“Nëse ju jeni bashkë, unë jam i detyruar të respektoj vullnetin tuaj”/ Profesori zbërthen mesazhet e Lajçakut

Politika

“Nëse ju jeni bashkë, unë jam i detyruar të respektoj vullnetin tuaj”/ Profesori zbërthen mesazhet e Lajçakut

Nga: N.Sh Më: 6 mars 2021 Në ora: 12:11
Mirosllav Lajçak dhe Vjosa Osmani

Si asnjëherë tjetër ndërmjetësi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ndenji në Prishtinë gati tri ditë.

Ai u takua me liderët politikë dhe të institucioneve të Kosovës.

Lajçak gjatë vizitës në Kosovë, kërkoi të formohet Qeveria e re, si dhe të rifillojë dialogu me Serbinë.

Profesor dr. Enver Bytyçi thotë se, gjatë vizitës së tij, dukej se Lajçak ishte i shqetësuar dhe kishte llogarit vështirësi në këtë vizitë.

“Jam i sigurt se ai e pati paragjykuar në stilin e Richard Grenell kryeministrin në ardhje, Albin Kurtin. Ka shumë mundësi që ta ketë paragjykuar edhe presidenten në detyrë, Vjosa Osmanin, sepse ishte mësuar të vinte e të bënte pazare me ish-presidentin, Hashim Thaçi. Prandaj Lajcak erdhi në Prishtinë i pakushtëzuar në kohë. Por mbaroi punë më shpejt se duhet. Albin Kurti i dha një libër të bardhë në anglisht, ku pasqyrohen masakrat dhe krimet kundër njerëzimit të shtetit, ushtrisë, policisë e akademisë serbe ndaj shqiptarëve. I argumentoi se ai ishte votuar nga qytetarët për luftën kundër korrupsionit, për zhvillimin dhe punësimin dhe se dialogu është prioritet i katërt i tij. Në Beograd Lajçak, duke e pranuar vendimin e Kurtit, e moderoi fjalën, duke thënë se “zoti Kurti e ka dialogun si çështje të parë të politikës së jashtme”!”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, sa i përket bisedimeve të tij me zonjën Osmani, edhe në këtë rast, Lajçak u ballafaqua me disa parime thelbësore ku do të mbështetet dialogu.

“Kryesore ishin respektimi i kufijve dhe territorit, si dhe pamundësia që një asociacion i komunave serbe në Kosovë të ketë kompetenca ekzekutive. Ajo i bëri të qartë se gjithçka do të zhvillohet Brenda kornizës kushtetuese të sotme të shtetit të Kosovës. Me gjuhë të njëjtë e pritën ish-shefin e diplomacisë sllovake edhe Hoti dhe Haradinaj. Kësisoj zgjedhjet e 14 shkurtit e dhanë efektin e parë pozitiv. E detyroi klasën politike të vendit që të bashkohen në një opsion të vetëm sa i përket dialogut dhe sidomos marrëveshjes përfundimtare. Nëse Kosovës desh iu ngulën thikat në territorin e saj, kjo erdhi kryesisht për shkak se ndryshe mendonte e vepronte presidenti Thaçi dhe ndryshe kryeministri Haradinaj. Shkaku ishte ish-presidenti, i cili punonte për interesat e Serbisë së bashku me Edi Ramën dhe Baton Haxhiun”, thekson profesori.

Ai shton se, nisur nga gjithçka që ndodhi gjatë vizitës tri ditore, Lajçak u detyrua të mos kundërshtojë publikisht opsionet e lidershipit të ri sa i përket zgjidhjes përfundimtare dhe procesit të dialogut.

“Madje ai dha një mesazh të rëndësishëm, që lidershipi në Kosovë të flasë më gjuhë të përbashkët. Nuk e di nëse ka patur ndonjë rast që dikush nga bashkëbiseduesit e palës shqiptare të ketë folur me gjuhë të ndryshme nga të tjerët. Në fakt edhe nuk e besoj këtë. Por ndoshta Lajçak e dha këtë mesazh për t’u paraqit si person i paanshëm dhe objektiv, ndoshta për të dhënë mesazhin se hartat e deformuara në zyrën e tij janë produkt i liderëve të mëparshëm, të cilët mund ta kenë pranuar këtë fakt. Është vështirë të thuhet saktë, por unë mendoj se harmonia që ai gjeti kësaj radhe e detyroi që të thotë se “nëse ju jeni bashkë, atëherë unë jam i detyruar që të respektoj vullnetin tuaj”!”, shton ai.

Profesori mendon se, pas vizitës së Lajçak në Prishtinë dhe në Beograd ka mundësi të zhvillohet ndonjë takim ekspertësh për të përgatitur samitin e parë në nivel të lartë pas formimit të qeverisë dhe krijimit të institucioneve.

Por ky dialog nuk do jetë produktiv për së paku dy vite për shkak të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare e presidenciale në Serbi.  Zoti Kurti është i detyruar të dialogojë, por nuk është në dorën e tij nëse do të jetë efektiv dhe produktiv. Ai mund të bëjë presion, mund të përdorë ndonjë masë si ajo e reprocitetit. Mund dhe duhet të ndërtojë një strategji dhe taktikë të qartë dhe të mençur për dialogun. Duhet të kërkojë dhe ta arrijë konsensusin e partive politike në parlament për objektivat dhe procedurën e dialogut. Duhet të ndërtojë strategjinë e sulmit dhe të mos qëndrojë në mbrojtje përballë agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë. Mbi të gjitha, Kurti dhe institucionet e tjera, partitë politike parlamentare, vetë parlamenti, duhet të flasin me një zë, të jenë këmbëngulës e të vendosur”, përfundon profesor dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat