Akuzat e reja për Lajçakun: Mori qëndrimin në Kosovë dhe e njoftoi Vuçiqin, ai po përgatitë strategjinë e re...

Politika

Akuzat e reja për Lajçakun: Mori qëndrimin në Kosovë dhe e njoftoi Vuçiqin, ai po përgatitë strategjinë e re...

Nga: N.Sh Më: 10 mars 2021 Në ora: 17:03
Mirosllav Lajçak

Vizita tri ditore e Mirosllav Lajçakut në Kosovë, po konsiderohet e nxituar dhe e paarsyeshme përderisa ende nuk është përmbyllur procesi zgjedhor në Kosovë.

Kështu ka vlerësuar analisti politik Gani Qarri i cili shton se, takimet e Lajçakut, ndërmjetësuesit në dialogun Kosovë-Serbia kanë mundur të përmbyllen brenda një ditë dhe jo ti zgjeronte në tri ditë.

“Duket se presidenti serb, nxënësi dhe pasardhësi i Millosheviçit, si dhe bashkë projektuesi i krimeve dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve Aleksander Vuçiq ka edhe bashkëpunëtor e bashkëmendimtar tjerë shqipfolës përveç kuislingut Hashim Thaçi dhe spiunit të Stanishiqit Baton Haxhiut, ndaj dhe dërgoi Lajçakun me kaq urgjencë, për qëndrim tri ditor në Kosovë që të provojë besnikërinë e tyre, lidhur me premtimin e dhënë atij dhe Serbisë, për ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë, Serbisë. Përndryshe nuk kishte asnjë arsye që, përderisa në Kosovë ende nuk ishin numëruar as votat e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe vendi ende nuk kishte Qeveri legjitime, të vinte Lajçaku në vendin tonë dhe takimet që mund ti kryente brenda një dite, ti zgjeronte në tri ditë, në mënyrë që të kishte kohë të mjaftueshme në disponim, për marrjen e direktivave nga Vuçiqi dhe Serbia, se çka dhe si duhej të fliste e sillej me secilin politikan dhe udhëheqës shtetëror e partiak në Kosovë”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Qarri thekson se, pavarësia e Kosovës siç deklarohet në mënyrë të përsëritur edhe zyrtarisht nga vet SHBA-të dhe Parlamenti Evropian, është e pakthyeshme, po ashtu edhe Sovraniteti shtetëror dhe Tërësia Territoriale e vendit tonë, është vulosur njëherë e përgjithmonë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si organi më i lartë juridik i OKB-së, qysh më 22 korrik të vitit 2010, me vet kërkesën e Serbisë, drejtuar, për shqyrtim, kësaj Gjykate.

“Kështu që nga atëherë, po bëhen gati edhe 11-12 vite tjera në sovranitet dhe liri të plotë, më tepër se 13 sosh nga shpallja e pavarësisë dhe mbi 21 vite nga çlirimi përfundimtar prej okupimit serb, ndaj tanimë për të gjithë duhet të jetë, njëherë e përgjithmonë e qartë, se Kosova nuk e ka luksin të bëjë asnjë kompromis tjetër të mëtejmë. Mjafton kompromisi me planin e Ahtisarit dhe për ne si popull dhe shtet i lirë e i pavarur, nuk ka dhe as nuk do të ketë kurrë më kthim prapa, për asnjë centimetër në këtë drejtim, dhe krejt ajo çfarë mbetet në këto momente, është vetëm përmbyllja e marrëveshjes me njohje reciproke dhe një Happy-End përfundimtar, për popullin dhe shtetin e pavarur të Kosovës. Për aq më tepër, menjëherë pas zgjedhjes së mikut të dëshmuar të shqiptarëve, Joe Biden në postin e presidentit të SHBA-ve, presidentin serb Vuçiq  ishte kapluar nga një panik i madh, ndërsa dërgimi edhe i letrës përuruese, nga presidenti Joe Biden, në të cilën Vuçiq-it, për herë të par pas dhjet vitesh bisedime të pasuksesshme, të vendit tonë me këtë shtet ish okupator, nga një president i SHBA-ve, iu kërkua explicit njohja e pavarësisë së shtetit të Kosovës, e nxori tërësisht nga kontrolli Vuçiqin, pasardhësin dhe bashkëpunëtorin më të ngushtë të vet kryekriminelit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq, ministër i informatave të të cilit ishte, qysh në vitet e okupimit klasik të Kosovës nga Serbia”, pohon ai.

Sipas tij, megjithëse ai e di se Kosova tash e mbi 21 vite, është vend i çliruar me luftë nga Serbia, 13 sosh shtet i pavarur e sovran, si dhe mese 11 vite me Pavarësi të vulosur edhe juridikisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, i mësuar me kompromiset e kuislingut Thaçi, kërkesa e SHBA-ve, drejtuar atij personalisht, për njohjen e Kosovës, bëri sikur iu duk e papritur, ani pse, ai vet qysh me kohë, e dinte mirë, se duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, nëse nuk dëshiron bllokadë dhe komplikime të reja për Serbinë e tij agresore, element thelbësor i të cilës ishte dhe është edhe vet.

Image
Gani Qarri

“Kështu që, në gjendjen e re, të krijuar pas ardhjes së z. Biden në krye të SHBA-ve, e vetmja shpresë për të arritur qëllimet e tij hegjemoniste, Vuçiqit i kishte ngelur tek përçarja eventuale e partive politike shqiptare, ndaj me ndihmën edhe të Rusisë, ministrit të jashtëm Lavrov dhe presidentit rus Putin, kishte ndërmarrë gjithçka që me çdo kusht ta dërgonte Lajçakun për një qëndrim treditor në Kosovë, para se të formohej Qeveria e re, për të hetuar gjendjen dhe hulumtuar zbrazëtit e mundshme koordinuese ndërmjet segmenteve të shumicës shqiptare, për ndonjë manovrim konspirativ dhe jetësimin e pretendimeve hegjemoniste të Serbisë, ndaj Veriut të vendit tonë dhe pjesëve më vitale të Republikës së Kosovës.

“Dhe nga frika se pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, partitë shqiptare mund ti tejkalonin mospajtimet dhe unifikohen më tepër, për përballjen më të lehtë të sfidave në dialogun me Serbinë, vizita e Lajçakut në Kosovë, si diplomat me origjinë sllave, mik i Serbisë dhe ndërmjetësues që vjen prej njërit, nga vendet e pesëshes evropiane që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Lajçak më tepër ishte i nxitur nga vet Aleksandër Vuçiqi se sa që kishte nevojë në këto rrethana ta vizitonte Kosovën, para se të formohej Qeveria e re, përderisa ende nuk kishte përfunduar as numërimi i votave, të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe nuk dihej përfundimisht konstalacioni i mundshëm partiak, apo ndërpartiak i Qeverisë në ardhje. Pra vizita e Lajçakut në Kosovë nuk kishte asnjë qëllim tjetër, përveç mbledhjes së informatave mbi qëndrimin aktual të shqiptarëve rreth çështjes së bisedimeve me Serbinë, në mënyrë që të njoftonte Vuçiqin, që ai të ketë kohë të mjaftueshme për përgatitjen e strategjisë së re serbe rreth dialogut, dhe parashtrimit të kërkesave serbe, të përshtatura gjendjes aktuale, për realizimin e qëllimeve hegjemoniste të Serbisë në raport me Kosovën”, potencon Qarri.

Analisti politik thekson se, në mediat tona, u shkrua se kjo ishte një vizitë më tepër informuese, realisht unë kam bindjen se nuk mund të quhet krejtësisht e tillë, dhe të paktën jo, sa i takon palës kosovare, ngase kjo nuk ishte vizitë për informimin e Kosovës, por në fakt më tepër ishte vizitë informatë-mbledhëse në Kosovë, për servimin e argumenteve Vuçiqit dhe qeverisë së Serbisë, mbi qëndrimet më të reja të partive shqiptare, lidhur me dialogun, pas zgjedhjes së Joe Biden-it, president të SHBA- ve, dhe zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë.

“Madje siç dihet, nga pala kosovare, tanimë ka ndryshuar plotësisht qëndrimi edhe ndaj bisedimeve me këtë shtet ish okupator si dhe do të ndryshojë tërësisht edhe konstalacioni i delegacionit të Kosovës për dialog, jo vetëm sa u takon bisedimeve por edhe realizimit të marrëveshjeve të nënshkruara si dhe vet trajtimit të Kosovës në dialog si shtet i pavarur dhe i barabartë me Serbinë, gjë që në kohën e kuislingut Thaçi, nuk e kishte Kosova, ani pse tash e mbi 21 vite, jemi vend i lirë dhe mbi 13 sosh edhe shtet sovran e i pavarur, i njohur nga mese 117 vende anë e mbanë botës. Pra vizita në Kosovë e emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, më tepër lë përshtypjen e një aterrimi agjenturor dhe një vizite të llojit konspirativ, të puls-matjes politike e informatë-mbledhëse për Vuçiqin dhe qeverinë e Serbisë, që të dijë në cilat drejtime të përgatitet dhe në çfarë pikash ta mbështesë strategjinë e shteti serb, pas ndryshimit të gjendjes në SHBA me ardhjen e Joe Bidenit president si dhe pas zgjedhjeve të reja dhe përmbysjes së nomenklaturës së vjetër politike në Kosovë, të cilën nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, Vuçiqi e kishte plotësisht nën kontroll, vinte kusht pas kushti dhe caktonte vet apriori, jo vetëm agjendën,por edhe se si dhe për çfarë të bisedonte me delegacionin e Kosovës”, pohon ai.

Sipas tij, edhe Albin Kurti dhe Qeveria e re, megjithëse aktualisht, ai vet dialogun nuk e konsideron prioritet të parë, si kryeministër i vendit.

“Ai gjithsesi është i obliguar ti përgjigjet dhe duhet të përgatitet për rifillimin e tij, por Serbia dhe Vuçiq, Lajçak-u, Rusia apo cilido shtet e politikan dhe ndërmjetësues a ish diplomat tjetër, duhet ta di mirë, një herë e përgjithmonë, se në bisedime me Serbinë, mund të shkohet vetëm në bazë të parimeve të theksuara qartë edhe në letrën e z. Joe Biden për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe njohjen e ndërsjellë. Marrëveshje e cila pas 10 viteve të pasuksesshme dialogu, duhet të përfundojë sa më shpejtë dhe Republika e pavarur e Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me kërkesën e vet Serbisë, për shqyrtimin e këtij akti të drejtë dhe madhor të vendit tonë, që u vërtetua edhe nga kjo Gjykatë qysh më 22 korrik të vitit 2010, si organi më i lartë juridik i OKB-së, nuk mund të shkojë kurrë më, në bisedime për shkurtimin e pavarësisë, tkurrjen territoriale, as bosnjëzimin e saj, siç flitej dhe pretendohej publikisht në kohën e kuislingut Hashim Thaçi, nga vet ai renegat”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat