Alarmi për klane në LDK, analisti e ‘zbulon’ se kush e ka edhe me tej në duar këtë parti – përmend edhe shkatërrimin e këtij subjekti

Politika

Alarmi për klane në LDK, analisti e ‘zbulon’ se kush e ka edhe me tej në duar këtë parti – përmend edhe shkatërrimin e këtij subjekti

Nga: N.H Më: 6 mars 2021 Në ora: 21:06
Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në zgjedhjet e 14 shkurtit ka përjetuar rezultatin më të dobët në historinë e saj si subjekt politik.

Pas, këtij rezultati, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka paraqitur forumeve dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë.

Pra, vendimi vjen pasi kjo parti politike mori në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 një rezultat tejet të dobët.

Mirëpo, edhe pse ka paraqitur dorëheqjen Isa Mustafa, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka vazhduar me akuza ndaj kryetarit të deritashëm.

Zyrtari i lartë i këtij subjekti, Naser Rugova e ka quajtur Isa Mustafën, kryetar të klaneve.

Ai ka thënë tutje, se nga ajo që po e sheh, ka frikë se Mustafa me shokë po e synon këtë të dytën, pra krijimin e klaneve në Lidhjen Demokratike.

“Kryetari i partisë apo një kryetar klanesh. Nga ajo që po shoh, kam frikë që Isa Mustafa me shokë po e synon këtë të dytën”, ka deklaruar Naser Rugova.

Se a ka klane në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për këtë çështje ka folur, njohësi i zhvillimeve politike në vend.

Analisti politik, Faton Mehmeti, është i mendimit se përkundër zhvillimeve të fund, Mustafa edhe me tej ka klanin e tij brenda LDK-së.

Image
Faton Mehmeti

“Së pari duhet thënë se Naser Rugovës tani i doli gjumi, meqenëse asnjëherë deri më tani nuk e ka kritikuar Isa Mustafën, edhe pse degradimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur moti. Ku ishte deri tani Naser Rugova? Në anën tjetër, është e kuptueshme se Isa Mustafa ka klanin e tij brenda LDK-së”, ka thënë Mehmeti.

Njohësi i çështjeve politike, konsideron se ky klan po mundohet të ndryshoj vetëm emrin e kryetarit, ndërsa, thekson se me këto klane po synohet shkatërrimi total i  Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Dhe, ky klan po mundohet të ndryshoj vetëm emrin e kryetarit, por jo qasjen, nuk duan të lëshojnë pe. Kjo vetëm sa konfirmon atë që është sekret publik; shkatërrimi total i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mustafa me klanin e tij nuk heqin dorë kaq lehtë, ata po bëjnë çdo gjë që të vazhdojnë të kenë në duart e tyre frerët e partisë. Kjo gjë vetëm sa do e dëmtoj edhe më shumë partinë”, ka deklaruar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës nën udhëheqjen e Isa Mustafës ka humbur secilat zgjedhje kombëtare.

Në fakt, hera e fundit kur kjo parti ka fituar zgjedhjet e përgjithshme është nën udhëheqjen e presidentit historik, doktor Ibrahim Rugova.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat