon vendin për një pozitë

Edhe analisti Leon Duhanaj për “Bota sot” ka thënë se, kur kemi të bëjmë me çështje të koalicioneve atëherë pyetja nuk shtrohet edhe aq kush sa fuqi ka, por kush sa ka nevojë për tjetrin.

Image
Leon Duhanaj

“Pretendimet e AAK-së, përkatësisht z. Haradinaj për postin e Presidentit, për mendimin tim janë më së legjitime. Kur kemi të bëjmë me çështje të koalicioneve atëherë pyetja nuk shtrohet edhe aq kush sa fuqi ka, por kush sa ka nevojë për tjetrin”, është shprehur Duhanaj.

Sipas tij, ashtu si znj. Osmani që ka një marrëveshje koalicioni dhe e cila ka garuar për pozitën në Presidencë, edhe z. Haradinaj ka bërë garë për të njëjtin qëllim.

“Në anën tjetër, ashtu si znj. Osmani që ka një marrëveshje koalicioni dhe e cila ka garuar për pozitën në Presidencë, edhe z. Haradinaj ka bërë garë për të njëjtin qëllim. Në ketë kontekst mbetet të shihet, por obligimi për të gjetur zgjidhje qëndron tek z. Kurti, përkatësisht znj. Osmani dhe nëse z. Haradinaj insiston dhe ata nuk kanë tjetër zgjidhje, atëherë duhet të lëshojnë pe. Megjithatë, sa e vlerësoj unë z. Haradinaj, nuk besoj që e bllokon vendin për një pozitë”, përfundon Duhanaj për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat