Kryetari dhe kryesia e re e LDK-së, veprimtari alarmon dhe thotë se po bëhet qëllimshëm – këta janë fajtorët kryesor për humbjen në zgjedhje

Politika

Kryetari dhe kryesia e re e LDK-së, veprimtari alarmon dhe thotë se po bëhet qëllimshëm – këta janë fajtorët kryesor për humbjen në zgjedhje

Nga: N. H Më: 7 mars 2021 Në ora: 16:47
Lidhja Demokratike e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë Kuvendin Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri, më 14 mars të këtij vitit.

E, kur kanë mbetur edhe pak ditë, zyrtar të këtij subjekti kanë paralajmëruar se edhe me tej ekzistojnë klane brenda partisë. Kështu ka deklaruar, anëtari i hershëm i LDK-së, dhe njëherit ish deputet i këtij subjekti, Naser Rugova.

Lidhur me zhvillimet dramatike, të cilat po e përcjellin LDK-në, për këtë çështje ka folur njohësi i zhvillimeve politike.

Analisti politik dhe veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se fajtorët kryesor për rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet e fundit janë degët e këtij subjekti, së bashku me kryetarin në largim dhe Këshillin e Përgjithshëm, si dhe kryesinë e LDK-së.

Image
Ramazan Bekteshi

“Caktimi i Kuvendit të X-të të LDK-së për më 14 mars me një nxitim të qëllimshëm, ka gjasë t’i ngjaj asaj datës 14 (Sh)Kurti-t, kur LDK-ja nga një ‘akademi politike’ u shndërrua në një virus 12%. Fajtorë për ketë janë degët e LDK-së të orkestruara nga kryetari i saj së bashku me Këshillin e Përgjithshëm dhe kryesinë e LDK-së që edhe pas humbjeve të një-pas-njëshme për një dekadë ata kurrë nuk kërkuan përgjegjësi nga Isa Mustafa. Të gjithë e përkrahën, dhe askush s’guxoi të ngre zërin kundër tij, ata që e kundërshtuan u përjashtuan. Andaj, çfarë kuptimi ka që LDK të mbajë kuvendin e X-të të saj dhe të zgjedh kryetarin pa reforma, dhe të porositur nga Isa dhe të votuar nga e njëjta kryesi që ishte fajtore e duhet të largohet”, ka thënë Bekteshi.

Ai konsideron se që nga viti 2010-të, vit ky kur erdhi Isa Mustafa në krye të partisë, LDK-ja pësoi një fiasko të vërtetë.

“LDK-ja e “akademikëve” pësoi një fiasko të vërtetë, sepse që nga 2010 ajo ishte një çerdhe e dy “gjarpërinjve”, ‘kobrës’ (Hashimit) dhe ‘Mambës së zezë’ (Isës) që bënë pazarllëqet më të kobshme në shpinë të LDK-së dhe Kosovës. Zaten, këto dy protagonistë që ishin edhe devalvues të partitive të tyre, njëkohësisht janë edhe përgjegjës për dy fondet kombëtare, Fondi i Qeverise dhe Vendlindja Thërret”, tha ai.

Reformat në LDK

Kurse, mendon se nxitimi i këtij Kuvendi nuk është asgjë tjetër pos një tentim për të ricikluar njerëzit e Isa Mustafës, dhe shtimit të agonisë dhe devalvimit deri në shkatërrimin e LDK-së.

“Reformat e mirëfillta nuk mund të bëhen nga protagonistë që e sollën partinë në këtë situatë, reformat nuk bëhen nëse fajtorët nuk ndëshkohen. Reformat duhet bërë që nga nëndegët, degët e deri në zgjedhjen e një Këshilli të përgjithshëm me njerëz të rinj dhe Kryesi të re. Kështu, në këtë stil të vjetër nuk do të mund t’a reformonte partinë as edhe personaliteti si Rugova. Prandaj, Vjosa dhe Donika me gjasë nuk do të kthehen në parti qoftë edhe nëse do t’u ofrohej të udhëheqin partinë, sepse ato janë të vetëdijshme se sa poshtë ka ra partia”, ka deklaruar veprimtari i njohur.

Në këtë prononcim, Bekteshi, ka dhënë edhe disa shpjegime, ku ka treguar mënyrat se si do të duhej të sillej Mustafa, në rast se nuk do të dëshironte ta shihte LDK-në në këtë gjendje të rëndë.

“Isa Mustafa, nëse do të kishte një gram njerzillëk dhe nëse nuk do të dëshironte që LDK të tkurret ende, do të vepronte kështu; 1. Të tërhiqet dhe mos të përzihet në reformat e partisë. 2. T’i kërkojë falje anëtarësisë së LDK-së dhe të përgjigjet për humbjet e një-pas-njëshme dhe për devalvimin që ia shkaktoi partisë. 3. Të jap përgjegjësi për Fondin e Qeverisë 3%-shi dhe Dardania Bankë. 4. T’u kërkoj falje familjeve për të gjitha vrasjet e pas luftës të anëtarëve më të devotshëm të LDK-së, t’i kërkoj falje familjes së Adem Jasharit që edhe pas kaq vitesh askush s’është dënuar për masakrën më të madhe familjare që është kryer ndonjë herë në Evropë, sepse derisa ishte në pushtet ai kurrë nuk kërkoi drejtësi për viktimat as në Kosovë e as në qarqet ndërkombëtare”.

“5. T’i kërkoj falje publike qytetarit të Kosovës dhe të jap përgjegjës sipër Demarkacionin me Mal të Zi, dhe Zajednicën. 6. T’i kërkoj falje publike Kosovës pse e zgjodhi president Thaçin, dhe pse nuk e paditi Serbinë për gjenocid, pse nuk kërkoi reparacione lufte nga Serbia, pse nuk punoi mjaft për të zhdukurit, pse s’bëri asgjë për pensionet e kosovarëve në Serbi, pse nuk e frenoi korrupsionin por ishte pjesë e tij. 7. T’i kërkojë falje diasporës dhe degëve të LDK-së nëpër botë, që ishin hambari dhe ambasadat e Kosovës në katër kontinente, por që i injoroi dhe i shuajti edhe pse ishin asetet më të çmueshme të LDK-së dhe Kosovës”, ka treguar ai.

Krejt në fund, veprimtari Bekteshi ka theksuar se LDK-ja e presidentit Rugova në këto zgjedhje përfundoi më turp, ndërsa ka nënvizuar se reformat e thella janë më së të domosdoshme për këtë parti.

“Falli i LDK-së, se ajo është institucioni i shtetit, se është akademia politike, çerdhja e intelektualëve, partia e presidentit historik, e përralla tjera plotë, përfundoi me 14 shkurt me turp, duke u shndërruar nga një parti shtet formuese në një fatkeqësi 12%. Pa reforma të mirëfillta, partisë do t’i hapej edhe një kapitulli ri, nga disfatat në shkruarje të epitafit të saj. LDK, edhe pranë gjithë këtyre rënieve, ajo si me fanatizëm vazhdon të qëndroj buzë greminës, e varur keq të kërraba e Isës”, tha në fund ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat