Skandali me vota, kërkohet reformë zgjedhore dhe mënyrë e re e votimit

Politika

Skandali me vota, kërkohet reformë zgjedhore dhe mënyrë e re e votimit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 mars 2021 Në ora: 13:44
Foto ilustrim

Zgjedhjet e 14 shkurtit mbeten ende një ekuacion i papërfunduar, duke sjellë fituesin mirëpo ende jo formimin e qeverisë.

Këto zgjedhje arritën që të sjellin një rezultat bindës për LVV-në, duke lënë pas vetës partitë e tjera politike.

Nga këto zgjedhje pësuan rënie PDK-ja dhe LDK-ja, duke shtyrë kështu nga këto rezultate që kreu i LDK-së, Isa Mustafa të jap dorëheqje, ndërsa që me 14 mars do të zgjidhet kreu i ardhshëm i kësaj partie.

Ndërsa kryetari i degës së PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku u shpreh se duhet të bëhen reforma të rrënjësishme.

Mirëpo edhe pse këto zgjedhje u cilësuan si të drejta, si duket kjo hipotezë u rrëzua kur në pah dolën incizime të keqpërdorimit të votave.

Ditë më parë ishte një video incizim që u publikua, ku shihet se afaristi Dardan Stublla, ka blerë me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ia kanë regjistruar Meliza Haradinajt-Stublla.

Kjo e vërtetë hedhë dyshime të mëdha se si ministrja e Jashtme dhe e Diasporës bëhet deputete pa i pasur votat e mjaftueshme.

Kështu njëri ndër personat e dyshuar për keqpërdorim të votave, Arbër Krasniqi është ndaluar nga Policia e Kosovës, gjatë ditës së djeshme, nën dyshimin për keqpërdorimin e votave.

Për të mos mjaftuar me kaq, ajo se çfarë bëri “bujë” ishte edhe dorëheqja e Meliza Haradinaj-Stublla nga posti i ministres së punëve të jashtme dhe anëtarësisë së AAK-së.

Kjo dorëheqje erdhi si rezultat si “sulmeve” që pati Haradinaj-Stublla pas publikimit të video incizimeve.

Por ajo se çfarë po vazhdon ende të diskutohet është mënyra se si po keqpërdoren votat nga persona të ndryshëm duke mos u vërejtur me kohë.

Ky sistem i numërimit të votave si duket po mbetet një mënyrë e gabuar e numërimit sepse në pothuajse në çdo zgjedhje dalin këto problem dhe keqpërdorime të votave.

Njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën se ndoshta një sistem automatik për numërimin e votave, do të ishte e duhura për vendin tonë në mënyrë që të mos përsëriten këto lloj keqpërdorime.

Kelmendi: Pa një reformë zgjedhore të gjerë dhe funksionale nuk mund të ndalen keqpërdorimet e votave

Në lidhje me këtë temë, profesori Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që sistemi zgjedhor në Kosovë nuk është adekuat për gjendjen e vendit, pasi që sipas tij votuesit kanë të drejtë të votojnë 5 kandidatë e kjo i bie që partitë politike përpiqen të dërgojnë në kuvend njerëzit që dëshiron udhëheqja.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai më tej shton që kjo mënyrë shkakton parregullsi në vota.

“Sistemi zgjedhor në Kosovë nuk është adekuat me gjendjen e vendit dhe me votën që jepet për kandidatët. Tash votohet me lista të kandidatëve dhe me 5 vota nga një votues, për pesë kandidatë. Kjo, në njërën anë dhe në anën tjetër, janë partitë politike të cilat nga pikëpamjet që kanë, përpiqen t’i dërgojnë në Kuvend njerëzit që dëshiron udhëheqja. Gjendja e tillë ka bërë që të kemi parregullsi dhe tash kemi probleme me votat dhe natyrisht se vullneti kështu devijohet i votuesve”, është shprehur Kelmendi.

Ndër të tjera, profesori tregon katër pika ku mund të ketë funksionim si duhet të votave, e para është të bëhen reforma në sistem zgjedhor në dy drejtime, në përcaktim të listës me emër dhe mbiemër të kandidatit dhe të votohet vetëm një kandidatë e jo pesë.

Ndërsa pika e dytë sipas profesori është që të bëhet numërimi në mënyrë automatike me aparat numërimi dhe pika e tretë është që vetë partitë të kërkojnë riorganizim e të përcaktojnë udhëheqjen e brendshme në mënyrë që të ndalohen intervenimet.

Pika e katërt sipas Kelmendit është të merren masa për kushdo që shkel votën e lirë të qytetarëve në vend.

“Së këndejmi janë disa punë që duhet kryer që të funksionojë vota: 1. Të bëhen reforma në sistem zgjedhor, e cila duhet të jetë në dy drejtime e orientuar. a. Në përcaktimin e listës së hapur me emër e mbiemër të kandidatit që konkurron dhe b. Në votimin e kandidatit mbi bazën e një vote një votues e jo pesë sikurse është tash dhe ku një votues pesë veta i voton. 2. Në futjen në sistem të numërimit të votave në mënyrë automatike, me aparate të numërimit të votave. 3 Vet partitë kërkohet të riorganizohen dhe mbi bazën e votës të përcaktohet udhëheqja e brendshme dhe këtej të ndalen intervenimet partiake dhe 4. Të merren masa penale ndaj çdokujt që shkel votën e lirë të qytetarëve në vend”, ka vlerësuar ai.

Në fund, profesori thotë se duhet të ketë reforma të domosdoshme, pasi pa një reformë zgjedhore gjithmonë do të ketë keqpërdorim të votave.

“Reforma kërkohet domosdo të bëhet mbi bazën e tillë. Natyrisht se ka edhe çështje tjera që dalin gjatë punës. Por pa një reformë zgjedhore të gjerë dhe funksionale nuk ndalen keqpërdorimet e votave”, ka përfunduar profesori Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Shahu: Vullneti i votuesve nuk mund as duhet lënë në duar militantësh

Kurse, njohësi i çështjeve politike Rexhep Shahu, në një bashkëbisedim me “Bota sot” , u shpreh se pranimi i menjëhershëm i rezultateve nga partitë politike dhe përcjellja e tyre tek qytetarët ka zbehur, degjeneruar sistemin dhe devijuar vullnetin e zgjedhësve.

Image
Rexhep Shahu

“Shpejtësia dhe serioziteti në ditën e zgjedhjeve në Kosovë, pranimi i menjëhershëm i rezultateve nga partitë politike duke përcjell qytetari, zbehët nga veprimet e biznesit të votave, nga degjenerimi i sistemit, nga vënia dorë mbi votën duke shëmtuar e devijuar vullnetin e zgjedhësve. Shfaqjet me të shëmtuara të devijimit të votave në Shqipëri janë transferuar në Kosovë”, është shprehur analisti.

Shahu shton më tej se vullneti i votuesve nuk duhet lënë në duart e militantëve dhe të lejohet këto shkelje të tilla siç është vjedhja e votave.

Sipas tij, sistemi është korruptuar dhe është krijuar ideja se mund të blihet edhe vota e vullneti i lirë, duke shtuar që ekspertët mund të rekomandojnë një mënyrë të votimit që nuk mund të ketë vjedhje të votave.

“Vullneti i votuesve nuk mund as duhet lënë në duar militantësh dhe shkelje të tilla ligjore si vjedhje apo trafik votash pas votimit duhen dënuar si vepra të rënda penale kriminale. Besoj se sistemi është korruptuar ose korrupsioni ka hyrë në shpirtin e sistemit. Është krijuar ideja se si çdo gjë që shitet e blihet, edhe vota e vullneti i votuesit shitet e blihet. Ekspertët mund të rekomandojnë mënyra votimi që pamundësinë vjedhje e trafik votash, në vetëm mund të shprehim revolte e kundërshtinë tonë”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat