Juristi: Shpenzimet për ish-ushtarët e UÇK-së të menaxhohen në mënyrën e duhur

Politika

Juristi: Shpenzimet për ish-ushtarët e UÇK-së të menaxhohen në mënyrën e duhur

Nga: M.H Më: 3 mars 2021 Në ora: 14:51
Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi

Gjatë ditës së sotme ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, ka bërë të ditur që mbi 464 mijë euro nga buxheti i Kosovës, janë shpenzuar për mbështetjen financiare për avokatët për mbrojtjen e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuar me seli në Hagë.

Në Ministrinë e Drejtësisë në fund të vitit të kaluar janë shqyrtuar katër kërkesa të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Bajraktari tha se pas shqyrtimit të këtyre kërkesave ato janë aprovuar pasi i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara me ligj.

Në lidhje me këtë temë, juristi Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se të gjitha mjetet e shpenzuara duhet të kenë fatura dhe buxheti të mbikëqyret për këtë çështje.

Gjithashtu ai shprehet se duhet pasur një kontroll dhe një mbikëqyrje të vazhdueshme që këto para të mos harxhohen shumë shpejt ta pa nevojë.

Image
Blerim Burjani

“Të gjitha mjetet e shpenzuara duhet të kenë fatura dhe duhet mbikëqyrur këtë buxhet të dedikuar për këtë çështje. Duhet pra një kontroll dhe mbikëqyrje e vazhdueshme që paratë të mos harxhohen shumë shpejt dhe pa nevojë por ato para të shpenzohen nën mbikëqyrje të shtetit duke pas mbulues për shpenzimet e kryera”, u shpreh Burjani.

Më tej, juristi thotë që Thaçi dhe Veseli kanë tashmë dy fonde të tjera private e që nuk është nevoja të kërkohen para shtesë dhe është negative që të mos ketë besim në shtetin për të cilin ata vet kanë luftuar, sepse mund të vijë një ditë që mund të mbesin pa mbrojtje adekuate.

Mirëpo Burjani cek që palët kanë të drejtë gjithmonë për një avokat sipas detyrës zyrtare.

“Tash dihet se janë themeluar edhe dy fonde të tjera private për Hashimin dhe Kadriun në emër të tyre, nuk duhet të ketë nevojë që të kërkohen para shtesë dhe të mos ketë besim në shtetin për të cilin kanë luftuar që mund t’i ndal ato para një ditë dhe të mbeten pa mbrojte adekuate. Dihet edhe një çështje se palët kanë të drejtë gjithmonë për një avokat sipas detyrës zyrtare”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat