Lumir Abdixhiku, prurja e Isa Mustafës që ngjallë dyshime me heshtjen e tij!

Politika

Lumir Abdixhiku, prurja e Isa Mustafës që ngjallë dyshime me heshtjen e tij!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 10 mars 2021 Në ora: 18:56
Isa Mustafa dhe Lumir Abdixhiku

LDK-ja ndodhet para një udhëkryqi historik në këto vitet e fundit, ku përmes një kryetari të ri do të tentojë që ta këndellë këtë parti nga rezultatet e viteve të fundit, ku nuk kishte korrur asnjë fitore, e sidomos në zgjedhjet e fundit ku shënoi rezultatin më të dobët historik të saj.

Kryetari tashmë në dorëheqje, Isa Mustafa, për një dekadë rresht nuk arriti të fitonte asnjë palë zgjedhje me LDK-në, e dy herë e zhvendosi partinë në vendin e tretë, pas VV-së dhe PDK-së.

Humbja e thellë e 14 shkurtit bëri që Mustafa të jap dorëheqje menjëherë dhe pa revokim nga i pari i LDK-së, e tashmë kandidaturat për kryetar të ri kanë filluar.

Zyrtarisht, Anton Quni, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa, do garojnë të dielën e ardhshme për të parin e partisë, por që nuk përjashtohen edhe emra të tjerë për kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të gjithë sytë “shkojnë” kah Lumir Abdixhiku, i cili nga shumica e elektoratit të LDK-së është konsideruar si i duhuri për ta çuar LDK-në përpara.

Por, kush është Lumir Abdixhiku?

Ai nuk i përket periudhës së artë të LDK-së, pasi u kyç vonë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, saktësisht pak para zgjedhjeve të vitit 2017.

Me një bagazh vetëm katër vjeçar në LDK, ai po synon që të marrë frenat e partisë, duke premtuar se do ta kthejë LDK-në e dikurshme, të fuqishme.

Mirëpo Lumir Abdixhiku është prurje e Isa Mustafës në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Isa Mustafa si aksionar në kolegjin “Riinvest”, kishte Lumir Abdixhikun si drejtor të kolegjit dhe afërsia e tyre bëri që djaloshi me prejardhje nga Presheva t’i kyçet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Zeqiraj: Kuvendi i 14 marsit është nguti e qëllimshme

Image
Idriz Zeqiraj

Njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se përmes kuvendit të 14 marsit, disa zyrtarë të LDK-së po tentojnë që ta harrojnë humbjen, me zgjedhjen e një kryetari dhe kryesie, me klanorët e tyre.

“Fillimisht, Kuvendi i 14 marsit është nguti e qëllimshme, për ta relativizuar humbjen dhe shmangur përgjegjësinë objektive. Lidershipi klanor do t`i ikën - zgjedhjeve të jashtëzakonshme -, sepse vet emërtesa e "jashtëzakonshme", nënkupton ndryshime joformale, në strukturat e LDK-së. Andaj, organizatorët e këtij Kuvendi-farsë, në vend që të zgjedhin një ekip apo këshill organizativ përgatitor, për zgjedhjet e pas disa muajve, thjeshtë, kamuflueshëm dhe amortizueshëm, duan ta mbyllin, ta harrojnë humbjen, me zgjedhjen e një kryetari dhe kryesie, me klanorët e tyre”, ka thënë ai.

“Isa Mustafën e kemi dhuratë nga SHIK-u"

Zeqiraj mendon se e gjithë fajësia rëndon mbi Isa Mustafën, sepse ai vuri veten dhe LDK-në në dispozicion të qëllimeve të “errëta të Hashim dallaveres”.

“Nuk është thjeshtë dorëheqja e kryetarit dhe zëvendësimi i tij, por janë fajësitë serike me dëme enorme për LDK-në dhe Kosovën. Fajësia rëndon edhe më shumë, sepse klani Mustafa vuri veten dhe LDK-në në dispozicion të qëllimeve errëta të Hashim dallaveres. Anëtarësia e LDK-së e ka përvojën e hidhur, me kryetarllëkun e Isa Mustafës. Me veprimet e tij konformiste, me partitë-banda të PAN-it, katapultimi e tij në krye të LDK-së, ka ngjallur dyshime të bazuara. Prof. Fatmir Sejdiu ngulmon se "Isën e kemi dhuratë të SHIK-ut”, është shprehur Zeqiraj për “Bota sot”.

Ai e sheh si hendikep aderimin e vonshëm të Lumir Abdixhikut në LDK, kur dihet që brenda partisë ka një armatë të tërë të shkolluar, që janë angazhuar në parti qysh në rininë e tyre.

“Përndryshe, Lumir Abdixhiku ka tjetër biografi dhe nuk mund të dyshohet, për mëkate të hershme, në të kaluarën e tij. Vërtet, aderimi i vonshëm në LDK, është hendikep për atë. Aq më parë kur LDK-ja ka një armatë të tërë shkollarësh, të aktivizuar në parti, qysh në rininë e tyre të hershme, të cilëve nuk u është dhënë një mundësi e artë si kjo e Lumirit, për t`i ngjitur shkallët e karrierës duke djegur etapat e nevojshme, për një besueshmëri të natyrshme”, ka theksuar ai.

Zeqiraj shton se Abdixhiku është i matur, por më i heshtur se që duhet dhe kjo ngjallë dyshime.

Zeqiraj kritikon Abdixhikun për heshtje edhe në Kuvendin e nëntë zgjedhor.

“Megjithatë, Lumiri, për ndryshim nga disa kolegë të tij partiakë të rinj, shquhet për maturi. Por, me tepër heshtjeje, madje, edhe atëherë kur duhet ngritur zërin, deri në qiell, ngjallë dyshime: Sa do të jetë i gatshëm për t`u përballur me problemet akute që ka LDK-ja sot, pas një ndëshkimi dhe goditje nokautuese, të pritshme e meritore, që mori në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij moti? Lumirit, me të rinjtë tjerë, nuk u bëri përshtypje as Kuvendi i 9-të "Zgjedhor" aklamativ. Ndërkohë që duhet të bënin "namin", për t`i penguar klanorët në theqafjen e LDK-së. Po ashtu ngritja në kryesinë e LDK-së, kur ishin në radhë, të rinj dhe mesomoshë të tjerë shumë aktiv në parti”, është shprehur më tej ai.

Zeqiraj dyshon se në këtë kuvend zgjedhor, qëllimi është të lihen në kryesi disa klanorë, që kanë tendenca frenimin e reformave.

“Lidershipi klanor, brenda Kryesisë Qendrore, komplikoi, madje, qëllimshëm, zhvillimet e natyrshme në LDK. Procesi zgjedhor duhej të fillonte nga poshtë-lartë dhe jo e kundërta, siç po vepron klani aktual. Qëllimi është lënia në kryesi, bile, edhe në krye të LDK-së, të disa klanorëve potencialë, me qëllim të frenimit, deri në stopim, të ndryshimit, të reformave, aq shumë të kërkuara dhe, jetësisht, të nevojshme, në partinë e parë pluraliste të Kosovës”, ka thënë ai.

Megjithatë, Zeqiraj thotë se duhet të merret në konsideratë vlerësimi i elektoratit të LDK-së për Lumir Abdixhikut, ndonëse nuk ia dimë të kaluarën.

“Qenia e Lumir Abdixhikut, pjesë e grupit të Isa Mustafës nga njohja e tyre në "Riinvest", edhe pse duket domethënëse, nuk përbën ndonjë pengesë, nëse ai nuk ka ndonjë ndërvartësi tjetër. Kjo lidhje, mund të konsiderohet rastësore. Ndërkohë që kalkulues, intrigues e kokëtues me kryetarin, fajtorë të shumëfishtë, për rrënimin e ngeshëm të LDK-së, nuk po sanksionohen me asgjë. Përkundër, janë pretendentë potencial për kryetar dhe kryesi. Por, nëse për shefin e tij Mustafa për të kaluarën e tij dimë mjaftueshëm, përkundër, të kaluarën e Lumirit, e njohim pak edhe për arsye të moshës, pa u bërë -njeri publik-. Megjithatë, vlerësimi, goxha masiv i tij, nga anëtarësia e LDK-së, duhet pasur në konsideratë”, theksoi Zeqiraj.

Për të, heshtja e Anton Qunit, Lumir Abdixhikut dhe e Lutfi Hazirit për mosdenoncimin e tri vendimeve Thaçi-Mustafa, lë për të dëshiruar.

Për Lutfi Hazirin, Zeqiraj thotë se e rrënoi Rugovizmin.

“Tri kandidaturat e deritashme për kryetar të LDK-së, do të ishin të pranueshme, sikur të mos kishin heshtur, para fajësive serike, që bëri lidershipi klanor, qoftë edhe pas Kuvendit të 9-të "Zgjedhor" të partisë. Ata nuk denoncuan as tri vendimet Thaçi-Mustafa: Prishjen e koalicionit LDK-LVV; mocionin për rrëzimin e qeverisë Kurti; realizimin e koalicionit të LDK-së, me partitë-banda të PAN-it dhe bandën, gjithnjë, aktive "Srpska Lista"! Mbi Lutën tonë rëndon fajësia e madhe, sepse si kuadër i Dr. Rugovës, nuk mbrojti rugovizmin. Përkundër, ishte aktiv në çmontimin e statutit rugovian dhe instalimin e një statuti, nën maskën e përafrimit me statutin e PPE-së. Por, në fakt ishte favorizues i kryetarit dhe klanit të tij. Pasojat ishin fatale, degradimi i sistemit zgjedhor, deri në degjenerim, solli despotizmin partiak në vend të demokracisë. Rrjedhimisht, mesazhi më i mirë për anëtarësinë, popullin dhe shqiptarët botërorë për ringritjen e LDK-së do të ishte pauzimi i përkohshëm, i kryesisë komplete aktuale. LDK-ja është parti akademike, me kuadro të bollshme. Dhe, kjo do të ishte e shëndetshme, jo vetëm për LDK-në, por, edhe për Kosovën, Shqiptarinë”, ka potencuar Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

Ferizi: Me “harrna” nuk mund të kthehen 150 mijë votues

Image
Osman Ferizi

Kryetari i degës së LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi, për “Bota sot” tha se vazhdimisht kanë ngritur zërin rreth sjelljes së papërgjegjshme dhe mospërfilljes bazë Rugoviste, e që erdhi deri te ndëshkimi me votë nga qytetarët.

“Mendimi im si kryetar i Degës së LDK-së për Gjermani rreth Kuvendit të jashtëzakonshëm është ndryshe nga kupola e Organizatës Politike që unë i takojë tani e mbi 31-vite. Ne si kryesi i kemi përcjellë kryetarit dhe kryesisë në dorëheqje qëndrimet tona. - Në vazhdimësi kemi ngritur zërin rreth sjelljes së papërgjegjshme dhe mospërfilljes së bazës Rugoviste rreth shumë veprimeve të një pjese të lidershipit që sollën deri të një revoltë e heshtur nga votuesit besnik që ndëshkuan politikat servile, nënshtruese dhe biznesore të individëve të caktuar që më çdo kusht edhe me djallin dhe hajnin qëndronin në pushtet”, tha ai.

Ata janë të vendosur si degë e LDK-së në Gjermani që ky Kuvend të jetë vetëm kuvend pune, ndërsa shprehet i indinjuar me kryesinë e deritanishme, për të cilët thotë se e kanë llogaritur LDK-në në Gjermani dhe anëtarët e saj, vetëm si vota.

“Ne kemi kërkuar dhe qëndrojmë të vendosur se ky Kuvend të jetë KUVEND PUNE ku do ndryshohej STATUTI (Të ndryshohet neni 25.2, të lejohet si normë statutare funksionimi i FRAKCIONIT që do pamundësoi ndarje grupesh brenda LDK-së) dhe të formohet një Këshill Organizativ për organizimin e Kuvendit të përgjithshëm nga Nëndegët deri në Degë dhe kryetarin e LDK-së (një anëtar-një votë) po ashtu të diskutohet dhe analizohen shkaqet e humbjes dhe të merret përgjegjësia e drejtuesve kryesor, ndryshe ne e konsiderojmë një Kuvend të improvizuar dhe farsë ku do riciklohen individ të njëjtë duke ik nga përgjegjësia. Po nga këto struktura si Degë të LDK-së që veprojmë në Mërgatë përkundër kontributit dhe rolit në shtetëndertim që tre dekada ndihemi të injoruar, anashkaluar dhe ne na shohin vetëm si numra, andaj duhet të ndërrojë kjo qasje dhe sjellje”, u shpreh ai.

Për kandidaturat e deritanishme të LDK-së, Ferizi thotë se e pasurojnë konkurrencën, mirëpo mendon që zgjedhjet e përgjithshme janë zgjidhje e qëndrueshme, sepse sipas tij, me “harrna” nuk mundën t’i kthejnë 150 mijë votues.

“Sa i përket kandidaturave për kryetar të z. L. Abdixhiku , A. Quni dhe L. Haziri, vetëm sa e pasurojnë dhe shtojnë konkurrencën dhe strategjinë që LDK-se ta kthejnë në subjekt serioz politik sepse ka një histori, traditë dhe kulturë demokratike, është historia dhe bazamenti i Shtetit Dardan. Cilido që të zgjidhet kryetar i LDK-se nga ky kuvend me delegatet e 03.08.2019 nuk do ketë fuqinë dhe legjitimitetin e plotë sepse pjesa dërmuese e delegatëve janë në „pronësi“ të grupeve të interesit që mund të humbin punë dhe pozitat e tyre ne parti dhe administratë. Unë mendojë që Zgjedhjet e përgjithshme janë zgjidhje e qëndrueshme sepse me HARRNA nuk do arrijmë t‘i kthejmë 150-mijë votat e humbura, andaj ju bëjë THIRRJE delegateve të jenë vetvetja dhe të mendojnë për interesin e LDK-se dhe Shtetin e jo për interesa të pushtetit dhe bisneseve të tyre, nuk di edhe sa do ngopeni. Delegat të nderuar, mos u shitni, ma shumë u vodh e degradua për këto 20-vite, rinia i humbi shpresat për të jetuar në këtë vend, mendoni për Shtetin e fëmijëve tuaj, keni përgjegjësi”, theksoi Ferizi për “Bota sot”.

Latifi: Abdixhiku nuk ka dëshmuar që mund të jetë kryetar i denjë i LDK-së

Image
Haki Latifi

Veprimtari i LDK-së në diasporë, Haki Latifi, për “Bota sot” ka thënë se LDK-ja duhet të bëjë reforma edhe në gjenezë të partisë, e jo vetëm ta ndërrojë kryetarin e ri.

“Siç po duket gara për të parin e LDK-së po del të jetë shumë interesante, pasi që edhe opinioni tashmë është mësuar se, kur përbrenda LDK-së sa herë që ka kuvende zgjedhore zgjohen ambiciet për të parin e LDK-së. LDK në vazhdimësi është thirrur që në radhët e saj ka kuadro premtuese për të ardhmen e vendit, natyrisht se duhet të respektohen edhe rregullat statutore në kuadër të LDK-së. Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë 355 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, në këtë rast, mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve. Secili kandidat duhet të marrë 50 për qind plus 1 të votave të totalit të delegatëve. Për fat të keq LDK që nga shkuarja në përjetësi e Presidentit të parë Dr. Ibrahim Rugova ka pësuar në vazhdimësi humbje dhe rezultate jo të kënaqshme. Shto këtu zgjedhje të fundit, kanë treguar që duhet të bëhen reforma të thella në organizimin e saj. Unë jam pro çdo ndryshimi në kuadër të reformave në LDK. Mirëpo, në këtë rast, LDK-ja e cila e ka përmbyll një cikël të vet zhvillimit, dhe i duhet me e hap një cikël të ri, që është shtetndërtimi, që mendoj se i duhen emra të ri. Njëherësh duhet të bëjë ndryshime në gjenezë, në struktura e jo vetëm të bëjë ndërrimin e kryetarit”, tha ai.

Latifi mendon se Lumir Abdixhiku nuk është ende i gatshëm të marrë drejtimin e partisë, pasi ka ardhur vonë në LDK dhe nuk e njeh mirë strukturën, e gjithashtu qëndroi i heshtur në gabimet e LDK-së.

“Siç po shihet tani zyrtarisht i kanë bërë publike kandidaturat e tyre për të marrë pozitën e të parit të partisë; z.Anton Quni, z.Lutfi Haziri, z.Kujtim Shala e z.Lumir Abdixhiku si kandidatë të mundshëm për këtë post. Sa i përket kandidaturës së z.Lumir Abdixhiku, i cili iu bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës vetëm një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2017, ku falë të kaluarës së tij në shoqërinë civile dhe në „Riinvest“ për shumë vjet dhe nevojës për prurje të reja brenda LDK-së. Z.Abdixhiku me ardhjen në LDK, arriti të marrë besimin nga elektorati i LDK-së dhe është ndër pesë deputetët më të votuar të partisë. Duke u bazuar edhe në deklaratat e Z. Abdixhikut për kohën kur ka ardhur në LDK, ishte i vetmi person që e ka njohur dhe ka sjellë në LDK është z.Isa Mustafa dhe i cili e ka promovuar në vazhdimësi. Mendoj se, z. Abdixhiku nuk e njeh sa duhet strukturën organizative të partisë, nuk është dëshmuar sa duhet për ta marrë besimin e të parit të LDK-së. Duke u bazuar në heshtjen e tij publike gjatë qeverisjes së LDK-së të udhëhequr nga kryeministri z. Avdullah Hoti si dhe heshtjes së tij gjatë fushatës elektorale. Sidoqoftë është Kuvendi ai që vendos të i jap besimin fituesit dhe duhet të respektohet”, theksoi Latifi për “Bota sot”.

Bajraj: Abdixhiku ende i ri për të marrë drejtimin e LDK-së

Image
Fatmir Bajraj

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Bajraj, i tha gazetës “Bota sot”, se Lumir Abdixhiku ishte i privilegjuar nga lidershipi i partisë, por më pastaj ia ktheu shpinën LDK-së, duke e kundërshtuar prishjen e koalicionit me VV-në dhe doli kundër që Vjosa Osmani të shkarkohet.

“Lumir Abdixhiku, profesor dhe ekspert ekonomie, njëri nga prurjet e reja në LDK, pra në vitin 2017 ishte kandidat për deputet të parlamentit të Kosovës, i ri në moshën politike karshi tjerëve të cilët bartin mbi supe një periudhë të gjatë angazhimi dhe pse jo edhe një vistër suksesesh afirmative në zgjedhjet lokale dhe parlamentare si bartës të funksioneve me përgjegjësi politike, institucionale dhe shtetërore. Lumiri ishte favorizuar dhe privilegjuar nga lidershipi i partisë duke arritur që mandatit të deputetit të gëzonte edhe pozitë ministrore në kabinetin Kurti, të qeverisë së koalicionit LDK & LVV, qeveri e cila ra pas vetëm 51 ditë funksionimi si pasojë e prishjes së marrëveshjes së koalicionit nga ana e VV-së dhe provokimit të shkarkimit me mocion mosbesimi nga Parlamenti i Kosovës! Pretendenti për kreun e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, atëbotë doli kundër prishjes së koalicionit qeverisës me LVV-në, përkundër faktit se LVV kishte shkaktuar rënien e Qeverisë së shpresës, siç quhej qeveria e koalicionit, LDK & LVV, me Kryemnistër z.Albin Kurti, duke iu bashkuar në heshtje zonjës Osmani e cila tanimë kishte filluar të ndajë rrugët me LDK-në dhe të kalojë në VV-në e Kurtit. Lumiri refuzoi të mbajë pozitën e Ministrit në Qeverinë Hoti, përkatësisht në Qeverinë e koalicionit të drejtuar nga LDK-ja, dhe përveçse zgjodhi heshtjen e akullt deri vonë, ai u deklarua publikisht se ishte kundër mocionit të ngritur nga LDK-ja për Qeverinë Kurti, si dhe kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares në parti, pasi kjo e fundit kishte shkel vendimet e organeve të LDK-së, dhe kishte përqafuar hapur diskursin politik të LVV-së, kundër LDK-së dhe Institucioneve të vendit, edhe pse kjo e fundit ishte zgjedh nga LDK-ja, Kryeparlamentare dhe tani mban pozitën e u.d e Presidentit të Kosovës”, u shpreh Bajraj.

Ai mendon se që Abdixhiku nuk duhet të jetë kryetar i LDK-së, pasi nuk e njeh mirë strukturën e partisë, e as nuk ka garuar ndonjëherë në ndonjë palë zgjedhje për kryetar komune apo diçka të ngjashme.

“Z.Abdixhiku, nuk njeh mirë strukturën organizative të LDK-së, kulturën dhe as traditën qeverisëse të saj, meqë nuk ka kaluar shkallet e organizimit, si dhe nuk është sfiduar asnjëherë në garë për Kryetar të Komunës dhe të dal fitues, sikurse është rasti me shumë tjerë në LDK, tani pretendent potencial për lider të partisë. Kandidimin e z.Abdixhiku për Kryetar të LDK-së e nxisin media nga inxhinjeringu politik i diskursit të VV-së dhe binomit, Kurti-Osmani, të cilat shtyjnë tutje luftimin e LDK-së, me frymën e "ndryshimit" dhe logjikes populiste, për ta dëmtuar LDK-në dhe për ta bërë këtë të fundit t'i nënshtrohet hegjemonisë së pushtetit në ardhje të LVV-së dhe autoritarizmit të z.Kurti. Qëllimi i binomit Kurti-Osmani dhe diskursit hegjemonist të LVV-së, përmes kandidimit të Lumir Abdixhikut për kreun e LDK-së, është ; nënshtrimi i LDK-së ndaj hegjemonisë se re dhe vazliteti poshtërues ndaj një pushteti absolutist të projektuar, dhe në rastin ma të butë, sikur të deshtoj zgjedhja e Lumirit, atëherë të nxitet dhe shkaktohet ndarje e re e LDK-së nga e cila Lumiri do tërhiqte "asetet" eventuale, njësoj sikur Vjosa Osmani dhe do t'i bashkëngjitej pushtetit autokratik të tandemit; Kurti-Osmani", tha Bajraj për “Bota sot”.

Kuvendi i LDK-së pritet të mbahet më 14 mars, ku delegatët do të votojnë për konfirmimin e kandidatëve për kryetar të LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat