Vërshim politik në zgjedhjet lokale, fuqia e Kurtit dhe Osmanit dobëson partitë tjera

Politika

Vërshim politik në zgjedhjet lokale, fuqia e Kurtit dhe Osmanit dobëson partitë tjera

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 8 mars 2021 Në ora: 18:14
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Pas më shumë se dy javë pas mbajtjes së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka shpallur rezultatet përfundimtare.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka njoftuar se fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 438 mijë e 334 vota.

Pas LVV-së, partia e dytë më e votuar doli të jetë Partia Demokratike e Kosovës me 148 mijë e 296 vota dhe e treta ka përfunduar Lidhja Demokratike e Kosovës me 110 mijë 978 vota.

“Numri i votuesve 814 mijë e 122 votues. Numri i votuesve 89 mijë e 257 votues jashtë kutive të votimit. Pjesëmarrja në votime 48.77%. Lëvizja Vetëvendosje ka marr 438 mijë e 334 vota, PDK-ja 148 mijë e 296 vota dhe e treta ka përfunduar Lidhja Demokratike e Kosovës me 110 mijë 978 vota, AAK-ja 62 mijë e 111 vota. Lista Serbe 44 mijë e 404 vota”, ka thënë Daka.

Lëvizja Vetëvendosje theu rekord me numrin e votave, në histori të zgjedhjeve në Kosovë.

E, në tetor të këtij viti, në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale.

Duke pasur parasysh zgjedhjet parlamentare, sa pritet të kenë rënie e ngritje partitë?

Lidhur me këtë, analistët kanë folur për gazetën “Bota sot”.

Me këtë kryesi, LDK-ja pas zgjedhjeve drejt shkatërrimit përfundimtar

Kështu analisti politik, Gani Qarri, ka thënë se referendumi gjithë popullor i 14 shkurtit, e vërtetoi se antipartia e qytetarëve e dënoi rëndë partinë e LDK-së, kështu duke rënë si parti në shkatërrim total.

Sipas tij, nëse Mustafa me suitën e tij nuk tërhiqen dhe nuk përjashtohen e gjithë kryesia e vjetër nga kjo parti, atëherë, LDK-ja pas zgjedhjeve do të shkoj drejt shuarjes përfundimtare të saj.

Image
Gani Qarri

“Referendumi gjithë popullor në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, vërtetoi përfundimisht se antipartia e madhe e qytetarëve dhe vet elektoratit të LDK-së, ndaj ish kryetarit arbitra të saj, Isa Mustafës, e dënoi aq rëndë këtë parti, sa që nga segmenti i parë politik dhe dikur më i madhi në Kosovë e lëshoi në vetëm 12.6 % të votave dhe e ktheu në parti pothuajse minore, si dhe gati buzë shkatërrimit total të saj. Ndaj, pas vendimit të sovranit në zgjedhjet e 14 shkurtit, që edhe ishte ndarja përfundimtare e qytetarëve të Kosovës me partitë e inkriminuara, të kaluarën kriminale të këtyre segmenteve dhe krimin e korrupsionin në vend, përveç dërgimit të ish partive të PAN-it në cepin e dështimit dhe shndërrimit të tyre në grupime të parëndësishme e dytësore, ky referendum popullor ka shkallmuar aq rëndë LDK-në, sa që përveç humbjes së thellë në zgjedhjet qendrore, nëse Isa Mustafa me suitën e tij antipatike nuk tërhiqen urgjentisht dhe përjashtohen të gjithë kryesia e vjetër nga kjo parti, mjerisht pas zgjedhjeve lokale, LDK-ja pritet të shkallmohet tërësisht dhe të shkoj drejt ndarjes dhe shuarjes përfundimtare të saj”, është shprehur Qarri për “Bota sot”.

Më tej, ai theksoi se Mustafa edhe pas dorëheqjes formale nga pozita e kryetarit, ai prapë ka filluar krijimin e klaneve për të dërguar drejt shkatërrimit përfundimtar LDK-në.

Madje, sipas tij, duke e pasur parasysh edhe dëbimin e padrejtë të Osmanit, që edhe vet pjesa kryesore e LDK-së duket se shkoi me të, doli të jetë kandidatja më e votuar, kështu edhe në zgjedhjet lokale ata do ta votojnë edhe më fuqishëm kundër LDK-së.

“Zaten ky duket të ketë qenë edhe qëllimi kryesor dhe final i Isa Mustafës, i cili ashtu siç paralajmërojnë edhe bashkë partiakët e tij si Naser Rugova, Fatmir Rexhepi, Melihate Termkolli etj, ai edhe pas dorëheqjes formale nga pozita e kryetarit të partisë, sërish ka filluar të nxisë fraksione dhe krijimin e klaneve brenda saj në mënyrë që të qojë drejt shkatërrimit përfundimtar të LDK-së, ish partisë më të madhe në vend. Për aq më tepër, duke pasur parasysh faktin se pas dëbimit aq të padrejtë, arbitrar e tërësisht përulës të Dr. Vjosa Osmanit nga kryesia e vjetër e LDK-së me në krye Isa Mustafën, si njëra nga politikanet më të suksesshme aktuale e cila i takon frymës së re politike dhe njihet si figurë e panjollosur në afera korruptive e kriminale, ku jo vetëm numri më i madh i votave të elektoratit të LDK-së, por edhe vet pjesa kryesore e këtij elektorati duket se shkoi me kryetaren e Parlamentit dhe Presidenten aktuale dhe të ardhshme të vendit, të cilët pas marrjes së një numri kaq të madh të votave nga Vjosa që doli të jetë edhe kandidatja më e votuar në gjithë Kosovën, në zgjedhjet lokale, ata do të votojnë edhe më fuqishëm kundër LDK-së”, ka shtuar analisti.

Më tej, ai është shprehur se nëse LDK-ja nuk ndahet nga kryesia e vjetër dhe nuk zgjedh një kryetar dhe një kryesi tjetër, dhe bazuar në rezultate e zgjedhjeve, LVV-ja do të fitojë edhe shumicën e komunave. Ndërsa, LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja do të kenë rënie edhe më drastike se në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Kështu që, si rrjedhojë e gjithë kësaj, nëse LDK-ja nuk ndahet urgjentisht nga kryesia e vjetër që edhe është fajtorja kryesore për gjendjen kaq të pafavorshme në të cilën e ka sjellë këtë parti dhe fut reforma të menjëhershme e rrënjësore pikësëpari duke zgjedhur një kryetar të ri dhe kryesi të re e krejt tjetër nga ajo e vjetra, bazuar edhe në vet rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në tetor kur edhe pritet të mbahen zgjedhjet lokale, LVV-ja me një siguri relativisht tejet të madhe, pritet t'i fitojë përfundimisht edhe shumicën e komunave, të cilat deri më tani i udhëhiqte LDK-ja dhe partitë si LDK-ja, PDK-ja e AAK-ja të kenë rënie edhe më drastike dhe pësojnë fiasko edhe më të rëndë, se sa ne zgjedhjet parlamentare te 14 shkurtit në Kosovë”, ka deklaruar Gani Qarri për “Bota sot”.

LVV-ja e zgjeruar në tërë territorin e Kosovës

Ndërsa analisti dhe profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se fitorja e LVV-së tregon se qytetarët janë për ndryshime rrënjësore politike, gjë që do të vazhdojë edhe gjatë zgjedhjeve lokale.

Sipas Mehazit, tronditjet politike kanë të njëjtin kuptim sikurse cunamet që përmbysin çdo gjë për të nisur nga fillimi.

Image
Sulejman Mehazi

“Fitorja bindëse e LVV-së gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, tregoi se qytetarët e Kosovës janë për ndryshime rrënjësore politike, se këto ndryshime do vazhdojnë edhe gjatë zgjedhjeve lokale që do mbahen në tetor. Histori e teorisë por dhe praktika politike botërore na jep të drejtë të themi se tronditjet politike e kanë kuptimin e tërmeteve e cunameve vërshuese që përmbysin çdo që për të filluar nga fillimi”, ka thënë ai.

Si parashenjë të cunamit politik sipas tij, ishte fitorja e LVV-së në Podujevë, e cila do të përhapet në tërë Kosovën.

Tutje, ai vlerëson se shuplakat e Kurtit dhe Osmanit do të vazhdojnë edhe më pas, vetëm për të dobësuar edhe më shumë LDK-në, PDK-në dhe AAK-në.

“Parashenja e parë e cunamit politik në Kosovë ishte fitorja bindëse e LVV-së në Podujevë, pas rrënimit të kësaj kështjelle të LDK-së çdo gjë dihej e ishte e qartë se ky vërshim zgjedhor lokal do zgjerohet e përhapet në tërë territorin e Kosovës gjatë zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit. Këto cuname e vërshime politike në Kosovë do vazhdojnë edhe gjatë zgjedhjeve lokale të tetorit, nuk kanë të ndalur, shuplakat e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit do vazhdojnë dhe gjatë zgjedhjeve lokale për të dobësuar dhe më shumë LDK-në, PDK-në dhe AAK-në”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat