Profesori numëron arsyet e suksesit të Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit, përmend përplasjet me LDK-në

Politika

Profesori numëron arsyet e suksesit të Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit, përmend përplasjet me LDK-në

Nga: A.Morina Më: 4 mars 2021 Në ora: 18:11
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, pas numërimit të votave me kusht dhe votave të diasporës.

Lëvizja Vetëvendosje mori 49.95 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvendin e Kosovë. Sipas rezultateve nga KQZ-ja, Vjosa Osmani doli personi më i votuar në këto zgjedhje, me 300 mijë e 788 vota.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ai përmendi edhe numrin e madh të votave që Vjosa Osmanin arriti të marrë në këto zgjedhje.

Mehazi tha Osmani pritej që të merrte këtë numër të lartë të votave dhe aspak nuk është i befasishëm ky rezultat.

“Se Vjosa Osmani do merrte numër të madh të votave pritej e dihej që para zgjedhjeve të 14 shkurtit, ky numër i lartë i votave për Vjosa Osmanin ka qenë i pritshëm që në momentin e koalicionit të listës së saj "Guxo" me LVV-në e Albin Kurtit, kurrsesi vota për Vjosa Osmanin s'është befasuese, po shumë reale”, deklaroi ai.

Profesori tha se asnjëherë Kosova nuk ka pasur politikane më të fuqishme dhe me performancë më të mirë se Vjosa Osmani. Ai shtoi se Kosova ka hyrë në binarët e duhur politik me Osmanin dhe Kurtin në krye të saj.

“Kosova kurrë nuk ka pasur politikan apo politikane më me kaq performancë politike, shprehjesh e veprimesh politike të hekurta e të pathyeshme sikurse Vjosa Osmani, fjalimet e saja të shkurtra, me peshë, të afërta e të sinqerta, me ato zanore e saja të hekurta politike bindnin dita-ditës qytetarët për t'i zënë besë e për të votuar masovikisht për te. Për së pari herë Kosova ka hyrë në binarët e duhur politike me, Vjosa Osmanin e Albin Kurtin në krye të Kosovës.”, theksoi Mehazi.

Ai tregoi edhe arsyet se pse Osmani arriti të marrë më shumë vota se të gjithë kandidatët e partive të tjera për kryeministër (Hoti, Hoxhaj e Haradinaj).

“Rrugëtimi i saj politik së bashku me veprimet e saja të logjikshme, të drejta, po kundërshtuese ndaj devijimeve absurde të ish partisë së saj të LDK-së, e bëri që me anë të votave të qytetarëve të mposhtë të gjithë tog, e të marrë vota më shumë sesa: Hoti, Hoxhaj, Haradinaj së bashku”, nënvizoi Mehazi.

Në fund, profesori tha se të gjithë shqiptarët duhet të krenohen me Vjosën dhe Albinin, pasi ata do të jenë të autoritetshëm ndërkombëtarisht edhe para diplomatëve evropianë e amerikanë

“Qytetarët e Kosovës, po edhe shqiptarët në përgjithësi duhet të krenohen me, Vjosa Osmanin dhe me Albin Kurtin, të cilët jo që do jenë të autoritetshëm e dinjitozë ndaj qytetarëve të Kosovës, po do jenë të autoritetshëm ndërkombëtarisht edhe para diplomatëve evropianë e amerikanë” , përfundoi profesor Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat