Çfarë fshihet pas tërheqjes ‘misterioze’ të urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiq?  

Politika

Çfarë fshihet pas tërheqjes ‘misterioze’ të urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiq?  

Arife Morina Nga Arife Morina Më 5 mars 2021 Në ora: 12:23
Milan Radoiçiq

Lideri i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq, ishte qëlluar për vdekje mëngjesin e 16 janarit të vitit 2018. 

Që nga ajo kohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka arritur t’i dëgjojë 40 dëshmitarë dhe t’i identifikojë tre persona që dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e tij, shkruan "Bota sot".

Kurse, me 23 nëntor të vitit të 2018, Policia e Kosovës zhvilloi një operacion të kërkimit në veri të vendit, me qëllim të arrestimit të Milan Radoiçiq, i cili nuk u gjet në vendqëndrimin e tij, ndërsa gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona. 

Më pas, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhër-arrest për Radoiçiq. 

Ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë, për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiqit, i cili dyshohej për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe Themelorja ia ka aprovuar. 

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër arrestit ndaj Milan Radoiçiqit. 

Sipas një dokumenti, thuhet se vendimi është marrë me 23 shkurt të këtij viti, ndërkaq urdhër-arresti ishte lëshuar më 14.08.2020. 

“Gjykata më datë 19.02.2021 e ka pranuar kërkesën për tërheqjen e urdhër arrestit nga Prokuroria Speciale të datës 19.02.2021 me arsyetimin se duke u bazuar në të dhënat e raportit të Policisë së Kosovës për përfshirjen e të dyshuarit Milan Radoiçiq në kryerjen e veprave tjera penale dhe fakti se që nga koha e lëshimit të urdhër-arrestit të parë, nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në vendim. 

Sipas vendimit të gjykatës të siguruar, pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj të dyshuarit, ka konstatuar se kërkesa është e arsyetuar mirë dhe e bazuar konform dispozitës së nenit 173 paragrafi 3 të KPPRK-së. 

Njohës të çështjeve juridike për gazetën “Bota sot”, kanë komentuar vendimin e shumë përfolur për tërheqjen e urdhër-arrestit të Milan Radoiçiq. 

Ata deklaruan se Gjykata Themelore e Prishtinës, nuk kishte zgjidhje tjetër përveç aprovimit të vendimit për tërheqjen e urdhër-arrestit për Milan Radoiçiq, nga Prokuroria Speciale e Kosovës. 

Kelmendi: Është veprim i shpejt dhe i pambështetur në gjendjen faktike 

Njohësi i çështjeve kushtetuese dhe profesori, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiqit, të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. 

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi tha se e tërë përgjegjësia penale mbi këtë çështje i bie gjykatës. Ai përmendi edhe provat konkrete të cilat e lidhin të akuzuarin me veprën penale. 

“Çështja e përgjegjësisë penale i takon vetëm gjykatës të vendos përfundimisht. Dhe, në këtë anë, nëse është në pyetje mos ekzistimi i provave konkrete mbi aktin e tillë nga ky i akuzuar, kuptohet se gjykata duhet ta lirojë nga përgjegjësia, por vetëm pas shqyrtimit kryesor”, deklaroi Kelmendi. 

Në vazhdim, ai shtoi se nëse ka mungesë të fakteve, atëherë askush nuk mund të mbahet në paraburgim. 

“Nuk mund të mbahet askush në paraburgim ose nën akuzë në mungesë të fakteve. Nëse është kështu, gjykata ka vepruar drejt pse e ka lëshuar nga përgjegjësia penale”, theksoi njohësi i çështjeve kushtetuese. 

Por, Kelmendi duke u bazuar në deklaratat e Prokurorisë Speciale për Radoiçiqit, e konsideroi si veprim të shpejtë dhe të pambështetur në fakte. Ai përmendi edhe faktin se kjo çështje është dashur të zhvillohet në gjykatë. 

“Mirëpo, shikuar në anën faktike, nga ajo çka ka deklaruar Prokuroria Speciale më herët mbi të akuzuarin, është veprim i shpejt dhe i pambështetur në gjendjen faktike. Çështja është dashur të zhvillohet në gjykatë, aty të dalin dëshmitë dhe faktet dhe në fund të vendoset mbi rastin”, përfundoi Kelmendi. 

Burjani: Faktet e reja për rastin, prokuroria duhet të i bëj publike 

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se prokuroria duhet të jap më shumë të dhënë lidhur me çështjen e tërheqjes së urdhër-arrestit për Milan Radoiçiq.

Image
Blerim Burjani

“Kjo çështje është e prokurorisë për të dhënë arsye dhe për të sqaruar, nëse prokuroria ka informata tjera dhe ka po ashtu fakte të reja për rastin, ajo çështje mbetet t’i bëjë publike ajo si prokurori”, deklaroi Burjani. 

Juristi e vuri në pah rëndësinë e fakteve të reja, në mënyrë që prokuroria të dal më një arsyetim të këtij vendimi. 

“Pra faktet kanë rëndësi, nëse ka fakte të reja dhe të bindshme, atëherë ky vendim arsyetohet nga kjo prokurori”, përfundoi Blerim Burjani. 

Gjoshi: Në një procedurë të tillë, prokurori i shtetit ka rolin udhëheqës 

Kurse, avokati Adrian Gjoshi për gazetën “Bota sot”, tregoi se kush është përgjegjës për tërheqjen e urdhër-arrestit të Milan Radoiçiq. 

Image
Adrian Gjoshi

Gjoshi tha se e tërë kjo përgjegjësi bie mbi prokurorinë dhe jo gjykatën 

“Përgjegjësia për heqjen e fletë rreshtimit ndërkombëtar nuk bie mbi gjyqtarin, por bie në prokurorin e çështjes”, u shpreh avokati për “Bota sot”. 

Në fund, Gjoshi tha se në këto raste gjyqtarët vetëm i aprovojnë kërkesat e prokurorisë. Prandaj, sipas tij, gjykata nuk ka zgjidhje tjetër veçse aprovim të kërkesës për anulimin e urdhër-arrestit. 

“Në një procedurë të tillë, prokurori i shtetit ka një  rol udhëheqës dhe gjyqtarët vetëm i aprovojnë kërkesat e tilla, duke qenë se pala që ka kërkuar fletë rreshtimin është tërhequr, pra, prokurori i shtetit, gjykatës nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta aprovojë kërkesën dhe ta anulojë fletë rreshtimin”, ka përfunduar avokati Adrian Gjoshi për “Bota sot”. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat