Qeveria Hoti me votë antikushtetuese, fajtore për regresin në Kosovë

Politika

Qeveria Hoti me votë antikushtetuese, fajtore për regresin në Kosovë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 7 mars 2021 Në ora: 12:26
Qeveria Hoti

Me 25 mars 2020 u rrëzua Qeveria Kurti, e formuar nga VV dhe LDK, me mocion mosbesimi të dërguar në Kuvend nga kjo e fundit.

E pasojat e kësaj duket se nuk ishin të vogla.

Së fundmi, Organizata Freedom House arriti në përfundimin se në vitin 2020 aktorët autoritarë u bënë më të guximshëm, ndërsa demokracitë më të mëdha përballeshin me problemet e brendshme, duke sjellë si rezultat një rënie për të 15-in vit me radhë në lirinë botërore.

Freedom House nxori raportin e saj vjetor të vitit 2021 për Lirinë në Botë, sipas së cilit hendeku mes rënieve dhe përmirësimeve në nivelin e lirisë u thellua. Sipas raportit, Kosova ka rënë për dy pikë, nga 56 në 54.

Sipas raportit Freedom House, Ballkani është mes rajoneve që kanë pësuar rënie, por ka shënuar edhe disa përparime.  

Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbeten pjesërisht të lira, dhe kanë pësuar një rënie prej një pike dhe dy pikësh respektivisht. 

Kosova sipas kësaj organizate ka shënuar regres. 

E për këtë rënie, sipas këtij raporti, ka ndikuar rrëzimi i Qeverisë Kurti dhe formimi i Qeverisë Hoti, me votën e një deputeti të dënuar.

Për këtë raport, analistët kanë folur për gazetën "Bota sot".

Qarri: Qeveria Hoti, ndër shkaqet e rënies së Kosovës  

Analisti politik Gani Qarri, duke komentuar raportin e kësaj organizate, tha se në Kosovë jo vetëm që ishte pandemia, se kjo ishte në gjithë botën, por tek ne është bërë politika e tej-inkriminuar, e cila tash e mbi dy dekada, është kthyer në kancer të mbytjes së zhvillimit ekonomik, prosperitetit dhe demokratizimit të vendit. 

Image
Gani Qarri

“Përderisa në gjithë botën nga viti i kaluar e këndej, u diskutua vetëm për krizën me Coronavirusin, në Kosovë sikur u harrua kriza shëndetësore, ngase me akrobacionet e partive të inkriminuara mbizotëroi kriza politike në vend për rrëzimin antiligjor të një qeverie dhe krijimin e një tjetre në mënyrë plotësisht të kundërligjshme duke shkelur edhe Kushtetutën e shtetit tonë të brishtë. Madje ani pse në vendet tjera me udhëheqje dhe qeverisje normale, në vitin 2020, arsye për brengosje ishte vetëm pandemia me Covid-19, në Kosovë, shkak i të gjitha të këqijave, ka vite që është bërë politika e tej-inkriminuar, e cila tash e mbi dy dekada, është kthyer në kancer të mbytjes së zhvillimit ekonomik, prosperitetit dhe demokratizimit të vendit”, është shprehur Qarri. 

Më tej thekson se, siç është përmendur edhe nga Organizata amerikane “Freedom House” se qeveria e Avdullah Hotit është krijuar me votë të jashtëligjshme dhe në mes të pandemisë, kjo ishte ndër shkaqet që çuan deri në rënien e konsiderueshme të Kosovës në nivelin gjithnjë e më të ulët të demokracisë. 

“Për aq më tepër krijimi klandestin i qeverisë së kundërligjshme të Avdullah Hotit me përdorimin e votës së një deputeti me dënim të plotfuqishëm gjyqësor, është cekur edhe nga Organizata amerikane “Freedom House” si njëri nga shkaqet thelbësore për rënien e konsiderueshme të Kosovës në nivelin gjithnjë e më të ulët të demokracisë. Por pas zgjedhjeve të 14 shkurtit,me gjithë rrënjët e thella dhe dëmin e rëndë që, kasta e partive të inkriminuara, tash e mbi 21 vite ka shkaktuar në Kosovë, edhe këtu ka filluar të ndjehet një lehtësim i vogël dhe të lind shpresa se përfundimisht edhe në vendin tonë do të ndodhë mundja e korrupsionit, krimit të organizuar e mafies politike dhe të rifillojë demokratizimi i mirëfilltë i politikës, i shtetit dhe shoqërisë së Kosovës”, ka deklaruar Qarri. 

Sipas tij, orkestrimit kundërligjor i gardës së vjetër politike, shkaktoi jo vetëm rënien edhe më poshtë të Republikës së Kosovës në nivelin e demokratizimit, por shteti i kapur i Kosovës, në vend të progresit dhe ecjes përpara, po shënon pareshtur vetëm regres, në të gjitha proceset ndërkombëtare. 

Por, ai beson se që nga zgjedhjet e 14 shkurtit Kosova do të çlirohet nga dominimi i mafies politike dhe do të fillojë një ngritje e konsiderueshme e progresit dhe nivelit të demokracisë. 

“Duhet cekur edhe një herë se rënia e Kosovës në këtë pozitë kaq të ulët, i atribuohet pikërisht rrëzimit të kundërligjshëm të qeverisë Kurti dhe formimit kundër kushtetues të qeverisë së Avdullah Hotit, me votën e kontestuar të deputetit Etem Arifi i dënuar më parë me vendim të plotfuqishëm gjyqësor, gjë që sipas vlerësimit të vet Organizata Freedom House Kosova mund të konsiderohet se është vetëm pjesërisht e lirë, pasi që ka shënuar rënie këtë vit edhe për 2 pikë, nga 56 në 54, sosh.  Kështu që, orkestrimit kundërligjor i gardës së vjetër politike, shkaktoi jo vetëm rënien edhe më poshtë të Republikës së Kosovës në nivelin e demokratizimit, por shteti i kapur i Kosovës, në vend të progresit dhe ecjes përpara, po shënon pareshtur vetëm regres, në të gjitha proceset ndërkombëtare.
Ndaj me rënien drastike të piramidave të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në votimet e 14 shkurtit, besohet se ky vit ishte vit i mbarë edhe për ndryshimet e shumëpritura e rrënjësore në vend dhe pas dy dekadave të kapjes së shtetit, përfundimisht edhe Kosova do të çlirohet nga dominimi i mafies politike dhe filloj një ngritje e konsiderueshme e progresit dhe nivelit të demokracisë”, ka përfunduar Gani Qarri për "Bota sot". 

Burjani: Qeverisjet e dobëta dhe jo stabile, kanë bërë që Kosovëa të shënon regres 

Kurse, njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Bujrani, ka thënë se ky është rezultat i qeverisjeve jo stabile në Kosovë dhe për atë Kosova shënon regres. 

Image
Blerim Bujrani

“Po ky regres është i kuptueshëm, kur të merret parasysh se Kosova që dy vite nuk ka ndonjë qeverisje stabile, edhe tash nuk i dihet nëse i analizojmë me kujdes proceset gjendja është e njëjtë me 2020. Pra, s'ka ndonjë shenjë pozitive se Kosova do të ketë qeverisje të plotë stabile e që është si rezultat i sistemit proporcional që nuk ofron asnjëherë qeverisje stabile por ofron qeverisje jo stabile, problematike dhe gjithmonë në qeveri mund të ketë disa parti së bashku me partitë minoritare në qeverisje, pra problemi i Kosovës është thejshtë i sistemit zgjedhor që prodhon gjithmonë pasiguri”, ka thënë Burjani. 

Sipas tij, edhe partia fituese në Kosovë, nëse nuk mund të krijojë stabilitet, nuk mund të ketë pozitivitet në renditje të “Freedom House”. 

“Është e kuptueshme se Kosova nuk mund të ketë bëjë qeverisje normale me këtë sistem, ku asnjëherë nuk mund të arrihet apo rrallë mund të ndodhë në këtë sistem të fitojë e vetme një parti shumicën. Dhe, tash nëse VV nuk merr ndonjë parti tjetër në koalicion, atëherë do të rrëzohet nga minoritet dhe opozita pra s’ka stabilitet dhe normal që Kosova asnjëherë me këtë vetëdije nuk mund të ketë pozitivitet në renditje të “Freedom House”, ka potencuar ai. 

Ndryshe, sipas raportit, Shqipëria ka rënë një pikë më poshtë, ndërsa Maqedonia e Veriut ishte një nga historitë e suksesit me tri pikë përmirësim nga një vit më parë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat