Rreziku për LDK-në, me një kryetar të ri si Isa Mustafa

Politika

Rreziku për LDK-në, me një kryetar të ri si Isa Mustafa

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 7 mars 2021 Në ora: 07:57
Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i mbajë zgjedhjet për kryetar të partisë në Kuvendin zgjedhor, që është vendosur se do të mbahet me datën 14 mars.

E kur kanë mbetur pak ditë nga kjo datë, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka vazhduar me akuza ndaj Isa Mustafës në prag të zgjedhjeve për kryetarin e partisë, duke dhënë kështu edhe një paralajmërim.

Rugova e ka quajtur Isa Mustafën kryetar të klaneve, derisa ka thënë se nga ajo që po e sheh, ka frikë se Mustafa me shokë po e synon krijimin e klaneve në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Kryetari i partisë apo një kryetar klanesh. Nga ajo që po shoh, kam frikë që Isa Mustafa me shokë po e synon këtë të dytën”, ka shkruar Rugova në Facebook.

Njohësit e çështjeve politike e shohin si të arsyeshëm paralajmërimin e Rugovës.

Madje, analistët bëjnë thirrje që secili anëtar të reflektojë dhe t’i bashkohet një procesi real të reformimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Këta të fundit, konsiderojnë se përsëri kryetari në largim i LDK-së, ka filluar të krijojë klane brenda partisë, në mënyrë që, sipas tyre, edhe pas zgjedhjeve të përkëdhelurit e tij të mbesin në krye të këtij subjekti.

Bytyçi: Isa Mustafa nuk do të tërhiqet aq lehtë, anëtarësia duhet të ngrihet dhe të ndalojë një operacion tjetër anti-LDK

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Evropës Juglindore, dhe studiuesi i njohur ndërkombëtar, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke folur për paralajmërimet e Naser Rugovës, ka thënë se ky i fundit duhet merret seriozisht, edhe pse e sheh që nuk ka shumë mbështetje publike nga figurat e tjera të kësaj partie.

Image
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

“Dr. Naser Rugova prej disa javësh po ngre zërin e tij për reformimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Është interesant të dallojmë faktin se zoti Rugova nuk ka qenë kritik para zgjedhjeve, ndërkohë që pas zgjedhjeve ai disa herë ka tërheq vëmendjen për reformimin e LDK-së, me qëllim që ajo të rikthehet te imazhi dhe fuqia e mëparshme politike. Ndërkaq, ai nuk ka shfaqur deri më sot ndonjë pretendim për të kandiduar për kryetar. Për këto arsye Dr. Naser Rugova duhet marrë seriozisht, edhe pse e shoh që nuk ka shumë mbështetje publike nga figurat e tjera të kësaj partie. Por në demokraci nuk është e thënë që ka të drejtë ai që mbështetet nga shumica. Ky parim vlen për regjimet totalitare dhe autoritare dhe përdoret shpesh nga udhëheqës të tillë”, ka thënë Bytyçi.

Profesori Bytyçi ka shtuar se kryetari i deritanishëm i LDK-së, Isa Mustafa, nuk do të tërhiqet aq lehtë, përkundër se ka paralajmëruar dorëheqjen.

“Zoti Mustafa e ka përdor gjithnjë si “argument” imponimin e “shumicës”. Kështu bën edhe Edi Rama në Shqipëri. Nuk do të thotë të jesh shumicë e të kesh të drejtë. E drejta dhe e vërteta sillet në publik kryesisht nga individët. Nëse lidershipi i jep vëmendje individit, atëherë aty ka demokraci. Fakti që Isa Mustafa po manipulon procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri është tashmë i përditësuar nga ana e tij. Ai gjendet ende në krye të Lidhjes Demokratike, edhe pse ka dhënë dorëheqjen. Ai nuk duket se do të tërhiqet kaq lehtë. Ditën që dha dorëheqjen gati sa nuk ia faturoi Avdullah Hotit dështimin e partisë së tij, duke thënë se ai ishte kandidat për kryeministër. Donte të thoshte se “Unë nuk isha kandidat, se po të isha unë, atëherë LDK nuk do dështonte kaq me sukses”. Në fakt nëse Isa Mustafa do të ishte kandidat për kryeministër, LDK do të kishte marrë aq vota sa mori AAK-ja, ose edhe më pak se aq. E gjitha sa ndodh lexohet si papërgjegjësi ose mision i Isa Mustafës për ta shkatërruar në themel Lidhjen Demokratike”, ka theksuar ai.

“Mustafa duhet detyruar të largohet”

Bytyçi shprehet ta ketë paralajmëruar edhe personalisht, por edhe shumë të tjerë, se drejtimi dhe politikat e gabuara e të qëllimshme të Isa Mustafës do ta dëmtojnë rëndë partinë e Ibrahim Rugovës.

“Kujt i dhimbset LDK duhet që para zgjedhjes së kryetarit të ri ta largojë de facto Isa Mustafën nga roli dhe ndikimi i tij në proces. E gjithë anëtarësia e LDK-së duhet të ngrihet dhe të ndalojë një operacion tjetër anti LDK të Isa Mustafës. Nesër nuk do të ketë gojë askush të thotë se “nuk e dinim se do të ndodhë kësisoj”. Sinqerisht nuk jam i mërzitur me ata që më janë kundërvënë për këtë paralajmërim. Pajtohem me ta, sepse nuk do të thotë që fenomenet secili t’i shohë me të njëjtën optikë. Por, tani që gjithçka duket e është sheshit, nuk i falet askujt të bëjë indiferentin e të soditë nga larg destruktivitetin e kryetarit formalisht të dorëhequr, Isa Mustafa. Ai duhet detyruar jo vetëm të rrijë në shtëpi, por as të mos telefonojë bashkëpunëtorët e tij në rrënimin e LDK-së, të cilët janë ende aktivë në këtë parti. Ai duhet bojkotuar dhe izoluar. Nëse ka ende anëtarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët duan t’i bëjnë “respekt”, ose fresk Isa Mustafës, këtë le ta bëjnë në ndonjë kafe ose duke i shkuar për vizitë në shtëpi. Por jo në dëm të partisë dhe identitetit të saj”, ka thënë mes të tjerave ai.

Profesori ndërkombëtar thekson se për të gjitha këto arsye, e mbështet zërin kritik të Naser Rugovës, teksa ka bërë thirrje që secili të reflektojë dhe t’i bashkohet një procesi real të reformimit të LDK-së.

“Për të gjitha këto arsye kam mbështetur qëndrimet e Dr. Naser Rugovës dhe e quaj të domosdoshme që secili të reflektojë dhe t’i bashkohet një procesi real të reformimit të LDK-së. Pa këtë nuk do të mund të vijë ajo në kuota të caktuara respektuese në elektorat. Nëse kjo nuk ndodh tani, atëherë do të jetë vonë. Nëse nuk ndodh që reformimi i Lidhjes Demokratike të bëhet duke i mënjanuar Isat, Agimat, Skënderat, madje edhe Lutat e Haki Rugovën që më shumë kohë i duhet të kalojë në hetime sesa në zyrë, atëherë LDK duhet të harrojë se merr vota për ta drejtuar qoftë edhe një komunë të rëndësishme në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë prof. Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Analisti Qarri: Mustafa sërish ka filluar të krijojë klane brenda partisë, synimi që të përkëdhelurit e tij të mbeten në krye të saj

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, ka paralajmëruar se Isa Mustafa përkundër humbjes katastrofale, sërish ka filluar të krijojë klane brenda partisë, në mënyrë që edhe pas zgjedhjeve të përkëdhelurit e tij të mbesin në krye të partisë.

Image
Gani Qarri

“Zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, përveç fitores së madhe të LVV-së dhe Listës së Dr. Vjosa Osmanit, dëshmuan edhe dëshpërimin e thellë e të pafund të anëtarësisë së ndershme dhe elektoratit besnik të LDK-së, për humbjen më katastrofale, prej se është formuar dhe ka vepruar kjo parti e mirënjohur, si segment i parë, politik e pluralist dhe shtet formues në Kosovë, nga Dr. Ibrahim Rugova. Për aq më keq, Isa Mustafa jo vetëm që nuk u mjaftua me humbjen marramendëse të LDK-së, për të cilën pikërisht ai, është fajtori kryesor, por sipas zyrtarit të lartë të saj, Naser Rugova, Mustafa edhe pas rrëzimit të kësaj partie, në vetëm 12.6 % të votave të elektoratit dhe dorëheqjes së “proklamuar” verbale, serish ka filluar të krijoi klane brenda partisë, në mënyrë që edhe pas zgjedhjeve për kryetar dhe kryesi të re, të përkëdhelurit e tij, të mbeten në krye të saj”, është shprehur ai.

“Sjellja jo e duhur e Isa Mustafës, dëmtoi rëndë LDK-në”

Qarri shpjegon se ajo çfarë bëri që LDK-ja të përjetoi këtë humbje të madhe ishte fakti se sjellja e Mustafës nuk ishte e duhura, andaj edhe bëri që të dëshpërohet votuesi i LDK-së.

“Madje, sikur mos të mjaftonte as humbja trishtuese e LDK-së dhe e ardhmja tërësisht fragjile dhe pothuajse fare e pasigurt e saj, si segment politik, Isa Mustafa me sjelljet e tij tipike komuniste, dëshpëroi deri në atë masë edhe votuesit më besnik të LDK-së, sa që ata të ikin nga kjo parti bashkë me Vjosa Osmani dhe t'i bashkëngjiten Listës "GUXO", si dhe vet LVV-së së Albin Kurtit. Ndaj, nëse edhe përkundër të gjitha këtyre fatkeqësive që kanë goditur këtë parti, qysh nga katapultimi i Isa Mustafës si kryetar i saj, dhe sërish në krye të LDK-së, vërtetë zgjidhet dikush si Isa Mustafa dhe bashkë ortakët e tij që shkatërruan LDK-në duke e kthyer nga partia më e madhe në vend, në njërën prej partive më të vogla dhe humbësen më të madhe të zgjedhjeve të 14 shkurtit, kjo do të ishte zgjedhja më fatale, që do ta qonte drejtpërsëdrejti LDK-në, në ndarje dhe shuarjen e saj, si segment me vete politik”, ka thënë me tej Qarri.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve politike ka bërë me dije se në rast se nuk ndalohen skenarët e paralajmëruar, ka rrezik që kjo parti edhe të shuhet.

“Dhe vetëm pak muaj më vonë, kur planifikohet të mbahen edhe zgjedhjet lokale, me njerëz të kalibrit të Isa Mustafës në krye, LDK do të pësojë katastrofë edhe më të madhe dhe do të shkërmoqet tërësisht edhe në bastionet kryesore dhe qytetet më të mëdha të vendit, që deri më tani ishin nën udhëheqjen e saj. Kështu që, nëse vërtetë nuk arrijnë të ndalohen urgjentisht dhe atë sa më parë, dallaveret e tij, qëllimi kryesor i kasapit të LDK-së dhe ish anëtarit të LKJ-së, Isa Mustafës duket të jetë, pikërisht pengimi i reformave brenda LDK-së, humbja edhe më katastrofale në zgjedhjet lokale dhe shuarja përfundimtare e LDK-së së Ibrahim Rugovës, si parti”, ka përfunduar njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat