“Dorë e zgjatur e Hashim Thaçit”, Lutfi Hazirit i vjen “goditja” e rëndë – analisti jep paralajmërimin për LDK-në

Politika

“Dorë e zgjatur e Hashim Thaçit”, Lutfi Hazirit i vjen “goditja” e rëndë – analisti jep paralajmërimin për LDK-në

Nga: N. H Më: 10 mars 2021 Në ora: 17:01
Hashim Thaçi dhe Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, njëherësh edhe kryetari i komunës së Gjilanit, edhe zyrtarisht ka shpallur sot kandidaturën për kryetar të LDK-së.

Madje, Haziri u zotua se do të punojë që ta rikthej Lidhjen Demokratike të Kosovës sërish në skenën politike, pas humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit

Mirëpo, njohësit e zhvillimeve politike, nuk e shohin Hazirin si figura e duhur, dhe që ka mundësi ta kthej LDK-në aty ku ishte.

Sipas analistëve, Haziri është i konsumuar, ndërsa, edhe më problematike e shohin lidhjen e tij me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Analisti, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, për shpalljen e kandidaturës së Hazirt, ka thënë ky i fundit ka qenë dorë e zgjatur e ish-kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi.

“Luta gjithnjë ka qenë dorë e zgjatur e Hashim Thaçit në LDK, dhe ndër faktorët kryesor për degradimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të kujtojmë se ishte Haziri, ai që ka bërë më shumë përpjekje si askush tjetër që Hashim Thaçi të bëhej president, me votat e LDK-së. Është po i njëjti person që e ka mbështetur Thaçin në idenë për ndarje, dhe në shumë vendime të tjera”, ka deklaruar Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Madje, Mehmeti mendon se me ardhjen e Haziri në krye të LDK-së, kjo parti do të ketë edhe më shumë rënie.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, ka theksuar Haziri nuk është ndryshimi që i duhet LDK-së në këtë kohë.

“Besoj se me ardhjen në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, kjo parti s’do ngrihet, ajo do të vazhdoj degradimin e saj. Haziri nuk është ndryshimi që i duhet LDK-së. Ai është vazhdimi i tatëpjetës së LDK-së. Kryetari aktual i Gjilanit më shumë i përshtatet profilit të PDK-së për t’u bërë kryetar, se i një LDK-së rugoviste. Në këtë sens nuk besoj se Lutfi Haziri është njeriu i duhur për ta ringritur LDK-në aty ku duhet të jetë kjo parti”, tha në fund, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se zgjedhjet e brendshme në LDK do të mbahen këtë të diel, e pretendentët për kryetar të LDK-së deri më tash janë; Anton Quni, Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, dhe së fundi edhe Besian Mustafa.

Ky i fundit, në njoftimin që ka konfirmuar kandidimin, ka deklaruar se LDK-ja do të shkëlqejë përsëri, ndërsa u ka uruar sukses edhe kundërkandidatëve të tij.

“Do të sigurohem që LDK do të ketë debat, diskutim dhe bashkëbisedim të hapur e të gjatë me secilin dashamir, votues e ish-votues dhe anëtar e ish-anëtar ku së bashku do të ndërtojmë unitetin dhe komunikimin tonë të vazhdueshëm”, ka shkruar Mustafa ndër tjerash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat