Ramabaja publikon propozimin e ri të Serbisë që zëvendëson ndarjen e Kosovës

Politika

Ramabaja publikon propozimin e ri të Serbisë që zëvendëson ndarjen e Kosovës

Më: 6 mars 2021 Në ora: 10:24
Harta e Kosovës

Vizitën e Miroslav Lajçakut, të dërguarit të Komisionerit për Politika të përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, Joseph Borel, në Kosovë e komentuar dr. Sadri Ramabaja.

Lajçaku ka qëndruar për tre ditë rresht në Kosovë ku është takuar me liderët e institucioneve të Kosovës dhe liderët e partive politike.

Ramabaja thotë se kjo vizitë e Lajçakut në tri qendrat ku përplasen interesat gjeostrategjike të Perëndimit me Rusinë në rajon: në Beograd, në Prishtinë e në Podgoricë, nxori nga sirtarët e shërbimeve sekrete serbe e ruse variantin e “Republikës autonome” të viteve tetëdhjeta të shek. 20.

“Çfarë në fakt përmban propozimi i vjetër, i periudhës së Ivan Stamboliqit, që bëhet për herë të parë publik nga Beogradi, tani si alternativë e katapultuar në formatin e propozimit serb që zëvendëson ndarjen e Kosovës?! Presidenti serb Aleksander Vuçiq, fill pas takimin me Lajçakun, pohoi se zgjidhja për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës duhet të jetë statusi i Çeçenisë, Dagestanit dhe Tatarstanit në Federatën Ruse. Modeli federal i Bashkimit Sovjetik që i ishte propozuar klasës politike të autonomistëve në Kosovë në prag të ndryshimeve kushtetuese në marsin e vitit 1988, rinxirret nga adrenalina pikërisht nga kundërshtarët e tij më të mëdhenj”, thotë Ramabaja.

Ai kujton se, mbështetësit të këtij varianti, ish kryetarit të Lidhjes Komuniste të Serbisë të asaj epoke – Petar Stamboliqit, ky propozim i pati sjellë fundin e tij politik, ndërkaq në prag të luftës ia kishte ngrënë kokën në mënyrën më makabre në një prej parqeve të Zemunit.

“Modeli i projektuar i Republikës autonome nga Ivan Stambolliqi me shokë (ku bënte pjesë edhe një segment i fuqishëm i LKJ-së për Kosovë në vitet ‘80-ta), kishte gjasa reale të ishte i pranueshëm si për Moskën, ashtu edhe për Uashingtonin, madje me këtë projekt do të kënaqej atëbotë edhe Brukseli. Por, nga ajo kohë deri në marsin e vitit 2021 , kur ai variant risillet në skenë sërish, anë kaluar mbi tridhjetë vite dhe një lumë ngjarjesh, përfshi dhe luftën në Kosovë”, thekson ai.

Ramabaja shton se, rikthimi në jetë i këtij projekti, nga presidenti serb, pavarësisht se në aparencë ai është konstrukt krejtësisht figurativ, meqë në realitet është i paimplementueshëm edhe në burimin e tij (Federatën ruse), duket ka për objektiv të arrijë dy qëllime.

“I pari, të shtyjë dialogun në kalandrat greke, duke shpresuar në rikthimin e mundshëm të D. Trump-it në Shtëpinë e Bardhë dhe ripozicionimin gjeostrategjik të aleatëve të vjetër të Serbisë brenda BE-së, ndërkaq objektivi i dytë, ka të bëjë me intencën për hedhjen e përgjegjësisë ndaj dështimit të dialogut pikërisht Prishtinës zyrtare. Përmes këtij hapi strategjik krejtësisht të lexueshëm, Vuçiq mëton të ruaj tutje fondet mbështetëse të Brukselit për zhvillimin e Serbisë dhe pushtetit të tij personal. Miroslav Lajçak duket se nuk e ka tumirë si gjetje të pëlqyer këtë intencë të shmangies së Beogradit nga objekti real i dialogut: pozita e serbëve në Republikën e Kosovës. Madje, duke njohur pozicionimin gjerman rreth dialogut, mundet edhe t‘ia ketë hedhur poshtë në çast, meqë nga takimi Vuçiq na doli tepër i nevrikosur”, thekson ai.

Sipas tij, Lajçaku tek pasi është përballur me fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit – Albin Kurtin, kryeministrin në ardhje, por edhe me Vjosa Osmanin, presidentja në ardhje, e ka kuptuar se në raportet Prishtinë – Bruksel – Beograd tashmë ka ndryshuar çdo gjë, rrjedhimisht mbrojtja e pozitës dhe interesave personale, duket të ketë reflektuar edhe në bisedimet me presidentin serb.

“Por, këtë fakt edhe më mirë se Lajçak tashmë duket ta ketë kuptuar presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Prandaj ai afishoi përmes marionetës së tij Muamer Zukorliç, kryetarit të “Partisë për Drejtësi dhe Pajtim” të minoritetit boshnjak, projektin për “Republikën autonome” për Kosovën në kuadër të Serbisë federale! Në prapavijë të këtij publikimi të planit rezervë serb mbi statusin e Kosovës, në plan të parë duket të jenë tashmë kalkulimet e pritshme mes Sarajevës dhe Beogradit rreth të ardhmes së Republikës Srbska dhe Sanxhakut”, pohon ai.

Ai shton se, si në vitet e 80-ta edhe sot krahu i nacionalistëve konservatorë serbë, të mbështetur edhe nga Kisha, meqë e kanë të qartë se pavarësia e Kosovës tashmë është akt i kryer, po hulumtojnë rrugë për të zëvendësuar humbjen e Kosovës përmes kompensimeve në perëndim (Bosnjë).

“Edhe ky publikim i kësaj të ashtuquajture ofertë serbe, është produkt i natyrës gjeopolitike të mbijetesës së Serbisë si faktor gjeostrategjik në rajon. Ai mëton të godas dy frontet njëkohësisht: i pari, që ka të bëjë me krijimin e rrethanave politiko-ushtarake, duke sjellë opinionin para aktit të kryer, që do të garantonte ruajtjen e Kosovës si “Zonë të interesit nacional serb” qoftë edhe duke krijuar trazira të shpifura në veri të Kosovës, ndërkaq në fronti i dytë real, ka të bëjë me zgjerimin faktik të Serbisë në Perëndim, drejt Bosnjës dhe ruajtjen e Sanxhakut si zonë e interesit jetik. Aleksandar Vuçiq-i duke nxjerrë në shesh projektin e tipit të “Republikës autonome ruse”, si ofertë serbe, e që de fakto të le të kuptohet se ka qenë projekt rezervë B, dëshmon më shumë pranimin e dështimit të Beogradit në betejën për Kosovën. Ai tashmë e ka të qartë faktin se në Kosovë, më 14 shkurt, nomenklatura titiste dhe gjithë ai llum marionetash që përbënte kolona e pestë serbe, tek e cila ai mbështetej, kanë pësuar goditjen vdekjeprurëse”, pohon Ramabaja.

Sidoqoftë, sipas tij, oferta e re serbe që Kosova të pajtohet me statusin e një lloj republike të tipit rus – si ai i Çeçenisë, Tatarstanit dhe Dagestanit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, është tallja e radhës nga ana e Beogradit jo vetëm me Prishtinën zyrtare, por edhe me Brukselin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat